Nurie Emrullai – zë i veçante i poezisë së sotme shqipe

Nuk ka dyshim se poezia është nëna, gjiri i së cilës mëkoi gjithë llojet tjera të krijimtarisë letrare. Ajo zë fill më Epin e Gilgameshit, psalmet e Dhjatës së vjetër dhe veprat e Homerit, kurse në letrat shqipe, me vargjet e Lekë Matrëngës dhe Pjetër Budit. Sipas shkrimtarit dhe filozofit të madh shqiptar Isuf Luzajt (1913-2000) poezia qe shpikja e parë, pas  shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha. Ajo nisi me Konfuçin, Budën, Krishtin, Muhamedin e të tjerë, që synuan afrimin e njeriut me Perëndinë dhe në fillimet e saj qe shprehje e dhembjes njerëzore, kur qau për vdekjen e çdo të dashuri – atin, nënën, djalin, bijën, motrën, vëllain, burrin, të fejuarin e kështu tutje…

Poezia është emocion  (dashuri, shpresë, vuajtje, dhembje, mallëngjim, hidhërim, frikë…), të cilin poetët e shpërfaqin në momente frymëzimi të thellë, kur shndërrohen në albatrosë bodlerianë dhe shkëputen nga kuverta e anijes së dyshimtarëve, të cilët vetëm atëherë e njohin anën hyjnore dhe të pashembullt të tyre.

Lasgush Poradeci thoshte se nuk ekziston poezi tjetër pos poezisë së klasit të parë. Sipas tij, poezia duhet t’i ngjallë të njëjtat emocione, si lexuesit të sotëm ashtu dhe atij që do të vijë pas njëmijë vjetëve. Ajo duhet të jetë e tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.

Fatmirësisht, e tillë është poezia e Nurie Emrullait – poeteshës së re nga Kërçova, mjeshtres së vargut bilur, vajzës së urtë, të zgjuar, të vyeshme, fjalëpakë, modeste dhe të kredhur në botën oqean, e cila, që me botimet e para, dëshmoi se shkruan ndryshe nga të tjerët, se shkruan me jetën e saj, se është zë i veçantë i poezisë së sotme shqipe.

Gjer më tani, Nuria ka botuar tri përmbledhje poetike: “Për gjysmën tjetër të hënës” (Syth, Tetovë, 2019), “Vargmale nën dhe”(Onufri, Tiranë, 2020) dhe “Në orën moderne të Perëndive”, (Onufri, Tiranë, 2021). Kaq iu deshën për të kapur majat e arritjeve letrare si rrallë ndonjë krijues/ se tjetër dhe për të tërhjekur vëmendjen e njohësve të poezisë së sotme shqipe.

Po sjellim më poshtë disa fragmente nga vlerësimet e bëra për veprën e POETESHËS sonë, e cila, për bindjen dhe shijen time, është personaliteti më i shquar i fushës së kulturës dhe artit shqiptar në vitin 2021.

Ejup Ajdini: Poezia e Nuries është e ngjizur me ndjenja ndaj dashurisë dhe bukurisë së kësaj bote, që rrinë përballë çdo shëmtie të botës dhe çdo realiteti që na rrethon…

Vjollcë Berisha: E tërë poezia e Nuries është në thelb dashuri, një dashuri që e shumfishon veten. Madje edhe zgjatimet e inatit e protestës ndaj mendësisë “maçiste”, ndaj fatthënës kursimtare kundruall gruas, s’janë veçse prodhime të një dashurie elementare, të një dashurie që e sheh me keqardhje botën e dalë boje e që vjen si grumbullim i vjetër, i brezit të gjyshes, i brezit të nënës, e madje edhe i vetë subjektit lirik, kësaj çupëline që duhet të ketë qenë e rritur përpara se të zvogëlohej.

Virion Graçi: Libri i Nurie Emrullait ‘Vargmale nën dhé’ ka përmasat dhe rëndësinë e një antologjie; antologji e një autori kariere që nga fundi i jetës së gjatë krijuese bën një bilanc  të gjërave të çmuara, farkëtuar ndër vite; antologji e një grupi autorësh, të një breznie a nga një mjedis tjetër gjuhësor/krijues. Për habinë tonë fatlume, libri “Vargmale..” ka vetëm një autor/e dhe autor/ja është e re, në fillimet e saj. Dhe lexohet me ëndje, deri në poezinë e mbrame. Libri “Vargmale nën dhé”  është prurje e jashtëzakonëshme cilësore në poezinë bashkëkohore shqipe; është ansambël poezish ku eksperimenti shndërrohet në risi, prozaizmi i përditësisë – në poezi, liria krijuese shndërrohet në vlerë sipërore estetike, në art të përvetshëm letrar.

Halil Matoshi: Nurie Emrullai, për mue emën i letrave shqipe i zbuluem rishtas, gjatë Festivalit të poezisë “Polip” në Prishtinë.
Poete që vargu i saj të vjen sikur me e deshifru nji gjuhë të zhdukun, fjalorin, gramatikën e sintaksën e saj, varg që të shfaqet sikur astrologët sapo kanë zbulue nji yll të ri ose nji planet t’panjohtun.
Fundësisht kjo autore më bind se poezia ose âsht zbulesë, univers i ri, ose duhet me pushu së foluni për të.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button