Gashi nuk mund të “gjykojë” nëse Ismaili është i pastër si loti

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, në një paraqitje televizive në “Sitel TV”, ka bërë një deklaratë jokonsekuente, shkruan Vërtetmatësi. I pyetur nga gazetari, nëse me kuadër si ish-ministri i Kulturës Hysni Ismaili, të cilin partie e propozoi për nënkryetar të Kuvendit, për të cilin ndërkohë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ka ngritur iniciativë për vepër penale pranë Prokurorisë Publike, do ta kthejë besimin e qytetarve, Gashi u përgjigj:

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kjo është nismë shumë treguese e nisur nga disa struktura politike, domethënë e politizuar plotësisht. Ju siguroj se Hysni Ismaili është i pastër si loti. Unë i besoj më shumë atij, sesa vetes. Kështu që, me përgjegjësi të plotë ju them se ky njeri nuk ka bërë asgjë të papërgjegjshme dhe të pandershme. Nëse ndodh diçka dhe rezulton kështu, unë jap dorëheqjen nga politika.

[Burimi: Lajmet në TV SitelТema e ditës (video: 12:18-12:50); Data: 21 12.2021]

ARSYETIMI:

Deklaratën e kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, në të cilën thotë se bashkëpartiaku i tij, ish-ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, është “i pastër si loti dhe është vetëm çështje konstruksionesh politike”, ne e konsiderojnë jokonsistente. Gashi as nuk është kompetent dhe as nuk duhet të ndërhyjë dhe politizojë procedurat që i bëjnë institucionet në vend.

Në vazhdimin e seancës së 57-të më 21 dhjetor 2021, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), informoi se Prokurorisë Publike i është dorëzuar iniciativë për veprime të mëtutjeshme për inicimin e procedimit penal ndaj ish-ministrit të Kulturës, i cili këtë funksion e ka kryer nga 27 qershor 2019 deri më 30 gusht 2020.

Në periudhën e përmendur, funksionin e ministrit të Kulturës e ka kryer Hysni Ismaili nga Alternativa, i cili për momentin është deputet i në Kuvendin e RMV-së.

Nisma është ngritur nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, në lidhje me kontratat dhe aneks kontratat e lidhura më 24 korrik 2020, që kanë të bëjnë me konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar.

Gjatë muajit shkurt 2020, nga komisionet eksperte të formuara në Ministrinë e Kulturës, janë sjellë vendime me të cilat janë miratuar mjete për financimin e tri programeve në vlerë prej rreth 196 milionë denarë ose mbi 3 milionë e 100 mijë euro për 684 projekte, ndërsa ky institucion kishte në dispozicion vetëm 136 milionë denarë. Në shkurt të vitit 2020, kur janë përmbyllur këto projekte, mbi mjetet e buxhetuara për vitin 2020 janë ndërmarrë obligime në vlerë prej mbi 60 milionë denarë, që tregon se personi udhëheqës i Ministrisë së Kulturës ka marrë përsipër obligime përtej mjeteve në dispozicion në Buxhet, gjë që është e ndaluar dhe e dënueshme, ka konstatuar KSHPK pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit.

Sipas KSHPK-së, ministri ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për buxhetin dhe Ligjin për ekzekutimin e buxhetit për vitin 2020, duke nënshkruar rreth 100 kontrata dhe aneks kontrata në periudhën paszgjedhore dhe duke krijuar obligime për Buxhetin 2020 të Ministrisë së Kulturës, mbi 33 milionë denarë.

Vlladimir Georgiev, anëtar i KSHPK-së, në një video deklaratë për Kanal 5 shpjegoi:

Në nenin 4 të Ligjit për ekzekutimin e buxhetit për vitin 2020, thuhet se shfrytëzuesit buxhetorë dhe njësitë shfrytëzuese nuk mund të marrin përsipër detyrime apo të bëjnë shpenzime mbi kufirin mbi mjetet e miratuara nga Buxheti. Në bazë të këtyre shkeljeve, ne kemi përgatitur këtë iniciativë, e cila, siç thashë, tashmë i është dorëzuar Prokurorisë Publike për veprime të mëtutjeshme. (nga 00:39- 01:04 në video)

Të gjitha këto argumente dhe shpjegime zyrtare për Gashin janë rast tërësisht i politizuar, pas të cilit qëndrojnë forca të liga, me çka kanë reaguar nga KSHPK. Ata thonë se me këtë deklaratë të tij “bëhet tentativë për të politizuar punën e institucionit i cili udhëhiqet ekskluzivisht nga kompetencat e përcaktuara me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit”.

Çdo përpjekje për ta vendosur punën dhe vendimmarrjen e KSHPK-së në interesat dhe deklaratat ditore politike, mund të dëmtojë vetëm përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në tërësi. Me deklarata të tilla jo vetëm që tentohet të dëmtohet dhe diskreditohet puna e KSHPK-së, por edhe tentojnë të ndikojnë në organe dhe institucione të tjera që duhet të ndjekin më tej iniciativat dhe rekomandimet e saj, gjë që është në kundërshtim edhe me gjetjet e raporteve të fundit për progresin e vendit nga ana e Komisionit Evropian në lidhje me KSHPK, si dhe konkluzionet e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së se duhet të ndiqen rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kumtuan nga KSHPK.

 

Politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në procedurat gjyqësore dhe të japin vlerësimet e tyre për rastet e trajtuara nga institucionet që kontrollojnë punën e zyrtarëve publikë dhe të zgjedhur. Por, jemi dëshmitarë se shpeshherë ndodh që ata të mbrojnë bashkëpartiakët duke u thirrur në revanshizëm politik dhe konstruksione politike.

Në nenin 4 të Kodit të Etikës për anëtarët e Qeverisë dhe bartësit e funksioneve publike të emëruar nga Qeveria, thuhet:

Bartësit e funksioneve ekzekutive, kompetencat dhe detyrat e tyre publike i kryejnë në pajtim me Kushtetutën, ligjet, rregulloret tjera të miratuara në bazë të ligjit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bartësit e funksioneve ekzekutive sigurojnë që të gjithë ata që punojnë nën juridiksionin e tyre të përgjigjen njëlloj para Kushtetutës dhe ligjit dhe që Kushtetuta dhe ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Në lidhje me “parimin e efikasitetit dhe ekonomisë”, neni 8 i të njëjtit Kod thotë:

Bartësit e funksioneve ekzekutive i zbatojnë në mënyrë racionale dhe në kohë detyrat dhe kompetencat e tyre dhe përdorin në mënyrë të arsyeshme resurset publike për të arritur qëllimin e funksionit apo detyrës që kryejnë, ndërsa qytetarët kanë rezultate të matshme për sa i përket fondeve dhe punës së investuar.

Bartësit e pozitave ekzekutive kujdesen që qytetarët të mos i nënshtrohen shpenzimeve të panevojshme në realizimin e të drejtave, detyrimeve dhe interesave të tyre.

Si politikan dhe deputet në detyrë, lideri i Alternativës, Afrim Gashi ka për detyrë të veprojë me përgjegjësi në publik dhe nuk guxon të diskreditojë institucionet dhe ligjet në të cilat merr pjesë edhe si pjesë e përbërjes aktuale parlamentare.

Për shkak të të gjitha këtyre argumenteve, deklaratën e Gashit e vlerësojmë si jokonsistente.

 

BURIME:

 

Vlerësoi: Zhaklina Cvetkovska

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button