Ngrohja në Shkup nga 1 janari do të rritet për 14 për qind

Çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup nga 1 janari do të rritet për 14 për qind, që do të thotë se po kthehemi në nivelin e çmimit të ngrohjes së vitit 2018, njoftoi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, transmeton Portalb.mk.

Kjo përqindje, siç tha Bislimoski, është ajo që mund të bëjë Komisioni Rregullator, edhe pse kompanitë kërkuan rritje enorme të çmimit, por nuk është e drejtë që kostoja e gazit natyror të bjerë mbi supet e qytetarëve. Ai informoi se dje u ka dërguar thirrje për ndihmë edhe Qeverisë edhe Qytetit të Shkupit dhe komunave të Shkupit. Qeveria, sipas tij, po ndërmerr hapa të caktuar që do t’i njoftojë në periudhën e ardhshme për të gjetur një mënyrë për të mbuluar shpenzimet e blerjes së gazit natyror.

“Kërkoj dhe u bërj thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave që të ndihmojnë në mbulimin e një pjese të shpenzimeve për ngrohje në Shkup”, tha ai.

Bislimoski sqaroi se në faturat e përgjithshme të konsumatorëve për shkak të kësaj rritjeje të çmimit të ngrohjes, rritja totale mujore është 250 mijë euro dhe shtoi se këto para mund të mbulohen në baza mujore nga të gjitha institucionet në vend.

Informacionet paraprake thonin se kompania BEG ka kërkuar që ngrohja qendrore të rritet me 300 për qind. Mirëpo, kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, dje tha se rritja drastike e çmimit të ngrohjes qendrore nuk është zgjidhje pasi në atë rast shumë shfrytëzues do të kalonin në ngrohje me rrymë, që do t’i sillte goditje shtesë sistemit energjetik.

“Çmimi i blerjes së gazit natyror në pjesën ku BEG blen me çmimin e bursave është rreth 1480 dollarë për metër kub. Kjo është blerje për muajin janar dhe është pothuajse 6 herë më e lartë se mesatarja e vitit 2021 kur ishte 240 dollarë për metër kub. Atë që e mendova për energjinë elektrike, e mendoj edhe për ngrohjen – se rritja drastike e çmimit të ngrohjes nuk është zgjidhje sepse shumë konsumatorë do të shkëputen nga sistemi dhe do të fillojnë të përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Jemi në komunikim me qeverinë dhe mendoj se do të gjejmë mirëkuptim, por i ftoj përgjegjësit në qytetin e Shkupit dhe komunat në qytet që të përfshihen aktivisht dhe nëse është e nevojshme të ofrojnë subvencione të duhura për konsumatorët. Pres që të takohen”, tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski.

Ndryshe dje u njoftua edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 9,48 për qind.

Përveç rritjes së çmimit, e re është edhe pezullimi i energjisë së lirë elektrike ditore.

Tarifa e lirë do të vazhdojë të jetë e vlefshme gjatë natës dhe të dielën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button