Filloi ndërtimi i objektit për shkollën në Vizbeg, planifikohet vetëm për 500 nxënës

Kanë filluar punimet për ndërtimin e objektit të shkollës fillore për nxënësit në lagjen e Vizbegit, shkollë ku pritet të regjistrohen qindra nxënës që për vite kanë ndjekur mësimin me kilometra larg shtëpive të tyre, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës sot filloi procesin e ndërtimit të shkollës fillore tërësisht të re në vendbanimin Vizbeg në Komunën e Butelit me kapacitet prej mbi 500 nxënës. Me ndërtimin e këtij objekti bashkëkohorë shkollor, i cili përfshin hapësirë ​​për rekreacion dhe sport, plotësohen nevojat dhe kërkesat afatgjata të banorëve të këtij  vendbanimi”, njoftojnë nga Ministria, derisa numri i nxënësve në këtë lagje është dyfish më i madh.

Ministria sqaroi që ndërtimet pritet të përfundojnë brenda 18 muajve, ndërsa vlera e projektit arrin në 106 milionë denarë për 12 mijë metra katror.

Banorët e Vizbegut kanë protestuar së fundmi në tetor të këtij viti, duke bllokuar trafikun në udhëkryqin në hyrje të këtij vendbanimi, pasi përpos mungesës së shkollës, nxënësve nuk u është siguruar as transport i organizuar dhe detyrohen të ecin nga 4,5 – 5 km, sa është distanca e shkollave ku ndjekin mësimin. Rreth, 1400 nxënës, sipas banorëve, ndjekin mësimin në tre komunë – në Komunën Shuto Orizarë, Çair dhe Butel.

Ata kërkojnë nga Komuna e Butelit që t’ua sigurojë transportin nxënësve deri sa të ndërtohet shkolla fillore.

Në vitin 2012, kryetari i atëhershëm i Komunës së Butelit, Petre Latinovski paralajmëroi se, në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore. Ai tha atëherë se, ky objekt shkollor do të fillojë të ndërtohet pasi të përpilohet plani detal urbanistik për këtë pjesë. Ai duke prezantuar planin e ri detal urbanistik, tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra. Në vitin 2016, ish ministri i arsimit i  Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në shkurt të vitin 2017, u tha se në muajin mars pritet të hidhet gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore në Vizbeg. Madje, atëherë nga Ministria e Arsimit thanë se, në buxhetin për vitin 2017 është paraparë ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg. Në vitin 2019, ish ministri Arbër Ademi tha se pritet vetëm leja nga Komuna e Butelit për ndërtimin e objektit të shkollës së re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button