RMV, ende nuk janë shpallur rezultatet e regjistrimit të popullsisë, Selami: do të shpallen brenda afatit ligjor

Edhe pse paraprakisht Enti Shtetëror i Statistikave paralajmëroi se rezultate e regjistrimit të popullsisë do të shpallen në fund të vitit 2021, ato nuk janë shpallur ende. Zëvendësdrejtori i këtij enti, Ilmi Selami, tha për Portalb.mk se gjithsesi, rezultatet do të shpallen brenda afatit ligor, megjithatë nuk mund të parashikojnë një datë apo periudhë konkrete se kur do të ndodhë kjo, pasi kjo varet edhe prej institucioneve tjera me të cilat enti duhet të bashkëpunojë, për përgatitjen e të dhënave të nevojshme.

“Ne jemi duke punuar, të shohim në periudhën që vjen. Ne me ligj kemi gjashtë muaj pasi të mbarojë regjistrimi, që do të thotë se deri në fund të marsit e kemi me ligj, mirëpo shpresoj se do të jetë shumë më herët se sa afati i fundit. Po gjithçka varet prej punës, prej bashkëpunimit me institucionet tjera, kështu që pjesa tjetër do i shpallim në afatin ligjor. Tash mos më kapni për fjale, do jetë fundi janarit, fundi shkurtit, nuk kisha dashtë të them një datë që mandej nuk mund t’i rrimë prapa, me afat ligjor gjithsesi se do të jenë të shpallura rezultatet”, deklaroi ai.

Selami më tej tha se, arsyeja se u vonuan dhe rezultatet nuk u shpallën në afatin e paralajmëruar paraprakisht, ka ndodhë për shkak se institucionet janë vonuar në dhënien e informatave të përditësuara të kërkuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.

“Jemi duke u munduar, por nuk të japim fjalë se do të arrijmë. Ishte puna që institucionet tjera që duhej bazat e të dhënave që i kanë të përditësuara duhej të na dërgonim me kohë, por institucionet tjera u vonuan prandaj dhe neve na u vonuan disa gjëra. Kur them na u vonuan, nuk mundem aq shpejtë t’i shpallim, na u vonuan për afatet ne që dëshironim, mirëpo gjithsesi nuk them se janë vonuar në afatin ligjor”, tha ai.

Regjistrimi i popullsisë të Maqedonisë së Veriut u zhvillua në muajin shtator, ndërsa sipas afatit ligjor rezultatet duhet të shpallin më së voni deri në muajin mars.

Ndërkohë, Selami më herët kishte deklaruar për Portalb.mk se, numri i personave të cilët kanë refuzuar që të regjistrohen, është shumë i vogël dhe nuk do të ndikojë në përqindjen e rezultatit përfundimtar. Mirëpo, por ato persona do të ngritët aktpadi dhe do të kërkohet që t’u shqiptohen gjoba.

“Për çdo person duhet veç e veç të ngritët aktpadi edhe aktpadia kërkon një periudhë që deri sa të futen të gjitha të dhënat që i marrim prej Ministrisë së Punëve të Brendshme e kështu me radhë, janë goxha të dhëna që duhet të grumbullohen. Ne do të kërkojmë që të ketë dënime, dënimet i shqipton gjykata, kështu që shpresojmë të ketë dënime për këto sepse, ashtu është e paraparë edhe në ligj. Ligji parasheh dënime të cilat do të sillen prej 200 deri në 300 euro për person. Do të thotë një familje nëse përbëhet prej pesë anëtarëve që të pesë duhet të paguajnë dënime se pse nuk kanë pranuar të regjistrohen. Prandaj, kërkon kohë grumbullimi i të dhënave për krejt personat. Se mund të ketë për shembull, ne e kemi informatën se në një shtëpi që nuk kanë hapur derën janë pesë persona, mirëpo në ndërkohë MPB ka të dhëna prej kufijve hyrje – daljet dhe mund të thotë për shembull për një person, ai nuk është në shtëpi ka emigruar. Krejt këto të dhënat duhet të pastrohen”, tha zëvendësdrejtori i statistikave.

Sipas të dhënave të publikuara nga enti, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator, u regjistruan 1.832.696 persona568.175 familje dhe 837.255 banesa. Ata që për çfarëdo arsye mbetën të paregjistruar, do të gjenden në ndonjë nga bazat e të dhënave gjatë përpunimit të të dhënave dhe do të jenë pjesë e regjistrimit.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button