Shpresat për një vit më të mirë

Çdo fundvit na gjen me shpresa që barten nga një vit në tjetrin.

Shpresa e parë ka të bëjë me përfundimin e pandmisë Covid-19. E megjithatë nuk duket se kjo pandemi po përfundon. Nga 2019 kaluam në 2020, në 2021 dhe tani edhe vitin 2022 jemi duke e hapur me të njëjtën sfidë. Pandemia po ndryshon mutacionet por akoma nuk tregon shenja se do të përfundojë së shpejti. Sipas të gjitha gjasave kjo pandemi do të jetë edhe gjatë pjesë e jetës sonë. Por ajo që jep shpresë është se tani vaksinat janë të qasshme dhe rreziku nuk është gjithaq i madh sa në fillimin e saj. Tani që të vaksinuarit po marin edhe dozën e tretë të vaksinës është gjithnjë e më e qartë që në vitin 2022 do të duhet të mësohemi me këtë realitet të ri, realitet në të cilin pandemia Covid-19 është edhe më tej pjesë e jetës sonë.

Shpresa e dytë ka të bëjë me çështjet ekologjike. Çdo vit e mbyllim me qytetet tona në krye të listave botërore me ndotje rekorde të ajrit, me smog që të zë frymën, dhe gati me aspak angazhim për të ndryshuar këtë realitet. Në vend që të kemi gjithnjë e më shumë forma alternative të transportit, nëpër qytete po shuhen ngadalë edhe ato pak alternativa që mezi se u krijuan, hiqen korsitë e biçikletave, hiqet transporti publik, ndërsa rritet çmimi i parkingut zonal. Të jemi të qartë, si njeri që ka konsideratë për çështjet e ambientit, unë përkrah çdo inicijativë që e shtrejton transportin me makina private. Për mendimin tim, qendrat e qyteteve duhet të jenë tërësish të liruara nga makinat dhe vozitja e tyre nëpër qendër duhet krejtësish të ndalohet. Për më tepër, çmimet për regjistrimin e makinave të vjetra dhe joekologjike duhet të rriten me qëllim që të dekurajojnë përdorimin e tyre që shkakton ndotje të vazhdueshme të ajrit. Por mënyra alternative të transportit duhet domosdoshmërisht të ketë. Shpresoj që në vitin që vijon ambientalistët e deklaruar të arrijnë ti rrisin buxhetet modeste të komunave për çështjet ekologjike. Tani që janë pjesë e qeverisjes, kanë mundësi të veprojnë direkt për ti realizuar qëllimet e tyre, gjithnjë nëse vërtet e dëshirojnë realizimin e këtyre qëllimeve.

Shpresa e tretë ka të bëjë me perspektivën europiane të këtij shteti. Shpresa për hapjen e bisedimeve për aderim në UE është poashtu njëra ndëra to shpresa që e përcjellim nga viti në vit e ajo me këmbëngulje vazhdon të duket si një ëndër e parealizueshme që largohet e largohet nga realiteti i hidhur që mbizotëron. Edhe optimistët më të mëdhenj tani më i kanë dilemat e tyre se ky proces jo vetëm që nuk duket se do të mbarojë, por edhe vështirë se do të fillojë ndonjëherë.

Kështu që në vitin 2022 jemi përballë vetes tonë. Në këtë përballje duhet të vendosim çka do të bëjmë më tej. Jo për të tjerët, por për vete, jo për të huajt por për fëmijët tanë. Me çfarë shpresash do ti rrisim ato fëmijë, me çfarë ëndrrash për të ardhmen, po i humbëm shpresat tona?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button