Nuk është e vërtetë që OBSH nuk rekomandon mbajtjen e maskave në shkolla

OBSH ka miratuar rekomandime për përdorimin e maskave në shkolla dhe atë për të gjitha moshat. Nuk është e vërtetë që OBSH nuk ka rekomandime për atë nëse fëmijët në shkolla duhet të mbajnë maska, siç pretendohet në postimin që po e recenzojmë. Rekomandime të tilla gjenden në disa vende në portalin e OBSH-së, si dhe në publikimet zyrtare të lëshuara nga organizata, shkruan Vërtetmatësi.

Postimi në Facebook, duke shkruar për protokollet nëpër shkolla, sipas të cilave fëmijët dhe punonjësit duhet të mbajnë maska si mbrojtje nga koronavirusi, e manipulon publikun duke thënë se një gjë e tillë nuk është rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

…4 pikat në rekomandimet e OBSH-së janë:

– Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë

– Mbuloni gojën dhe hundën me bërryl ose shami kur kolliteni ose teshtini

– Lani duat shpesh me ujë dhe sapun

– Pastroni sipërfaqet e objekteve që preken shpesh

E përsëris: Bëhet fjalë për protokollet e para, të vitit të kaluar, por për shkak se po ndjekim me vëmendje dokumentet e publikuara nga OBSH, nuk janë publikuar risitë nga ana e tyre për atë që na shqetëson më shumë, maskat, d.m.th. secili vend vlerëson vetë në bazë të raportit mes përfitimeve edhe dëmeve…, thuhet mes të tjerave në postim.

Por nëse vizitoni faqen zyrtare të OBSH-së, do të shihni se në rekomandimet e kësaj organizate maskat përmenden si rekomandim për mbrojtjen kundër Kovid-19.

Për sa i përket pyetjeve dhe përgjigjeve të parashtruara më shpesh, në pyetjen, A rekomandon OBSH që punonjësit në shkollë dhe fëmijët të mbajnë maska ​​dhe nëse po, çfarë lloj maskash, OBSH ka dhënë këtë përgjigje:

Në vendet apo zonat ku ka një transmetim intensiv të Kovid-19 në komunitet dhe në kushte ku distanca fizike nuk mund të ruhet, rekomandohen këto kritere për përdorimin e maskave në shkolla:

  1. Fëmijët e moshës nën 5 vjet nuk janë të detyruar të mbajnë maska.
  2. Për fëmijët nga 6 deri më 11 vjet, gjatë marrjes së vendimit për mbajtjen e maskave duhet të zbatohet një qasje e bazuar në rrezikun, duke marrë parasysh:
  • intensitetin e transmetimit në zonën ku ndodhet fëmija dhe dëshmitë për rrezikun nga infektimi dhe transmetimi tek kjo grupmoshë, besimet, zakonet dhe sjelljet.
  • aftësinë e fëmijës për t’iu përmbajtur përdorimit të duhur të maskave dhe mundësia e mbikëqyrjes nga të rriturit.
  • ndikimi i mundshëm i mbajtjes së maskave në procesin mësimor dhe në zhvillimin.
  • shqyrtime të tjera si aktivitetet sportive ose për fëmijët me aftësi të kufizuara ose me sëmundje themelore.
  1. Fëmijët dhe adoleshentët mbi 12 vjet duhet të ndjekin udhëzimet kombëtare për maskat për të rriturit.

  2. Mësuesit dhe punonjësit në shkollë duhet të mbajnë maska ​​kur ata nuk mund të garantojnë një distancë prej të paktën 1 metër nga të tjerët ose kur ka transmetim të gjerë në rajonin ku jetojnë.

Sa i përket llojit të maskave që duhet të përdoren, nga OBSH thonë:

Rekomandohet mbajtja e maskave prej pëlhure për të parandaluar transmetimin e mëtejshëm të virusit te popullata e përgjithshme në mjedise publike, veçanërisht aty ku nuk është e mundur të ruhet distanca dhe në zonat e komunitetit ku ndodh transmetimi. Kjo mund të përfshijë terrenin e shkollës në disa situata. Maskat mund të ndihmojnë për mbrojtjen e të tjerëve, sepse ata që mbajnë maska ​​mund të jenë infektiv përpara se të shfaqen simptomat e sëmundjes. Politika për mbajtjen e maskave ose mbulimit të fytyrës duhet të jetë në përputhje me udhëzimet kombëtare ose lokale. Gjatë përdorimit, maskat duhet të mbahen, të ruhen me kujdes, dhe pas kësaj të hidhen në mënyrën e duhur.

Përdorimi i maskave nga fëmijët dhe adoleshentët në shkolla duhet të konsiderohet vetëm si pjesë e një strategjie për të kufizuar përhapjen e Kovid-19.

Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën ka publikuar një  dokument se si duhet të zhvillohet mësimi gjatë pandemisë me Kovid-19 dhe përmban rekomandime nga Grupi Evropian Këshillues Teknik për Arsimin. Në pjesën sa i përket përdorimit të maskave tek fëmijët thuhet:

Mbajtja e maskave është një çështje komplekse dhe duhet të konsiderohet si pjesë e një pakete masash për mbrojtjen dhe parandalimin e transmetimit të Kovid-19. Udhëzuesi i përkohshëm i publikuar nga OBSH rekomandon që fëmijët nën moshën 5 vjet të mos mbajnë maska. Për fëmijët e moshës nga 6-11 vjet, duhet të merret një qasje e bazuar në rrezikun aktual, duke marrë parasysh nivelet e transmetimit në komunitet, aftësinë për të ruajtur distancën fizike dhe ventilimin. Për fëmijët mbi 12 vjet, duhet të zbatohen të njëjtat masa si ato që zbatohen për të rriturit në çdo hapësirë ​​të mbyllur ku njerëzit qëndrojnë bashkë për periudha më të gjata kohore në kontekstin e transmetimit të vazhdueshëm të virusit në komunitet. Udhëzuesi i OBSH-së për larjen e duarve ofron këshilla se si shkollat ​​mund ta zbatojnë më së miri këtë masë të thjeshtë, por shumë efikase. Masat aktuale të miratuara në disa vende – për shembull, spërkatja e mjediseve shkollore me dezinfektues, dezinfektimi i tepruar (në vend të pastrimit) të sipërfaqeve dhe larja e tepërt e duarve – kanë pak ose aspak vlerë për kontrollimin e infeksionit dhe mund të kenë efekte negative.

Nga e gjithë kjo mund të konstatohet se OBSH ka miratuar rekomandime për përdorimin e maskave në shkolla dhe atë për të gjitha moshat. Nuk është e vërtetë që OBSH nuk ka rekomandime nëse fëmijët në shkolla duhet apo nuk duhet të mbajnë maska, siç pretendohet në postimin që po e recenzojmë. Rekomandime të tilla gjenden në disa vende në portalin e OBSH-së, si dhe në publikimet zyrtare të lëshuara nga organizata. Prandaj, postimin në fjalë e vlerësojmë si të pavërtetë.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button