Oliver Spasovski: Piroteknikën t’ua lëmë profesionistëve

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ua ka uruar të gjithë qytetarëve Vitin e Ri. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi dhe të kujdesen për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të njerëzve të dashur, por bëri edhe disa rekomandime për siguri më të madhe, transmeton Portalb.mk.

“Të mos vozisim nëse konsumojmë alkool ose të mos pijmë nëse duhet të vozisim. Të mos tregojmë për mungesën tonë nga shtëpia, duke e bërë më tërheqëse për hajdutët dhe grabitësit, dhe të raportojmë ngjarje të dyshimta në stacionin më të afërt policor”, tha ministri i Brendshëm.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin para fishekzjarreve.

“Piroteknikën t’ua lëmë profesionistëve, sepse vend shumë më i bukur për festë është rrethi i më të afërmve sesa qendrat urgjente. Edhe pse për policinë nuk ka pushim dhe ajo do të jetë e pranishme në terren, le të përmbahemi nga incidentet, sepse ato vetëm e shkatërrojnë atmosferën festive”, tha Spasovski në fjalimin e tij për Vitin e Ri.

Ai ndër të tjera shtoi se nga pikëpamja e Ministrisë së Brendshme, përgjithësisht kishim gjendje stabile të sigurisë gjatë gjithë vitit 2021, me tendencë uljeje të inkriminimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe efikasitet të përgjithshëm prej rreth 61 për qind.

Sa i përket veprimeve të realizuara, Spasovski theksoi se deri më tani “në rrugë” është konfiskuar drogë në vlerë totale prej 25 milionë euro.

“Me një bilanc prej shtatë grupesh të organizuara kriminale të shtypura, me 16 ngarkesa ndërkombëtare të prera të marihuanës dhe hashasith, me rezultate të shkëlqyera në sekuestrimin e lëndëve narkotike në vlerë totale të vlerësuar prej 15 milionë euro dhe këtu do të shtoja sekuestrimin e 1.555.600 tableta pseudoefedrinë me sasi të përgjithshme prej 1 ton e 15 kilogramë, e cila përdoret si pararendës që do të prodhonte rreth 700 kilogramë drogë sintetike, metamfetaminë, e cila në tregun e zi europian për sasinë e përmendur mund të arrijë vlerën e 10 milionë eurove”, theksoi ministri i Brendshëm.

Spasovski tha se janë vërejtur përmirësime edhe në fushat tjera të veprimit policor.

“Vërejmë rritje prej 23,4 për qind të veprave penale të zbuluara në fushën e tregtisë së paligjshme të armëve dhe rritje të shumëfishtë të sekuestrimeve të armëve, municionit dhe mjeteve piroteknike; me rritje të aktivitetit zbulues me 58,3 për qind në fushën e korrupsionit krahasuar me një vit më parë; me tendencë për uljen e numrit të viktimave në aksidente trafiku”, tha ministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button