Ghislaine Maxwell, ndihmësja e Jeffrey Epstein, u shpall fajtore për përfshirje në abuzim të grave

Ghislaine Maxwell është shpallur fajtore për rekrutim dhe trafikim të vajzave të reja, të cilat janë abuzuar nga financieri i ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein, shkruan REL.

Maxwell, 60-vjeçare është shpallur fajtore për pesë nga gjashtë akuzat, me të cilat është përballur – duke përfshirë atë për trafikim seksual të të miturave.

Vendimi është marrë pas pesë ditësh gjykimi në Nju Jork.

Kjo nënkupton se ajo mund të kalojë pjesën tjetër të jetës mbrapa grilave.

Në procesin gjyqësor kundër saj kanë marrë pjesë katër gra, të cilat kanë thënë se janë abuzuar nga Epsteini në periudhën 1994-2004.

Maxwell nuk ka shfaqur shumë emocione teksa i është lexuar vendimi, vetëm se e ka lagur fytyrën me ujë.

Ekipi i saj ligjor ka thënë se veçse ka nisur të punojë për apelim të vendimit.

“Ne besojmë fuqishëm në pafajësinë e Ghislaine”, ka thënë avokatja e saj, Bobbi Sternheim, para gazetarëve.

Annie Farmer, njëra nga gratë që ka dëshmuar kundër Maxwellit, ka thënë se është shumë e çliruar që gjykata e ka identifikuar sjelljen e saj grabitqare.

Ghislaine Maxwell

“Shpresoj që ky vendim t’i ngushëllojë të gjithë ata që kanë nevojë ta dinë se askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë ajo.

Damian Williams, prokuror për një qark të Nju Jorkut, e ka mirëpritur vendimin dhe i ka “përgëzuar” viktimat për trimërinë e tyre, që të flasin hapur.

Maxwell, bashkëpunëtore për kohë të gjatë e Epsteinit, që po ashtu është akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë, ka qenë në burg nga korriku i vitit 2020 dhe është akuzuar për përfshirje në abuzimet e financierit.

Disa prej viktimave kanë qenë 14 vjeç.

Epsteini ka kryer vetëvrasje më 2019, teksa ka qenë në pritje të gjykimit për akuza rreth trafikimeve seksuale.

Maxwell është vajza e vogël e manjantit të gazetave, Robert Maxwell, i cili ka vdekur më 1991.

Pak pas vdekjes së babait të saj, Maxwell është nisur nga Britania e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara, ku ka punuar me patundshmëri dhe më pas ka takuar Epsteinin.

Lidhja e tyre romantike është thënë të ketë zgjatur pak vjet, mirëpo ajo ka vazhduar që të punojë me të për një kohë të gjatë dhe është thënë se e ka takuar Epsteinin me figura të fuqishme, përfshirë ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe Princin britanik, Andrew.

Përgjatë gjykimit, avokatët e Maxwellit është raportuar të kenë thënë se ajo është fajësuar për krimet e kryera nga Epsteini.

Prokurorët, në anën tjetër, kanë tentuar t’i paraqesin ata si “partnerë krimi”, të cilët kanë udhëhequr një “skemë piramidale të abuzimit”.

Prokurorët kanë treguar se sipas të dhënave bankare, ajo ka pranuar 30 milionë dollarë nga Epsteini në periudhën 1999-2007, si e dhënë se ajo është motivuar nga paratë.

Të gjitha gratë që kanë dëshmuar, kanë thënë se janë abuzuar seksualisht nga Epsteini para se t’i mbushnin 18 vjet dhe se Maxwell u ka kërkuar, ndërmjetësuar dhe me raste edhe ka marrë pjesë në skenat seksuale.

Vetëm një grua, Annie Farmet, e ka përdorur emrin e saj të vërtetë gjatë dëshmisë së saj, derisa të tjerat kanë përdorur pseudonime për të mbrojtur identitetet.

“Ghislaine Maxwell ka kryer krime kokë më kokë me Jefrrey Epsteinin. Ajo ka qenë grua e rritur, e cila e ka ditur saktë se çfarë po bën”, ka thënë asistentja e Prokurorit, Alison Moe.

Virginia Giuffre është, po ashtu, një nga gratë më të njohura që ka akuzuar Maxwellin dhe Epsteinin, duke thënë se ajo është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me Princin Andrew tri herë.

Princi, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Shpirti im kërkonte drejtësi për vite dhe sot juria më dha atë. Do ta kujtoj këtë ditë përjetë”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Data për të shqiptuar dënimin për Maxwellin, nuk është bërë e ditur ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button