Filloi mbushja e gropave në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë

Pas ankesave të shumë qytetarëve dhe bizneseve për shkatërrimin e rrugës “Strasho Pinxhur” në Tetovë, kryetari i Komunës njoftoi se mbrëmë filloi tamponizimi dhe mbushja e gropave të hapura. Rikonstruimi i kësaj rruge prej 350 metrave në qendër të Tetovës filloi gjatë periudhës parazgjedhore, dhe siç thonë nga Komuna, u ndërprenë pasi kontratës i kishte skaduar afati dhe ka pasur probleme tjera, transmeton Portalb.mk.

Gjendja e rrugës është më e rënduar në këtë periudhë shkaku i reshjeve sepse krijohet shumë baltë. Banorët përreth dhe ata të cilët udhëtojnë nga vendbanimet përgjatë magjistrales Tetovë – Jazhincë ankohen dhe kërkojnë zgjidhje të problemit.

“Ky projekt për asfaltim nuk plotësonte asnjë kriter, andaj me përmirësimin e motit, punimet do të fillojnë dhe kjo rrugë do t’i plotësojë të gjitha standardet e një rruge evropiane”, tha kryetari i Komunës, Bilall Kasami.

Problemi me gjendjen e rënduar të rrugëve në Tetovë nuk është diçka e re. Në qytet ka rrugë të cilat ende janë jo të rregulluara dhe me gropa, që zakonisht gjenden brenda lagjeve por jo vetëm. Së fundmi Komuna e Tetovës ka filluar me sanimin e gropave nëpër rrugët e qytetit, ku kjo realizohet në kuadër të planit vjetor të vitit aktual. Kasami u bëri thirrje qytetarëve që ti paraqesin në komunë gropat nëpër rrugët e tyre, që ata të bëjnë plan dhe të intervenojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button