Shqipëri, Kuvend, pritet të votohet zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së

Parlamenti pritet të përfshihet sot nga debate të forta për zëvendësimin e anëtarit të LSI në Komision Qendor të Zgjedhjeve.

Mazhoranca ka çuar në seancë për votim dy emra të propozuar nga Partia Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kundërshtuar këtë lëvizje të Partisë Demokratike. Votimi në Kuvend pritet me interes për të parë nëse mazhoranca do ti ruajë apo jo numrat për të kaluar zëvendësimin në KQZ.

Ndërkohë Partia Socialiste ka mbledhur grupin për të vendosur për qëndrimin që do të mbahet në Kuvend, jo vetëm për çështjen e  zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së, por edhe për dy kodet dhe paketën fiskale.

Ndërkohë konferenca e kryetarëve do të mblidhet para nisjes së seancës, për herë të fundit këtë sesion dhe do të përcaktojë kalendarin e punimeve për javët e fundit të parlamentit.

Pritet nëse në kalendar do të përfshihet edhe rezoluta çame, çështje e cila dje mori një tjetër rrjedhë pas publikimit të dokumentave që tregonin se një rezolutë e njëjtë është votuar nga Parlamenti në 2004./Ora News/

Lajme të ngjashme

Back to top button