Në Kosovë operojnë 58 gurëthyes ilegalë

Gjatë vitit 2021 Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka hasur në 58 operatorë ilegalë, të cilët ndikojnë më së shumti në degradimin e mjedisit, ka bërë të ditur Ramiz Krasniqi, kryetar i Bordit të KPMM-së.

Krasniqi ka thënë në KTV se organi që udhëheq ai e ka të pamundur që të bëjë parandalimin e gurëthyesve ilegalë, për shkak të procedurave të stërzgjatura gjyqësore.

“Për momentin janë 567 licenca aktive në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), 154 prej tyre janë për shfrytëzim, të tjerat janë për hulumtim dhe aktivitete të veçanta. Këtë vit inspektorati i KPMM-së ka hasur në 58 operatorë ilegalë, degradimin e mjedisit më së shumti e bëjnë operatorët ilegalë, KPMM-ja e ka të pamundur parandalimin e tyre për shkak të procedurave pasi ne vetëm i gjobisim dhe i bëjmë inspektimet në teren, dhe lënda shkon në gjykatë, gjykatat në shumicën e rasteve po vonohen shumë, por edhe kur marrin masa, japin gjoba simbolik me çka ata inkurajohen të vazhdojnë punën”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se ka recidivistë të cilët nuk kanë dashur as t’ia dinë për KPMM-në, duke e vazhduar punën pavarësisht kërkesave të këtij organi për ndërprerje. Krasniqi po ashtu ka kërkuar që operimet ilegale të mos i trajtojë KPMM-ja por Policia e Kosovës, siç ndodh edhe në shumë vende të tjera.

“Operimet ilegale në Kosovë duhet të trajtohen nga Policia e Kosovës. Operimet ilegale ne vendet e tjera nuk i trajton organi që i licencon operatorët, ata i trajton Policia prandaj kërkesa jonë është që këtë çështje ta marrë në dorë Policia”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se KPMM-ja ka vetëm 22 inspektorë në terren dhe se që nga viti 2014 nuk mund të lëshohet asnjë licencë për operatorë pa pasur garancion bankar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button