Joveski: Maqedonia ka mungesë të prokurorëve, disa vende rrezikojnë të mbeten pa asnjë prokuror

Prokuroritë po përballen me largim të natyrshme të punonjësve, por edhe të prokurorëve të cilët shkojnë në pension. Po ashtu, në ndërkohë janë miratuar edhe dispozita ligjore që pengojnë punën e prokurorëve publikë pas moshës 64 vjeçare. Duke pasur parasysh strukturën e moshës në prokurori, vitin e ardhshëm, në pension duhet të dalin rreth 20 prokurorë, në vitin 2023 pesë të tjerë. Vendi i tyre, sipas dinamikës aktuale, mund të plotësohet për dy vjet. Ekziston rrezik që prokuroritë themelore publike të mbeten pa prokurorë publikë, siç janë prokuroritë e Shën Nikollës dhe Dellçevës. Edhe prokurori tjera themelore në vend mbeten me një numër shumë më të vogël prokurorësh nga e nevojshma, gjë që vë në pikëpyetje jo vetëm efikasitetin e tyre, por edhe kryerjen e funksionit të tyre, vlerësoi prokurori publik Ljubomir Joveski, në takimin online tradicional para Vitit të Ri me shefat e prokurorive publike në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, një nga prioritetet kyçe për luftë efektive kundër krimit është forcimi i kapaciteteve kuadrovike të prokurorisë. Në këtë segment gjërat po ecin përpara, por duhen përpjekje shtesë.

“Këto çështje janë të një prioriteti të lartë për periudhën e ardhshme dhe këtu po bëjmë përpjekje për zgjidhjen e tyre”, tha Joveski.

Ai shtoi se në disa prokurori, kanë filluar të funksionojnë qendrat hetimore dhe tashmë kanë filluar të ndihen përfitimet e para të pavarësisë më të madhe në ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Megjithatë, kyçe edhe më tej mbetet pajisja materiale, hapësinore dhe kadrovike e qendrave të hetimi, kurse në fakt është detyrim për vendin tonë, i theksuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Mungesa e kuadrove profesionale është e dukshme në pjesën e sektorit të teknologjisë së informacionit, sidomos nëse kihen parasysh planet dhe paralajmërimet për digjitalizimin e gjyqësorit, dhe me këtë për rrjedhojë edhe në prokurori.

Në takim, prokurorët analizuan vitin e kaluar dhe diskutuan për planet e ardhshme të këtij institucioni.

Prokurorët këtë vit kishin një detyrë të vështirë, tha Joveski. Nga njëra anë, kushtet materiale dhe kadrovike për punë, edhe përkundër përmirësimit të lehtë, ishin të pamjaftueshme. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2021 ka pasur ngjarje dhe raste penalo-juridike që për nga pesha e tyre kanë qenë provim për veprim të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha për prokurorinë që do të ndjekë pa kriter autorët e veprave penale.

“Konsideroj se me punën e tyre të përgjegjshme, prokurorët publikë kanë mundësuar dhe garantuar me sukses efikasitetin e sistemit penalo-juridik në shoqëri. Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë sfida”, tha prokurori i përgjithshëm i shtetit.

Vitin e ardhshëm janë planifikuar ndryshime të mëdha ligjore që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e Prokurorisë Publike. Është formuar grupi punues për hartimin e Kodit të ri Penal në Ministrinë e Drejtësisë, në të cilin merr pjesë edhe prokurori publik, ndërsa në grupin punues për Ligjin për procedurë penale marrin pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë Publike.

Joveski në takim ka apeluar drejtpërdrejt për të përgjegjshëm nga të gjithë prokurorët publikë.

“Gjatë vitit 2021 kemi punuar në sigurimin e mekanizmave të brendshëm dhe kornizës ligjore për funksionim efikas, forcimin e kapaciteteve të punonjësve, rritjen e transparencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ka filluar procesi i perceptimit të rezultateve, përgjegjësisë dhe llogaridhënies së prokurorëve publik, me atë që ka filluar të vlerësohet puna e çdo prokurori publik përmes një sistemi për përcaktimin e rezultateve. Ju bëj thirrje që ta pranoni këtë sistem vlerësimi si nxitje për efikasitet edhe më të madh në punën tuaj. Sigurisht që sistemi është i ri dhe gjatë viteve të ardhshme duhet të përmirësohet dhe të përmirësohet në përputhje me përvojën e fituar”, tha Joveski.

Ai shtoi se situata në prokurori duhet të ndryshojë për funksionim më të mirë dhe më efikas, me rritjen e burimeve të nevojshme materiale për kryerjen e funksionit. Për shembull, buxheti i vitit të ardhshëm është rritur me rreth 14%, pagat e prokurorëve publikë dhe zyrtarëve të prokurorive publike do të rriten me 15%, dhe prokuroria do të duhet të bëjë reforma serioze për të ecur drejt standardeve evropiane. Është inkurajuese që raporti i fundit i BE-së vë në dukje përparim në trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut përballet edhe me mungesë gjyqtarësh, problem i cili mund të rezultojë me vjetërsim të lëndëve dhe veprave të ndryshme penale. Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve dy vite ka qenë jofunksionale, çka nënkupton se nuk ka pasur mundësi për gjykatës të rinj që do të plotësonin vendet vakante. Gjendur në këtë situatë, Këshilli i gjykatësve delegon vazhdimisht gjyqtarë nga një gjykatë në tjetrën për të plotësuar nevojat e gjykatave, gjegjësisht të zvogëlohet numri i lëndëve që të mos vjetrohen.

Momentalisht, Maqedonia ka mungesë të 155 gjyqtarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button