Hulumtim: Covid-19 shtoi gjuhën e urrejtjes dhe paragjykimet në RMV

Përkeqësimi i tolerancës etnike dhe fetare, krijimi i stereotipeve dhe paragjykimeve shtesë për tjetrin, si dhe rritja e gjuhës së urrejtjes janë vetëm disa nga pasojat e pandemisë së Covid-19, sipas një studimi të fundit nga Shoqata e Qytetarëve ‘Nexus’, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Se pandemia ka shkaktuar pasoja të shumta në multikulturalizmin në vend, tregon hulumtimi i bërë nga shoqata e qytetarëve Nexus-Civic Concept. Ata thonë se gjatë pandemisë, toleranca fetare dhe etnike, stigmatizimi dhe paragjykimet u përkeqësuan.

Sipas intervistave të bëra me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, është vërejtur përkeqësim i multikulturalizmit dhe krijimi i stereotipeve dhe paragjykimeve shtesë ndaj tjetrit. Prandaj, Covid-19 ka përkeqësuar situaten lidhur me multikulturalizmin, por edhe në mospërfshirjen e disa komuniteteve dhe individëve, thuhet në përfundimet e hulumtimit.

“Hulumtimi kryesisht tregoi se të ulur në shtëpi dhe duke mos pasur mundësi për t’u socializuar, shumë nga fëmijët përdornin rrjetet sociale. Nga ana tjetër, në arsim mendimi kritik është shumë i ulët, fëmijët nuk marrin pjesë në ngjarje ose nuk kanë përmbajtje përmes të cilave do të ndajnë mendimin e tyre për një temë të caktuar, por përkundrazi marrin vetëm informacione nga media dhe e transmetojnë atë pa e kontrolluar nëse ato informata janë të sakta”, tha Afërdita Musliu, e cila ka punuar në studim.

Për sa i përket mbulimit dhe raportimit mediatik gjatë kohës së pandemisë, veçanërisht në raport me multikulturalizmin, hulumtimi u fokusua në studime dhe analiza të sektorit joqeveritar. Ka pasur një përqindje të shtuar të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale për baza etnike dhe fetare, e nxitur në mënyrë indirekte nga masat jotransparente dhe jokonsistente të Qeverisë, veçanërisht në lidhje me kremtimin e festave fetare.

“Covid-19 bëri që të shtohej gjuha e urrejtjes, pra paragjykimet, që u bënë gjithnjë e më të qarta. Shumë të rinj i lejuan vetes të komentonin informacione të paverifikuara, dhe shumë prej tyre ishin për baza etnike. “Ishte një stereotipizim i madh”, tha Musliu.

Ajo shton se është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë të edukohen për temën e multikulturalizmit që në moshë të re. Për portalet e internetit dhe postimet që u analizuan, kishte bujë sensacionale, tendencioze dhe përmbajtje jocilësore që qarkullonin në publik, e në disa raste edhe përmbajtje vulgare.

“Ekziston edhe një tendencë për të nxitur dallimet etnike, por që nuk janë të pranueshme, por me konotacion negativ, që krijon stigma, stereotipe, diskriminim dhe në fund të fundit gjuhë të urrejtjes. Prandaj nevoja për rregullim të zgjeruar dhe të shtuar të portaleve në aspektin e përmbajtjes dhe raportimit, që nuk do të nënkuptonte censurë, por rritje të kontrollit mbi cilësinë e përmbajtjes, dhe qëllimi i raportimit duhet të jetë në interesin publik, jo sensacionalizëm.” thuhet në hulumtim.

Rregulla të reja – marrëdhënie të reja shoqërore

Fakt është se jeta pas pandemisë nuk është si më parë, ndaj sipas sociologëve, pritet që rregullat e reja të jetesës të vendosin marrëdhënie të reja shoqërore në marrëdhëniet njerëzore.

Profesor Gjorgi Tonovski thotë se sfida e re në jetë ka bërë që njerëzit të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i shpëtuar pandemisë.

“Pandemia ka hapur shumë sjellje atipike, antisociale, të pasakta, duke filluar nga lëvizjet anti-virus dhe anti-vaksinimi deri tek ajo që do të thotë të manipulosh njerëzit, të dalësh me teori konspirative, t’i mbash njerëzit në frikë, të gjitha të pabazuara në informata të verifikuara. Ajo që është më interesante për këtë grup është se i referohet të drejtave dhe njohurive të njeriut, por nga ana tjetër, sjellja e tij tregon se nuk i beson shkencës”, tha profesor Tonovski.

Marrëdhëniet shoqërore janë bërë një lloj sfide në këto kushte specifike, theksoi Tonovski, prandaj nuk duhet të na habisë që intoleranca, stigmatizimi, paragjykimet po rriten.

“Kufizimi i zhvillimit të atyre marrëdhënieve nuk mund të mbetet pa pasoja. Frika është një kategori sociale dhe psikologjike dhe ndikon në cilësinë e marrëdhënieve shoqërore dhe ndikimin e tyre në mënyrën e jetesës në shoqëri.

“Komunitetet janë ndarë në vija etnike, kanë filluar të mbyllen në vetvete dhe të përçahen brenda tyre, duke u munduar në një farë mënyre të shkurtojnë komunikimet mes tyre dhe kjo sigurisht ndryshon cilësinë e jetës”, përfundon profesor Tonovski.

Pandemia Covid-19 në Maqedoninë e Veriut filloi në fund të shkurtit 2020. Rasti i parë i diagnostifikuar në vend ishte një grua që u infektua me virusin korona në Itali. Presidenti Stevo Pendarovski në mbrëmjen e 18 marsit të vitit 2020 shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, që ishte hera e parë në historinë e vendit që vendoset këtë masë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button