DEKORI MË I BUKUR 

Panairi i librit në Tetovë, i organizuar nga shtëpitë botuese “Syth” dhe “Nobel”, shpresojmë të bëhet tradicional. Sa më shumë panaire libri aq më mirë për lexuesit dhe më shumë mundësi për t’i pasuruar bibliotekat personale apo familjare me libra që na hapin fushëpamje të re për jetën, botën, shoqërinë.

Librat na japin “informacione të shkallës së lartë”, siç thotë Jurij Llotmani. Na mundësojnë të flasim me “tjetrin”, me artistin, dijetarin, historianin, shkencëtarin. Na mundësojnë bashkëbisedimin imagjinar me gjenitë që kaherë kanë ikur nga kjo botë pasi paraprakisht e kanë vetëkrijuar një formë tjetër ekzistenciale.

Nëpërmjet librit, siç thotë Tagora, arrijmë ta lexojmë botën dhe nuk e lëmë atë të na mashtrojë. Nëpërmjet librave bëhemi subjekte që e mbrojmë lirinë tonë: të brendshme dhe të jashtme. E mposhtim vdekërimin e çdoditshëm. Dalim përtej kornizave ku jetohet vetëm sipas kodeve anakronike dhe arrijmë ta shohim “dritën në shtëpinë tjetër”.

Në praninë e librave nuk e ndjejmë peshën e braktisjes. Sa më pranë librit, aq më pranë çudisë, siç tha Borges-i, i cili edhe botën e paramendoi si tekst apo bibliotekë, ndërsa Viktor Hygo e krahasoi librin me gjithësinë e pafundme…

***

Panairet e librit na mundësojnë që brenda hapësirës së kufizuar të shohim gjurmë të shumta nga historia e kulturës dhe ideve. Aty bashkohen e kaluara, e tashmja dhe vizioni për të ardhmen. Aty dëgjohet zëri i atyre që janë bërë libër. Aty librat sikur flasin mes vete dhe bëhen fleta të Librit të Madh, që njerëzimi e shkruan tash e mijëra vjet, prej se njeriu u bë qenie që prodhon simbole, që prodhon kulturë.

Panairet e këtillë nuk janë vetëm hapësira ku ekspozohen librat, por edhe agora ku debatohen çështje të ndryshme shoqërore.

Ku ka panaire libri, aty ka ardhmëri. Ku ka dashuri për librin, aty i krijohet digë pushtetit të harresës.

***

Në bilancin e të arriturave të këtij viti le t’i shënojmë edhe panairet e librave. Le ta shënojmë panairin që u mbajt në Tetovë, në këtë qytet ku janë shkruar e kënduar libra para shumë shekujsh. Ku shpërndahej edhe revista “Albania” e Konicës nga fundi i shekullit XIX. Ku kishte lexues, shpërndarës e donatorë librash e revistash në gjuhën shqipe që botoheshin nga kolonitë shqiptare.

***

Le t’i pasurojmë bibliotekat familjare me më shumë libra. E librat, përveçse na pasurojnë shpirtërisht, janë dekori më i bukur për çdo shtëpi. Një dekor që asnjëherë nuk bëhet demode.

Kur ekziston një bibliotekë familjare, atëherë, herët ose vonë, do të shfaqet lexuesi i ri. Ai do të jetë fëmija, nipi apo stërnipi ynë.

Le të fotografohemi pranë librave, sepse nuk është turp dhe le t’u jemi mirënjohës autorëve e botuesve që e kanë lidhur jetën me librin, këtë “ëndërr që mund ta mbash në dorë”, siç tha N. Gejmeni…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button