As Amerika nuk mundi t’a ‘shpëtonte’ eurointegrimin e Maqedonisë në vitin 2021

Rrugëtimi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021 nuk solli rezultate edhe përkundër shpresave të herëpashershme. Pikërisht kur mendohej se me formimin e Qeverisë së re në Bullgari, do të ketë progres për zhbllokimin e kontestit me vendin fqinj, Qeveria e Maqedonisë dha dorëheqje. Këshilli i BE-së mbajti mbledhje por nuk i dha datë vendit. Maqedonia u përball edhe me një veto, shkruan Portalb.mk.

Gjatë vitit 2021 janë bërë disa përpjekje për t’ju dhënë fund mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes por pa sukses, për shkak të mungesës së vullnetit të të dyja palëve për të biseduar për pikat që e pengojnë këtë marrëveshje dhe hapjen e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Në përgjithësi ka pasur një frymë më pozitive ndaj Bullgarisë, në disa faza diplomacia e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pa vend rreth Sofjes duke i forcuar edhe më tej pozitat bullgare ndaj Shkupit, vlerëson për Portalb.mk publicisti Selimi Ibraimi.

Sipas tij, në vitin 2021 kemi parë një angazhim pak më serioz të Uashingtonit rreth këtij problemi, kurse BE-ja është treguar e dobët rreth masave shtrënguese ndaj dy palëve. Gjithashtu në Komisionin e Shkupit, thekson Ibraimi, duhet ndryshuar anëtarët që janë të lidhur ngushtë me ideologjitë e huaja dhe partitë që kanë për synim ngecjen e vendit.

“Në sferën e reformave ka pasur më shumë fjalë dhe pak punë duke u justifikuar me pandeminë , pak standarde janë vendosur në Maqedoninë e Veriut gjatë 2021 në fushën e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Ka pasur miratime të ligjeve në Kuvend me yll evropian dhe të duken si të BE-së po vendi nuk duket si një anëtar që vërtetët synon BE-në. Rastet e fundit tragjike në Tetovë dhe në Bullgari tregojnë së në fushën e transportit dhe të së drejtës Maqedonisë së Veriut ndodhet larg dhe ka ndikim të politikës dhe grupeve të organizuara për të anashkaluar gjithçka dhe të mos respektuar të paktën standarded minimale të sigurisë”, thotë Ibraimi.

Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni

Çfarë mund të presim në vitin 2022?

Viti 2022 mund të duket më premtues se me Sofjen, mund të arrihet një marrëveshje e cila do të hidhte të kaluarën në histori, konsideron Ibraimi. Mbetet vendimtare serioziteti i angazhimit të SHBA-ve në këtë nyjë të re ballkanike. Dhe më e rëndësishmja këtu, shton më tej Ibraimi, është roli rus në Ukrainë dhe impakti në Ballkanin Perëndimor dhe në BE, pra konflikti i mundshëm në Ukrainë do të kishte pasoja në të gjitha proceset e nisura për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet ballkanike.

“Megjithatë se nga do të shkojë Ballkani dhe si do të jetë  fati i të gjitha kontesteve, janari i 2022 është parësor dhe vendimtar për të përcaktuar vijën e të euro-integrimeve. Takimi i sigurisë në mes SHBA-së , Rusisë, NATO-Rusisë, dhe vendeve tjera me Kremlinin mbetet dilema se si do të përfundojnë të gjitha mosmarrëveshjet. Së këndejmi edhe rruga e Maqedonisë së Veriut ndikohet nga zhvillimet e jashtme dhe natyrisht nga dinamikat e brendshme ku dihet se një qeveri e re pritet të marrë mandatin në janar”, thekson Ibraimi.

Me rëndësi, vlerëson Ibraimi, është që Shkupi dhe Sofja të kenë ekipe të mira për dialog dhe kapacitete për reja për zgjidhjen e problemit. Deri më tash në të dyja anët ka pasur ndikime që në 2021 duhet të ndërpriten që të arrihet një paqë e qëndrueshme nga Ukarina e deri në Ballkan.

Kronologjia e rrugëtimit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021

Në janar të vitit 2021, presidenca e BE-së, kaloi nga “duart” e Gjermanisë, në atë të Portugalisë. Presidenca gjermane konsiderohej si përkrahëse më e madhe e zgjerimit të BE-së, kurse Portugalia as nuk të humbte shpresat dhe as nuk premtonte.

Por, menjëherë pas marrjes së presidencës, Portugalia u shpreh se shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet në gjysmën e parë të 2021-shit dhe se do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Ashtu edhe siç pritej, nuk kishte lëvizje as gjatë kryesimit portugez – për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, por edhe për shkak të “mosmarrëveshjeve” të mëdha, përkatësisht të dallimeve thelbësore mes pozitave të Bullgarisë dhe të Maqedonisë.

Në prill, pati një eufori, pas propozimit portugez, për të cilin nuk u mor vesh kurrë se çfarë përmbante, i cili siç u tha ishte shqyrtuar plotësisht nga autoritetet e vendit dhe se është propozim i pranueshëm. Megjithatë, kështu nuk ishte për fqinjin e Maqedonisë. Sofja zyrtare nuk e pranoi. Pavarësisht se u përfol deri në fund të presidencës, ky propozim ra në ujë.

Pavarësisht toneve diplomatike të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria qëndroi “stoike” në qëndrimin e saj, dhe në qershor përsëri i vuri veto Maqedonisë së Veriut.

Shpresat e Maqedonisë së Veriut, tani u varën në presidencën sllovene dhe zgjedhjen e qeverisë së re në Bullgari. Sllovenia deklarohej se Maqedonia dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat sa më parë dhe se do të angazhohej në këtë drejtim, si dhe e përkrah propozimin portugez për kontestin Maqedoni-Bullgari.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button