Në mungesë të këshilltares nga Lëvizja Besa, nuk kaloi pika për revidimin e PDU të bllokut 57 A “Shik Jellak”

Këshilltarja Besija Iljazi nga Lëvizjes BESA ishte arsyeja që dje nuk u vendos në rend dite pika për pezullimin e planit urbanistik të bllokut 57 A te fabrika “Shik Jellak”, për të cilën kryetari i Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore vazhdimisht ka theksuar se do ta revidojë këtë plan sapo të bëhet kryetar. Mungesën e këshilltares, Kasami e arsyetoi se në momentin e votimit ajo ka qenë në kontroll mjekësor, por për këtë  ka dyshime këshilltari i cili e ka propozuar pikën, Hamdi Sulemani, i cili thotë se mund të ketë interesa garnitura e re e qeverisjes lokale. Këshilltarja, megjithatë pastaj erdhi dhe votoi për Buxhetin, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A  që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq me mbështetje të këshilltarëve të atëhershëm nga BDI, LSDM dhe ASh. Edhe pse kjo është diçka e rëndësishme, komuna ka qenë shumë jotrasnaprente në të gjithë këtë procedurë duke mos dhënë informacione të sakta se çfarë planifikohet të ndërtohet aty. Davidoviq për opinionin në RMV është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.

Hamdi Sulemani, kryetar i komisionit për urbanizëm në Komunën e Tetovës tha se sipas mbledhjes koordinuese mes komisionit  për urbanizëm në fund të mbledhjes ka prezantuar se do të kërkojnë në këshillin komunal që në pikë të rendit të ditës të vendoset edhe propozimi për rishqyrtimin edhe njëherë të bllokut urban 57 i cili gjendet afër “Shik Jellakut”.

“Kjo pikë u diskutua dhe u nxor në votim ku nga këshilltarët e Lëvizjes Besa pikërisht nuk u përkrah ajo pikë dhe shkoi me 15 vota pro dhe normal që e dimë se të nevojshme janë 16, të gjithë këshilltarët e pozitës ti bashkëngjiten këtij procesi. Aty kemi dyshime se ndoshta edhe garnitura e re ka ndonjë interes më të madh dhe për momentin pezulluan rishqyrtimin e atij programi urbanistik por gjithsesi edhe ne si iniciativë do të angazhohemi dhe do të analizojmë më tej se si do të veprojmë”, tha Sulemani.

Kryetari i Komunës, për mungesën e këshilltares nga Lëvizja Besa tha se ajo ka qenë në kontroll në spital dhe pastaj erdhi.

“Nuk ka ndonjë dilemë të tillë. Sigurisht që përkushtimi im si kryetar besoj dhe i këshillit është të revidohet ai plan dhe nga fillimi të rinisin të gjitha proceduar që parashihen me ligj”, tha Kasami për Portalb.mk.

Gjatë seancës, për këtë foli edhe këshilltari nga BDI Besim Memeti, i cili tha se për 57-tën kanë pasur një bisedë në komisionin e urbanizmit (27 dhjetor).

“Nëse bëjmë politikë është përfaqësuesja këtu do të na jep edhe njëherë një sqarim a e kemi bërë me ligj apo e kemi bërë vetë në vete ne”, tha Memeti.

Çfarë tha Kasami për “Shik Jellak” para se të merr në duar pushtetin në Tetovë?

Rikujtojmë se gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Fabrikën e Shik Jellakut në sipërfaqe prej 6,000m2 tha se nuk do të pranojë asnjë investim të asnjë investitori kontrovers në Tetovë.

“Tetova ka investitorë vendas të cilët për shkak të mbylljes së administratës së Komunës së Teuta Arifit, ata janë të detyruar të investojnë në Shkup dhe në të gjithë pjesën tjetër të Maqedonisë së Veriut, ne si pushtet komunal, këtyre investitorëve do t’ua mundësojmë duke investuar në infrastrukturën rrugore, në infrastrukturën ujore dhe nëntoksore me gjithë pjesën e infrastrukturës që ata të mund të krijojnë kushte më të mira banimi për qytetarët e Tetovës sepse kështu mund të rrisim zhvillimin ekonomik dhe lokal të Tetovës. U garantoj se si kryetar i ardhshëm i Tetovës këtë plan do ta revidoj dhe çdo investim kontrovers nga jashtë do ta ndaloj. Te pjesa e urbanizmit veç më kemi paraparë një plan të detajuar për atë pjesë domethënë që të jetë pjesë rezidenciale por sigurisht jo në këtë format të cilin e ka paraparë administrata aktuale e komunës. Ne si Lëvizje Besa nga marrja e pushtetit do ta revidojmë edhe këtë edhe çdo investim të biznesmenëve kontrovers”, tha Bilall Kasami në Debatpërnime me 14 tetor.

Ndryshe, Sulemani këshilltar nga “Më mirë për Tetovën” dhe kryetar i komisionit për urbanizëm në Komunën e Tetovës tha se përsëri ne seancën e radhës do ta prezantojnë dhe do të shohin si do të veprojnë këshilltarët e Lëvizjes Besa.

Debatin për këtë pikë në seancën e këshillit mund ta ndiqni në videon më poshtë duke filluar nga minuta 19:37.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button