Nxënës nga Amerika kanë gëzuar nxënësit e shkollës “Vëllazërimi” me dhurata të Vitit të Ri

Pas iniciativës së mësueses së tyre Vivien Musli, nxënësit e qendrës kulturore shqiptaro – amerikane “Riverdale” u kanë dërguar dhurata të Vitit të Ri fëmijëve të shkollës fillore “Vëllazërimi” në Shkup. Përkrah dhuratave për të cilat kanë ndarë nga paratë e tyre, ata kanë dërguar edhe porosi se janë të emocionuar sepse, tani do të kenë shokë të ri përtej oqeanit, transmeton Portalb.mk.

“Shpresojmë se do të kontribuojmë që fëmijët ta festojnë vitin e ri. Klasa jonë është shumë e emocionuar se tani do të ketë shokë përtej oqeanit. Vlera e arsimit është e theksuar në klasën tonë, por gjithashtu edhe krijimi i ndikimit pozitiv. Shpresojmë se ky gjest modest do t’i gëzojë shokët tanë të rinj”, porositën fëmijët nga “Riverdale”.

Në shenjë falënderimit, nxënësit nga paralelet shqiptare dhe maqedonase në shkollën “Vëllazërimit” të cilët i morën dhuratat, kanë punuar një poster dhe kartolina urimi të cilat në “Riverdale” do t’i dërgojë mësuesja Memnune.

Ajo theksoi se, kjo nuk është iniciativa e parë e këtillë që e organizojnë nxënësit nga “Riverdale” dhe tha se është ndjerë mirë që personalisht ka mundur t’i sjellë dhuratat dhe personalisht ta përjetojë gëzimin e nxënësve.

Mësueset e “Vëllazërimit” po ashtu ua kanë kthyer me kartolinë të Vitit të Ri.

“Me kujdesin tuaj keni bërë të ndjejmë si të jeni afër nesh, afër shokëve tuaj. Kufijtë dhe largësia nuk ekzistojnë kur ka dashuri mes fëmijëve. Ju urojmë Vitin e Ri”, porositi Mersie, mësuese e nxënësve të klasës së katërt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button