Sela: Do të udhëheqim me dy drejtori të Qytetit të Shkupit

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ka thënë sot se, kjo parti do të udhëheqë me dy drejtori që janë në kuadër të qytetit të Shkupit. Ai sot gjatë takimit me gazetarët, tha se Aleanca për Shqiptarët do të udhëheq konkretisht me një ndërmarrje publike dhe me një institucion, megjithatë nuk ka dhënë detaje precize se për cilat bëhet fjalë, shkruan Portalb.mk.

Sela shtoi se, partia e tij do të kujdeset që të ruhet niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në Qytetin e Shkupit.

“Janë bërë biseda dhe jemi në negociata e sipër. Aleanca për Shqiptarët deri tani në momentin që flasim, do të ketë 2 drejtori në kuadër të Qytetit të Shkupit, do të ketë 3 zëvendës drejtorë në kuadër të Qytetit të Shkupit. Natyrisht drejtorë të shkollave të mesme, më duket që janë 4 ose 5, të cilat menaxhohen nga Qytetit i Shkupit. Kuptohet që janë shkolla fillore që menaxhohen nga komuna të tjera në kuadër të Qytetit të Shkupit. Por, me fjalë të tjera, niveli i përfaqësimit të shqiptarëve të Shkupit, Aleanca për Shqiptarët do të ketë kujdes që të ruhet dhe të avancohet”, tha Sela.

Ai po ashtu shtoi se, projekti për metro i paralajmëruar nga ish kryetari Petre Shilegov, por se ato kanë kërkuar që të jetë jo deri në Vllae siç është menduar fillimisht, por të vazhdojë deri në Saraj.

“Projekti famoz i premtuar nga ana e ish kryetarit të Qytetit të Shkupit për linjën ekspresë të autobusit deri në Vllae, ne kemi ndërhyrë dhe kjo linjë do të jetë deri në Saraj. Do të vazhdohet si koncept, do të ndryshohet koncepti, nuk do të jetë në mesin e rrugës por do të bëhet, në bazë të bisedimeve që i kemi bërë, anash linjës ekspres të transportit dhe ne kemi bërë që kjo linjë të vazhdojë deri në Saraj, në mënyrë që të mos lihen jashtë komuna të veçanta të cilat gravitojnë brenda Qytetit të Shkupit”, tha ai.

Sipas tij, një pjesë të marrëveshjes që e kanë bërë me kryetaren Danella Arsovska para se të zgjedhet në postin e saj, ka qenë edhe çështja e zgjidhjes së çështje pronësore juridike të dëmshpërblimit që duhet t’u paguhet disa qytetarëve në fshatin Rashqe, në vendin nga i cili furnizohet me ujë i gjithë qyteti i Shkupit edhe pse, ky është problem shumë dekadësh

Sa i përket situatës politike në ekzekutiv, Sela tha se janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi ai vlerëson se tre aktorët kryesor të pushtetit, Dimtiar Kovaçevski, Ali Ahmeti dhe Afrim Gashi, nuk kanë legjitimet që të jenë në pushtet.

“Natyrisht që ne do të bëjmë çdo veprim politik të mundshëm për ta rritur pakënaqësinë, në mënyrë që ta detyrojmë Qeverinë që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme ose këto deputetë t’i bindim, që duhet 61 minimumi që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kur bëhet fjalë për një shumicë të këtillë, e cila nuk ka asnjë legjitimitet, të gjithë tre aktorët kryesorë që janë në pushtet nuk kanë asnjëri prej tyre legjitimet. Legjitimiteti fitohet nga qytetarët, për atë duhet zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ne nuk ikim nga ajo, kurdo qoftë të mbahen ne jemi këtu që së bashku me qytetarët të sjellim ndryshimin te shoqëria shqiptare”, tha Sela.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button