Xhaferi: Është e pritshme që më 17 janar të fillojë me punë qeveria e re

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi pret që Qeveria e re të votohet deri në 17 janar. Xhaferi tha se këtë e bazon duke marrë parasysh afatet kushtetuese, konsultimet politike që po rrjedhin, si dhe paralajmërimin se presidenti, Stevo Pendarovski, nesër do t’ia ndajë mandatin për përbërje të Qeverisë së re, liderit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, shkruan Portalb.mk.

“Pasi që presidenti do t’ia ndajë mandatin Kovaçevskit, Kuvendi duhet të njoftohet dhe të fillojnë të rrjedhin afatet. Maksimumi është 20 ditë, por unë nuk pres që mandatar të shfrytëzojë këtë afat. Vlerësoj se deri më 10 apo 11 janar në Kuvend do të arrijë propozim – përbërja e qeverisë së re, si dhe programi. Pas konsultimeve me grupet parlamentare, seanca për zgjedhje të qeverisë së re do të mund të caktohej për 15 janar, ndërsa deri në fund të ditës më 16 janar dhe ajo të zgjedhet”, deklaroi sot Xhaferi në konferencën vjetore për media në të cilën foli për punën e Kuvendit gjatë vitit.

Sipas tij, është reale të pritet që mëngjesin e 17 janarit ministrat e ri të jenë në vendet e punës.

Ndërkaq, në lidhje me kërkesën e VMRO – DPMNE-së, që të enjten më 30 dhjetor që të mbahet seanca e pyetjeve të deputetëve, Xhaferi tha se është e pabazë.

“Sipas asaj që jemi dakorduar paraprakisht në koordinim, në mënyrë konsensuale u përcaktua që 23 dhjetori të jetë dita e mbajtjes së pyetjeve të deputetëve, ndërsa me atë rrumbullakësohet obligimi i Kuvendit që të planifikojnë aktivitetin që del si obligim i Rregullores. Kërkesa është e pabazë dhe mendoj se do të kthehet me këtë arsyetim, sepse thamë se Qeveria është në dorëheqje dhe mandati dhe përfaqësuesve qeveritar ka përfunduar, ndërsa në pyetjet e deputetëve, sipas Rregullores me çdo çmim duhet të jetë kryeministri, ndërsa cili kryeministër do të jetë, i cili nuk ka mandat. Do të thotë nga ajo arsye nuk mund të pritet”, theksoi Xhaferi.

Ai shtoi se, kërkesa është bërë, ka arritur te ai dhe paralajmëroi se do të përgjigjet në mënyrë adekuate.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarisë, Xhaferi tha se këtë vit nuk është punuar pak në Kuvend. Sipas tij, Kuvendi ka punuar në mënyrë adekuate.

“Nuk mendoj se është punuar pak, mendoj se është punuar në mënyrë adekuate ndaj asaj që është dinamike në punën e Kuvendit dhe ndaj asaj që janë procedurat, ndërsa pjesë e pikave që qëndrojnë në komisionet do të duhet me kryetarët e komisioneve që t’i shohin arsyet pse ato pika qëndrojnë aty, ku është pengesa”, tha Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button