“Gjelbërimi” në mënyrën ballkanike, çfarë pret Evropa nga Maqedonia dhe fqinjët?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

-Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor –

Malinka Ristevska Jordanova

Ashtu si me politikat e tjera, varësisht nga interesi, detyrimeve ndërkombëtare dhe shkallës së bashkëpunimit me rajone dhe vende të veçanta, Bashkimi Evropian e “eksporton” Agjendën e Gjelbër në vende të treta. Korniza për “transferimin” e Agjendës së Gjelbër Evropiane në Ballkanin Perëndimor (BP) u vendos nga BE në nivel rajonal – me Komunikatën e Komisionit në tetor të vitit 2020 për zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër në BP, si aneks i Planit Ekonomik dhe Investues për rajonin. Shumë shpejtë pas kësaj, vendet e rajonit ia vendosën agjendës vulën e pronësisë nëpërmjet Deklaratës së Sofjes në nëntor të vitit 2020. Së fundi, këtë vit në Bërdo të Kranjit u mbështet Plani Aksionar për Vitin e Gjelbër për BP, të cilin e përgatiti Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KBR). Kështu, dy vjet pas BE-së, Ballkani Perëndimor ka një plan për “gjelbërim”.

Në përputhje me Deklaratën e Sofjes si dokument politik dhe në përputhje me Agjendën e Gjelbër Evropiane, Plani përmban aktivitete në pesë fusha:

  1. Dekarbonizimi;
  2. Ekonomia cirkulare;
  3. Dekontaminimi (“çndotje”);
  4. Bujqësia e qëndrueshme;
  5. Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit.

Krahas aktiviteteve të parapara në Plan, janë shënuar edhe koordinatorët kryesorë rajonalë, afati kohor indikativ dhe komenti. Dokumenti përmban edhe “udhërrëfyes për secilën nga fushat, të cilat i identifikojnë sfidat dhe “rrugën përpara”. Pjesa e tretë i kushtohet menaxhimit, monitorimit, raportimit dhe mekanizmave të tjerë për mbështetje të Deklaratës së Sofjes.

Plani aksionar është një kornizë shumë më e “holluar”, në krahasim me Agjendën e Gjelbër Evropiane. Lidhur me objektivin kryesor të Agjendës së Gjelbër Evropiane – BE-ja të bëhet neutrale në aspekt të gazeve serrë deri në vitin 2050, plani e parashikon aktivitetin “Përafrimi me të drejtën e BE-së për klimën me një vizion për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050“, me vërejtjen: ” promovim i vazhdueshëm deri në vitin 2030”. Dokumenti nuk përmend objektiva që do të ishin të krahasueshëm ose analogë me ato të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, megjithëse të tilla ka në disa plane sektoriale kombëtare.

Vendosja e vetëm e “kornizës indikative kohore “, si dhe mungesa e objektivave dhe indikatorëve të saktë (të cilët janë dhënë si listë, pa vlera fillestare dhe objektive) është një nga mangësitë kryesore të Planit, siç është theksuar në shqyrtimin kritik të Benkuoç – rrjet i organizatave joqeveritare nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Krahasimi me instrumentet e BE-së tregon dallime edhe më të mëdha. Si shembull e theksojmë instrumentin kryesor të BE-së për emetime – Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE-së (ETS). Në Planin për BP është përcaktuar aktiviteti “përputhja me ETS ose futja e instrumenteve të tjera për çmimin e karbonit” për vitin 2024, për të cilin theksohet se varet nga vendimi për të futur sistem të çmimit të karbonit dhe se diskutimet e politikave janë në vazhdim. Ose, parashikohet transpozimi dhe zbatimi i plotë i Direktivës për performancë energjetike deri në vitin 2023, duke e theksuar se BE-ja ende është duke e zhvilluar konceptin për mbështetje të programeve për rinovimin e ndërtesave private dhe publike dhe sigurimin e financimit adekuat.

Kur bëhet fjalë për financimin, 18% e IPA III është dedikuar për qëllime që kanë të bëjnë me klimën (që në vitin 2027 të arrihet 20%). Kjo për BP dhe Turqinë do të thotë – 2,5 miliardë euro për një periudhë shtatëvjeçare. Ose, nëse llogariten sipas granteve të shpallura nga IPA për Planin Ekonomik dhe Investues për BP në vlerë prej 9 miliardë euro – 1,62 miliardë euro për rajonin. Krahasuar me 600 miliardë euro në dispozicion të vendeve anëtare të BE-së për të njëjtat qëllime, diferenca është e madhe: për periudhën shtatëvjeçare ka 1342 euro për kokë banori të BE-së dhe 90 euro për kokë banori në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mekanizmat e zbatimit janë vendosur në nivel rajonal. Këshilli Rajonal për Bashkëpunim ka një rol kyç, me grupin e tij të punës për mjedisin jetësor që përbëhet nga përfaqësues të ministrive kombëtare përgjegjëse për mjedisin jetësor, si dhe grupi i biodiversitetit. Si mekanizma mbështetës janë identifikuar: Forumi i OJQ-ve, “Ditët e Agjendës së Gjelbër të Vetëqeverisjeve Lokale”, Platforma për Koordinim të Donatorëve, komuniteti i biznesit dhe të rinjtë. KBR do të duhet të koordinojë të gjithë këta mekanizma dhe të dorëzojë një raport vjetor.

Ndonëse shumëkush Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do ta quajë ambicioze, duke pasur parasysh nivelin e ulët të zbatimit në këtë fushë deri tani në rajon, shtrirja e saj është shumë më e shkurtër se Agjenda e Gjelbër Evropiane, që paraqet rrezik serioz për zgjerimin e mëtejshëm të hendekut midis BP dhe BE edhe në këtë drejtim.

Një problem tjetër është se as Plani, as lidhja e tij me Agjendën e Gjelbër Evropiane nuk janë mjaftueshëm të dukshme në nivel kombëtar. Sektori i OJQ-ve po përpiqet ta kompensojë këtë me më shumë presion mbi autoritetet kombëtare, por nevojitet mbështetje më e fortë qytetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button