Partitë politike hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës, ndërsa qytetarët e Shkupit “mbyten” në ajër të ndotur

Grimcat helmuese PM10 në ajrin e Shkupit, për të katërtën ditë radhazi mbi nivelin e lejuar, kryeqyteti i Maqedonisë sërish në listën e kryeqyteteve më të ndotura në botë, qytetarët po mbyten, partitë politike grinden se kush është fajtor për ajrin e ndotur, transmeton Portalb.mk.

“Shkupi është në listën e qyteteve më të ndotura në botë pasi qeveria nuk ka bërë asgjë për gjysmë dekade për ta ndryshuar atë. LSDM është 5 vjet në pushtet, dhe 5 vite nuk ka asnjë projekt me të cilin do të zvogëlohej ndotja e ajrit dhe do të përmirësohej cilësia e ajrit në Shkup dhe qytete të tjera. LSDM mundej si pushtet qendror, por nuk bëri asgjë për ta përfunduar gazifikimin. Aty ku u ndal projekti me Qeverinë e VMRO-DPMNE-së, aty është edhe tani. Nuk ka asnjë përparim. Nëse do të kishte gaz për amvisëritë në Shkup dhe qytete të tjera të mëdha, tani do të flasim për ulje të ndotjes së ajrit”, akuzoi VMRO-DPMNE.

Partia opozitare konsideron se gazifikimi është një nga faktorët kryesorë që do të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe qeveria e LSDM-së nuk është e aftë ta zbatojë atë.

“Prandaj duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qeveri e re që do të synojë realizimin e projekteve siç është gazifikimi i plotë i vendit. Vetëm me masa reale mund të përmirësohet cilësia e ajrit, por për këtë duhen ndryshime”, njoftuan nga kjo parti, e cila edhe në mandatin e saj nuk arriti të zbatojë gazifikimin e vendit të paralajmëruar prej kohësh.

LSDM-ja, hodhi akuza ndaj kryetares së re të Shkupit, Danela Arsovska, e cila paralajmëroi masa sistematike për uljen e ndotjes në kryeqytet, ndërsa filloi me futjen e transportit falas në NTP në përpjekje për të stimuluar të paktën një pjesë e shkupjanëve që të mos përdorin transportin e tyre po atë publik.

“Në vend se t’i rrisë fondet për mjedisin jetësor, kryetarja Danela Arsovska, i ka reduktuar wdhe atë për tre herë më pak. Ky është vetëm njl nga një varg vendimesh të gabuara të Danelës, që i shkakton dëme të drejtpërdrejta shkupjanëve. Arsovska në fushatën e saj premtonte investime në mjedisin jetësor dhe luftë kundër ndotjes së ajrit, por qytetarët shohin se nuk ka asgjë nga këto. Me këtë qasje të Arsovskës, Shkupi edhe për një kohë të gjatë do të jetë në krye të qyteteve më të ndotura në botë”, vlerëson LSDM.

Sipas ueb-faqes që ndjek ndotjen e ajrit, Shkupi dje ishte qyteti i shtatë më i ndotur në botë, kurse para tij ishin disa qytete nga India, Bangladeshi, Mongolia dhe Kina.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dje njoftoi se në disa lokacione të vendit është vërejtur prani enorme e grimcave PM10 në ajër, që automatikisht ka ndezur alarmin për gjendjen e përkeqësuar të ndotjes së ajrit.

Bëhet fjalë për tejkalim të pragut të alarmit në disa lokacione në Shkup – Qendër, Gazi Babë, Lisiçe dhe Rektorat, si dhe në Strumicë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button