RMV, qytetarët kërkojnë dënime për ndotësit dhe ujë të pijshëm të pastër në banesa

Monitorim më i shpeshtë i cilësisë së ujit të pijshëm, informim i drejtpërdrejt i popullatës për rezultatet e matjeve dhe sigurim të qasjes së barabartë në ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët në vend, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë të re dhe nëpërmjet mirëmbajtjes së asaj ekzistuese. Për kontroll dhe sanksionim më efektiv të ndotësve nevojiten inspektime të rregullta, si dhe edukim më i mirë i qytetarëve qysh në moshë të vogël për mbrojtjen e ujërave, transmeton Portalb.mk.

Këto janë disa nga rekomandimet e pjesëmarrësve në diskutimin me qytetarët “Ujë në dispozicion dhe i pastër për të gjithë”, të cilin e realizoi  Instituti për Politika Evropiane (IPE) në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit (ISK) në kuadër të fushatës “Kthjelle gjithçka“, njoftojnë nga Instituti për Studime të Komunikimit.

Pavarësisht nivelit relativisht të lartë të mbulimit me ujësjellës në vend, qytetarët, veçanërisht banorët e zonave rurale dhe periferike, përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë, të cilat ndodhin më shpesh në muajt e verës dhe zgjasin disa orë në ditë.

“Ata që furnizohen me ujë të pijshëm përmes puseve në mënyrë të pavarur, vetë-kontributeve dhe pishinave për kapje të ujit, gjatë verës kanë mungesë uji dhe presion të ulët të furnizimit dhe mbeten pa ujë të pastër të pijshëm”, thuhet në “Kthjelle gjithçka”.

Sipas pjesëmarrësve, problemi për qasjen dhe dispozicionin e ujit të pijshëm është për shkak të gypave të vjetër, defekteve dhe dëmtimeve në ujësjellës, si dhe shtimit të objekteve të reja dhe lidhjeve të paligjshme që i ngarkojnë rrjetet e ujësjellësve në qytete. Si problem ata vunë në dukje edhe menaxhimin e dobët të ndërmarrjeve publike dhe punësimin e kuadrove joprofesionale.

Ata vlerësojnë se paguajnë çmim më të lartë se ai real dhe se në disa vendbanime cilësia e ulët e ujit të pijshëm rrit edhe më shumë revoltën e banorëve, të cilët refuzojnë të paguajnë faturat e ujit.

Pjesëmarrësit në këtë aktivitet e vunë në dukje edhe ndotjen e ujërave sipërfaqësore. Vlerësojnë se ndërgjegjja dhe përgjegjësia e ulët individuale e qytetarëve, të cilët hedhin mbeturina, bërllok dhe mbeturina në lumenj, se objektet industriale ndotin nëpërmjet shkarkimit të drejtpërdrejtë të lëndëve të dëmshme dhe mbetjeve në lumenj, se minierat janë kërcënim potencial për ujërat sipërfaqësore nëpërmjet ndotjes së drejtpërdrejtë ose ndotjes së ujërave nëntokësore dhe se kërcënim potencial është edhe përdorimi i kimikateve në bujqësi.

Propozojnë ndërtim të impianteve të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese për trajtim të ujërave, si dhe hapje të qendrave të menaxhimit të mbetjeve të ashtuquajturat deponi  rajonale, të cilat do të trajtonin mbetjet që shpesh përfundojnë në lumenj dhe liqene.

Përveç diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin përgjigje në pyetjet e tyre nga ekspertja dhe aktivistja për mbrojtje të mjedisit jetësor Evgenija Krstevska. Sipas saj, nëse ndërprerjet e ujit të pijshëm zgjasin më shumë se 12 orë, ndërmarrjet komunale e kanë për obligim që gjatë asaj periudhe të sigurojnë ujë për popullatën me anë të cisternave apo çezmave mobile.

Krstevska e vuri në pah paradoksin në Ligjin për furnizim me ujë, sipas të cilit qytetarët duhet të paguajnë faturën e ujit, edhe pse uji i pijshëm nuk është i cilësisë së mirë ose përdoruesit nuk janë të kënaqur me cilësinë e tij. Nëse qytetarët kanë dyshime për cilësinë e ujit, mund të marrin vetë mostrat dhe t’i dërgojnë për analiza në institutet e shëndetit publik, kurse të drejtën për qasje në ujë cilësor të pijshëm mund ta realizojnë nëpërmjet procedurës gjyqësore, tha ekspertja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button