Tetovë, qytetarët propozuan projekte konkrete në debatin për buxhetin e vitit 2022 (VIDEO)

Me ftesë të Komunës së Tetovës, qytetarët morën pjesë në diskutimin për buxhetin e komunës për vitin 2022, i cili nesër do të jetë në rend dite në seancën e katërt dhe të fundit për këtë vit të këshillit komunal. Qytetarët parashtruan kërkesat e tyre dhe propozuan zgjidhje për problemet në qytet dhe më gjerë në komunë, mes të cilave u theksuan çështjet e ambientit, urbanizmi, kaosit në trafik, planet detale urbanistike, borxhi i komunës dhe të tjera, shkruan Portalb.mk.

Me ide dhe propozime të shumta, debati publik zgjati rreth tre orë ku qytetarët parashtruan kërkesat, propozimet dhe pyetjet e tyre për problematika të ndryshme, nga ku kryetari i këshillit komunal, udhëheqësit e sektorëve dhe kryetari i komunës dhanë përgjigje për çështjet e parashtruara.

Në mesin e problemeve të theksuara nga qytetarët ishin: ndërmarrjet publike të sqarojnë përpilimin e buxhetit të tyre, ndërtimi i stacioneve matëse të ajrit, shtegu për këmbësorë në anën e majtë të rrugës rreth Banjës së Tetovës, shfrytëzimi i fondeve evropiane më tepër, krijimi i fushatave edukuese për mbrojtje ndaj ambientit, krijimi i një salle fitnesi te njësia e zjarrfikësve, largimi i mbetjeve nga spitali modular dhe krijimi i një monumenti në nder të viktimave, rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbin si dhe trotuaret përreth tij, plani gjeneral urbanistik, planet detale urbanistike, plani detal urbanistik i Kodrës së Diellit, uzurpimi i pronave publike, digjitalizimi i komunës, qentë endacak, taksimi i kazinove me çmime më të larta, investimet kapitale, ndriçimi publik, rruga Veshallë-Brodec, borxhi ndaj komunës, stadiumi, pastrimi rreth stadiumit, përfshirja e personave me aftësi ndryshe, bllokimi i llogarisë së komunës, kontratat e punëtorëve, taksat dhe të tjera.

Propozimet e qytetarëve nuk mund të inkorporohen në propozim-buxhetin i cili do të votohet nesër në këshill, por nga komuna thanë se kërkesat do të merren parasysh kur do të bëhet rebalanci i buxhetit.

Theks i veçantë u theksua te borxhi i komunës, i cili është një pengesë shumë e madhe për komunën, pasi si shkak i kësaj llogaria e komunës momentalisht është e bllokuar nga 435 bllokada nga përmbaruesit, dhe nga kjo paguhen vetëm pagat e punëtorëve.

Nga ana tjetër, siç njoftoi kryetari i komunës, edhe borxhi i qytetarëve i tatimit në pronë është i lartë, gjegjësisht 5 milion euro. Kasami tha se kohëve të fundit ka rritje te interesimit të qytetarëve për të paguar të njëjtin.

Kasami tha se përmes këtij debati bashkë me udhëheqësit e sektorëve u përfshinë edhe idetë dhe zgjidhjet për problemet prioritare të qytetarëve.

“Para mbajtjes së seancës së Këshillit Komunal, unë dhe bashkëpunëtorët e mi u zotuam se gjithë këto ide dhe projekte të propozuara në këtë debat do të implementohen në buxhetin e komunës për vitin 2022. Buxheti participativ me qytetarët është shtyllë e transparencës dhe e politikave publike të përbashkëta për të cilën jemi përcaktuar përgjatë vitit të ardhshëm dhe gjatë gjithë mandatit”, tha Kasami.

Nga lista “Më mirë për Tetovën” shprehen se e vlerësojnë lartë këtë veprim të komunës që paraqet një hap shtesë në ngritjen e transparencës së komunës përballë qytetarëve.

“Në përpilimin e buxhetit komunal për vitin 2022, Lista “Më mirë për Tetovën” propozoi zvogëlimin e harxhimeve të panevojshme dhe ridestinimin e mjeteve për projekte që janë në interes për qytetarët”, thanë nga “Më mire për Tetovën”.

Në propozimi-buxhetin për vitin 2022 parashihen:

  • Të hyra të përgjithshme: 1.623.769.898 denarë
  • Të dalat e përgjithshme: 1.656.826.826 denarë
  • Deficiti: 33.056.928 denarë
  • Financimi: 33.056.928 denarë

Për më tepër në dokumentet e më poshtme mund të shihet propozim-buxheti në formë të detajuar:

Debatin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

Ndryshe, nesër do të mbahet seanca e katërt me radhë e këshillit komunal, ku pika e dytë e rendit të ditës është propozim-buxheti i komunës për vitin 2022. Rendin e ditës mund ta gjeni KËTU.

Rikujtojmë që borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës është mbi 24 milion euro, prej të cilave Komuna ka mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button