Top pesë dezinformatat për testet PCR në vitin 2021

Në vitin 2021, i cili ishte i mbushur me lajme të rreme në lidhje me Covid-19, përveç vetë virusit dhe vaksinave, u përhapën shumë dezinformata edhe për testet që zbulojnë koronavirusin. Testimi luan një rol kyç në trajtimin e pandemisë, sepse personat e infektuar që testohen dhe izolohen në kohën e duhur nuk e përhapin virusin te njerëzit e tjerë. Për këtë arsye që në fillim të pandemisë, OBSH bëri apel për testime masive dhe izolim në kohë të të infektuarve. Në vazhdim lexoni pesë dezinformatat kryesore që zbulojnë koronavirusin.

Shkruan: Simona Atanasovska, Vërtetëmatës

  1. Testi PCR do t’ju infektojë me virusin

Testet PCR të cilat prodhohen për të zbuluar nëse një person është i infektuar me koronavirus, nuk infektojnë me virus ata që testohen. Kjo është teori konspirative që është përhapur një kohë të gjatë, dhe ka frikësuar opinionin. Testi PCR, i cili përdoret në mbarë botën gjatë pandemisë Covid-19, është test molekular i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Testimi në fakt është marrje e tamponit thellë nga fyti dhe hunda, me shtupë pambuku, zgjat disa sekonda dhe është po aq i sigurt sa çdo tampon tjetër që të gjithë kemi bërë shumë herë më parë. Kjo mostër më pas dërgohet në laborator për testim në kushte të veçanta.

Këto teste janë të sigurta dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’ju dëmtojnë ose të infektojnë me virus, nëse nuk jeni tashmë të infektuar, dhe janë mënyra më e besueshme për të zbuluar nëse dikush aktualisht është i infektuar.

  1. Me testet dëmtohet barriera e trurit dhe vidhet ADN-ja

Një nga pretendimet më të zakonshme në lidhje me testet, që synon të trembë dhe të bëjë publikun të mos testohet, është se testet dëmtojnë barrierën e trurit dhe se ato vjedhin ADN-në!

Kjo nuk është e vërtetë. Sipas kësaj teorie, tamponi që futet në hundë, duhet të depërtojë në shtresa të shumta të indeve dhe të depërtojë në kockat dhe enët e gjakut për të arritur barrierën prej gjaku në tru. Megjithatë, kjo nuk ndodh gjatë testimit. Gjatë marrjes së tamponit, shkopi shkon në zonën ku takohen hunda dhe fyti, dmth në nazofaringë, ndërsa vështirësia e vetme është vetëm shqetësimi i pacientit.

Gjithashtu, nuk është e vërtetë që me tamponët vidhet ADN-ja. Nuk ka asnjë provë nga komuniteti mjekësor për këtë pretendim.

  1. Me testim vendoset çip

Një tjetër pretendim i përhapur është se me testimin PCR, vendoset mikroçip.

Testet molekulare, ose testet PCR, kërkojnë shenja të infeksionit aktiv dhe mostra e përdorur për këtë test është tampon, e cila merret thellë nga fyti me shtupë pambuku. Nuk ka asgjë tjetër përveç pambukut në këtë majë tamponi. Nuk ka asnjë provë që testi i koronavirusit ishte krijuar për të implantuar mikroçipe te pacientët.

  1. “Pjesërisht” na vaksinojnë me marrjen e tamponit 

Facebook ka publikuar pretendimet e rrejshme se deri tani përmes testimit për Covid-19, është kryer vaksinim i pjesshëm i popullatës përmes nano-grimcave në trurin e njeriut.

E vërteta është se testi për zbulimin e koronavirusit nuk është vaksinë nazale dhe nuk prek trurin. Në fakt, vaksinat nuk funksionojnë në atë mënyrë dhe nuk ka asnjë mundësi teorike për t’u vaksinuar përmes një tamponi të hundës dhe fytit.

  1. Testet janë helmuese dhe kancerogjene

Testi PCR është vetëm shtupë e thjeshtë plastike me një top pambuku sipër, e cila përdoret për të mbledhur mostra nga hunda dhe fyti dhe më pas për t’i përpunuar ato në laborator. Nuk përmban as helme dhe as nuk është kancerogjene, siç pretendojnë teoricienët e konspiracionit.

Kjo teori buron nga fakti se në disa nga paketimet e kompleteve të testimit, shkruhet “të sterilizuar në oksid etilen“, i cili është kancerogjen. Por, edhe pse është e vërtetë që ky kimikat përdoret në formë të gaztë për të sterilizuar tamponët e testit, sasitë e përdorura janë brenda kufijve të sigurt dhe janë “të testuar në mënyrë rigoroze dhe janë të sigurt për përdorim të rregullt”.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button