Filipçe: Nuk mundemi që për çdo variant të ri të vendosim kufizime nëse situata është e qetë

Nuk mund që për shkak të omikronit apo ndonjë lloji të ri të koronavirusit, të futen kufizime shtesë nëse situata nuk përkeqësohet, tha ministri në largim i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili ritheksoi qëndrimin se nuk ka nevojë për masa të reja, transmeton Portalb.mk.

Patjetër, thotë Filipçe, të mësohemi të jetojmë me virusin.

“Personalisht, konsideroj se as për variantin omikron, as për ndonjë lloj tjetër nuk duhet të vendosen masa kufizuese shtesë. Konsideroj se të gjitha vendet në botë duhet të mësojnë të jetojnë sipas rregullave të përgjithshme parandaluese dhe të rrisin shkallën e vaksinimit dhe kjo është mënyra për të dalë nga kriza. Ne nuk mund të vendosim masa kufizuese shtesë për çdo variant, pavarësisht nga karakteristikat, derisa situata nuk përkeqësohet. Mendoj se fakti që kërkohet vaksinimi i detyrueshëm, masat që hapsirat e mbyllura të mos mbingarkohen janë të mjaftueshme. Si dhe masat e udhëtimit. Jeta gradualisht po normalizohet, diku është normalizuar plotësisht dhe mendoj se këto masa parandaluese janë të mjaftueshme”, tha Filipçe.

Fakti që tani për tani nuk ka kufizime të reja, sipas ministrit nuk është barrë për pasardhësin e tij, Bekim Sali. Sipas tij, ai do ta marrë këtë resor me lehtësim të madh duke qenë se situata është e qetë dhe spitalet janë të zbrazëta.

“Fakti që nuk ka shumë pacientë është një lehtësim i madh. Imagjinoni të kishte numër të madh pacientësh dhe kovid-qendra të mbingarkuara. Tani qendrat kovid nuk janë të mbushura për shkak se nuk ka pacientë, nuk ka pranime as në qendrat e kovid në Shkup e as në mbarë vendin. Në një numër të madh të reparteve infektive praktikisht nuk ka të hospitalizuar, dhjetëra reparte infektive janë praktikisht të zbrazëta. Një pjesë e pacientëve të diagnostikuar dërgohen për mjekim në shtëpi pasi kanë pasqyrë klinike më të lehtë. Mendoj se situata është mjaft e qetë, por Komisioni patjetër do të vazhdojë ta monitorojë situatën, nëse ka nevojë, sigurisht që do të propozohen masa”, tha Filipçe.

Tani për tani nuk ka asnjë rast të ri me omikron përveç rastit të udhëtarit nga Britania e Madhe, ndërsa gjatë javës së ardhshme, siç ka paralajmëruar ministri, do të bëhet analizë shtesë nëse ka raste të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button