Qytetarët kërkojnë rikthimin e transportit publik në Tetovë, Komuna nuk përgjigjet

Autobusët e transportit publik të Tetovës gati tre javë qëndrojnë në parking, pasi i njëjti u ndërpre nga Komuna e Tetovës, siç thonë ata, për shkak të parregullsive të shumta në këtë ndërmarrje. Por se kur do të fillojnë përsëri këto autobusë të qarkullojnë në qytet, nga ndërmarrja publike “Tetova Transport” dhe Komuna e Tetovës nuk tregojnë. Qytetarët kërkojnë rikthimin e transportit publik, pasi ai sipas tyre lehtëson komunikacionin e sidomos tani që qyteti është më i ngarkuar me ardhjen e mërgimtarëve, shkruan Portalb.mk.

Në vetëm tre muaj e ca funksionim transporti publik i Tetovës u ndërpre tre herë, për të mos e ditur se kur do të fillojë përsëri, pasi nga NP “Tetova Transport” dhe Komuna e Tetovës nuk përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk.

Qytetarët nga ana tjetër, nuk mund të mësohen me mënyrën e funksionimit të transportin publik, pasi i njëjti vazhdimisht person ndryshime nga më të ndryshmet.

“Sa filluam të mësohemi, i ndalën prapë. Ose le t’i lëshojnë si duhet ose mos ti lëshonin hiç prej në fillim”, tha një qytetar.

“Kush i merr vesh çka bëjnë, “dil Jonuzi hyn domuzi”. Po është mirë ti lëshojnë tani sepse këto dit kanë ardhur edhe gurbetçarët dhe është shtuar trafiku”, shprehet një tjetër qytetar.

“Nuk ishte serioze që në fillim, u lëshuan pa pagesë, mandej nuk kishim informacione të mjaftueshme për mënyrën e funksionimit, oraret mungonin mandej edhe shitja e biletave ishte e tollovitur. Duhet të krijohet plan që të zgjidhen këto probleme dhe qytetarëve njëherë e përgjithmonë të ju sigurohet transporti, jo një javë të ketë një javë jo”, tha një qytetare.

Ndërprerja e transportit publik sipas Komunës së Tetovës u bë për shkak të kaosit, mungesës së sigurimit të punësuarve, shkaku se ndërmarrja nuk është e regjistruar dhe të punësuarit e ndërmarrjes NP “Tetova Transport” figurojnë si të punësuar në komunë, si dhe për shkak të parregullsive të shumta.

Në këtë ndërmarrje momentalisht si ushtrues detyre është emëruar ish këshilltari komunal, Rafiz Mejdia nga Lëvizja Besa.

Transporti publik i Tetovës, që nga lëshimi në funksion i saj vazhdimisht po përballet me sfida të ndryshme. Vetëm para dy muajve transporti publik ndaloi së funksionuari, arsyeja e ndërprerjes së katër linjave ishte ndërprerja e furnizimit me naftë nga pompa e benzinësMë pas u vendos që të funksionojë vetëm linja numër një. Pastaj përsëri u ndërpre dhe u lëshua përsëri në funksion. Ndërsa herën e fundit u ndërpre me 7 dhjetor.

Kasami para disa javëve tha se transporti publik është një nga shkeljet eklatante të menaxhmentit të kaluar.

“Ndërmarrja e transportit publik juridikisht është e themeluar, realisht nuk ka asnjë të punësuar dhe gjitha veprimet bëhen në kundërshtim me ligjet. Gjithë të punësuarit janë në komunë dhe funksionojnë në kuadër të ndërmarrjes, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse pres një raport të detajuar për të cilin do të informoj mediat.” tha Kasami.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button