ANALIZË: Ekonomia në vitin 2021, nga rimëkëmbja ekonomike deri te kriza energjetike

Ekonomia doli nga zona e recesionit. Rritje e importit dhe eksportit. Disa nga projektet infrastrukturore mbetën të “ngujuara”, por pas dy dekadash premtimesh, filloi ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë – lidhje strategjike me Kosovën, tregun tonë të rëndësishëm tregtar. Borxhi publik ka arritur vlerat më të larta. Qytetarët kanë luftuar me një valë çmimesh, qeveria shpalli krizë energjetike. “Portalb”-i i veçon ngjarjet dhe situatat që e shënuan vitin ekonomik 2021, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

PBB – ekonomia “doli” nga recesioni…

Tremujori i parë i vitit 2021 u mbyll me një rënie negative të PBB-së prej 1,8%. Por, në dy tremujorët e ardhshëm, ekonomia doli nga zona e recesionit – tremujori i dytë përfundoi me rritje prej 13,4%, ndërsa e treta me rritje prej 3,0%. Sipas parashikimeve dhe treguesve të deritanishëm – viti 2021 është vit i rimëkëmbjes ekonomike, ndërsa në vitin 2022 duhet të fillojë edhe procesi i stabilizimit ekonomik. Pas rënies së thellë të investimeve bruto vitin e kaluar, në fund të qershorit të këtij viti u regjistrua rritje prej 40,7%. Në zonën pozitive është si eksporti ashtu edhe importi.

Borxhi publik – “kulmi” në qershor…

Viti “post-Kovid” në të cilin borxhi publik dhe ai i shtetit arritën vlerat më të larta. Borxhi i shtetit, i cili filloi të rritet në vitin 2020, arriti kulmin në vitin 2021. Në qershor – në gjashtëmujorin ekonomik, borxhi publik arriti nivelin rekord prej 7,38 miliardë euro ose 63,1% të PBB-së, ndërsa borxhi i shtetit ishte në nivelin prej 6,41 miliardë euro ose 54,7% e PBB-së – të dyja vlerat në nivelin më të lartë historik.

Protestat e bujqve – kultivuesve të duhanit, vreshtarëve…

Viti që lamë pas ishte në shenjë të stabilizimit ekonomik – por megjithatë problematik për një kategori të caktuar qytetarësh. Që në fillim të vitit 2021, kultivuesit e duhanit dolën në protesta – protestuan në mes të sezonit të blerjes së duhanit, duke kërkuar ndalimin e blerjes së duhanit. Pikërisht kjo kërkesë e hapi dilemën nëse “politika” që në fillim të vitit 2021 ndërhyri në bujqësi. Në fillim të shtatorit protestuan edhe vreshtarët – duke kërkuar rritjen e çmimeve të blerjes, duke i akuzuar punishtet e verës – blerësit se taktizojnë deri në momentin e fundit. Protestuan edhe prodhuesit e orizit. Në protesta u vunë re përfaqësues të qeverisë, ndërsa disa nga problemet u zgjidhën edhe në kabinetin e Ministrit të Bujqësisë.

Investimi më i madh, tetor 2021

Kompania gjermane “WPD” do të ndërtojë një mulli me erë prej 415 megavatësh në hapësirën Kumanovë – Nagoriçan i Vjetër – Rankovcë – Kriva Pallankë, me vlerë rreth 500 milionë euro – me këtë fjali qeveria në tetor e shpalli investimin më të vlefshëm të huaj në vend. “Marrëveshja për investim strategjik me shtetin do të zgjasë 45 vjet. Mulliri i erës “Virovi” nuk do të përdorë asnjë tarifë preferenciale nga shteti dhe duhet të sigurojë energji elektrike për 290.000 familje. Investimi do të realizohet në faza.

Kriza energjetike, nëntor 2021…

Në fillim të nëntorit, qeveria shpalli krizë energjetike. Pas rritjes dramatike të çmimeve të energjisë elektrike në tregun botëror, dhe uljes dramatike të prodhimit vendas, qeveria shpalli gjendjen e krizës në sektorin e energjisë. Me këtë ajo mundësoi injektimin e 65.000.000 eurove në kompanitë shtetërore të energjisë MEPSO dhe ESM, të cilat “u fundosën” në probleme financiare. Qeveria krijoi terren për të transferuar paratë e buxhetit te këto kompani – por “hesapin” në ekonomi, megjithatë, dikush do të duhet të paguajë në fund. Qytetarët do të paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë.

Inflacioni dhe “çmimet e ngrira”, dhjetor 2021…

Në fillim të dhjetorit, u “ngrinë” çmimet e produkteve bazë ushqimore – buka, mielli, sheqeri, vaji për gatim, qumështi, mishi, ndërsa në listën e produkteve me çmime të “ngrira” më vonë u futën edhe vezët dhe orizi. Ky vendim ka pasuar pasi këto produkte kanë arritur “kulmin e çmimeve” – gjegjësisht një litër vaj luledielli tejkaloi çmimin prej 100 denarëve. Në nëntor u mat një nga përqindjet më të larta të rritjes së shpenzimeve të jetesës për 4,3% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2020. 

Rrugë të ndërtuara dhe të pandërtuara

Kaloi edhe një vit në të cilin autostrada e re Kërçovë-Ohër ka mbetur e bllokuar në probleme. Afati i ndërtimit përfundoi më 30 qershor – mirëpo ende nuk ka asgjë nga ndërtimi. Pasuan ndryshimet ligjore për zhbllokimin e këtij projekti infrastrukturor të nisur në vitin 2014. Në lindje, përfundoi ndërtimi i rrugës së shpejtë Shtip-Radovish në gjatësi prej 40 km. Pas gati 20 vitesh premtime politike – ka filluar realizimi i autostradës Shkup – Bllacë, strategjik për lidhje me Kosovën. Punimet ndërtimore janë duke u zhvilluar për pjesën e parë deri në pikën kufitare Bllacë me vlerë prej 14,2 milionë euro. E gjithë rruga është 12,5 km e gjatë, dhe seksioni i dytë do të financohet me kredi nga BERZH dhe me grant investimi nga VBIF.

Sipas ekonomistëve, viti 2021 ishte një vit i rimëkëmbjes ekonomike, por jemi ende larg situatës së vitit 2019, para fillimit të pandemisë. Sipas pritshmërive, stabilizimi ekonomik pritet nga viti i ardhshëm 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button