Mërgimtarët e Tetovës të shqetësuar për mbeturinat dhe kaosin në trafik

Dje në hapësirat e Komunës së Tetovës, me ftesë nga kryetari Kasami u mirëpritën mërgimtarët e po këtij qyteti. Mbeturinat, kaosi urbanistik, mungesa e ujit për pije, parkingu dhe të tjera mbeten probleme edhe për mërgatën, të cilët diskutuan rreth këtyre pikave. Ata njëkohësisht propozuan edhe zgjidhje konkrete për disa problematika si dhe i ofruan bashkëpunim komunës, shkruan Portalb.mk.

Problemet e përditshme të Tetovës, i jetojnë edhe mërgimtarët të cilët vijnë gjatë festave të fund vitit, ndonëse janë këtu për periudhë të shkrurtër kohore, problemet e qytetit i ndjejnë edhe ata nën lëkurë. Ata shprehen se me bashkëpunim mes tyre dhe komunës mund të zgjidhen disa nga problematikat e qytetit.

“Një ndër problemet më kryesore siç shihet është kaosi me vetura, parkingjet edhe besoj se është në problem që duhet të zgjidhet dhe nuk është se na pengon vetëm si mërgimtar por edhe qytetarëve këtu. Nuk është problem i lehtë, problem që është trashëguar dhe duhet të kontribuohet në këtë aspek. Ka edhe probleme tjera siç është ndriçimi që u diskutua edhe me kryetarin dhe mërgimtarët, këto janë ato problemet kryesore që kërkojnë normal kohë dhe ne si qytetarë duhet që këtë proces ta ndihmojmë e jo ta pengojmë. Edhe problem me mbeturinat duhet të zgjidhet”, tha një nga mërgimtarët që ishte në takim.

Një mërgimtar tjetër pjesëmarrës në takim, potencoi se punon si menaxher në një kompani e cila merret me kontejnerë dhe çështje të mbeturinave, nga ku propozoi për të zhvilluar projekt për problemin e mbeturinave.

“Ne jemi prodhues edhe lider në Evropë për kontejnerë nëntokësor, normal kemi edhe nëpër shtëpi, për selektimin e mbeturinave, prodhojmë kontejnerë, unë si menaxher jam edhe për këtë pjesën, pasi që jam edhe tetovar, dua që  kryetarit edhe krejt komunës t’i ndihmojmë  për ta zhvilluar një projekt dhe ta zgjedhim problemin e mbeturinave, për atë edhe isha në takim. Besoj që do të mund të gjejmë një rrugë për të zgjidhur këtë problem”, tha ai.

Sipas të parit të Tetovës, kërkesat e mërgimtarëve janë po ato kërkesa dhe problematika me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qytetarët e Tetovës.

“Kërkesat e mërgimtarëve janë edhe ata që janë kërkesa tona për një qytet më të mirë për të jetuar, që kanë të bëjnë me problemet e mbeturinave, ujit, rrugëve, parkimeve dhe të gjithë ato që ne ballafaqohemi çdo ditë. Ajo që ishte për t’u përshëndetur ashtu siç e kam deklaruar, e kam deklaruar  që plotë mërgimtarë kanë lidhje në komunat ku ata jetojnë dhe  janë qytetarët të respektuar andej, dhe ofruan mundësi të jenë urë komunikimi të Tetovës dhe qyteteve ku ata janë të vendosur për zgjidhjen e shumë problemeve që ne ballafaqohemi”, tha Bilall Kasami.

Ai shtoi se në bashkëpunim me mërgatën dale ngadalë këtyre problemeve të ju gjendet zgjidhje afatgjate.

Ndryshe, kthimi i mërgimtarëve çdo fund vit në vendlindje është shndërruar në traditë për ta dhe familjet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button