Rama nisi kuvendimin popullor, prezanton çështjet për të cilat do të pyeten shqiptarët

Në prag të një Viti të Ri, qeveria vendosi t’i japë jetë një nisme të re demokratike, duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, kryeministri Edi Rama tha këtë të premte se do të zhvillohet një kuvendim popullor, ku kërkohet mendimi i qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë, raporton Klan.

“Zotimi për ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm në drejtim të gjithë shqiptarëve pa dallim me besimin se ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë më shpejt përpara nëse e dëgjojmë më shumë njëri tjetrin pa u ndarë në llogoret e vjetra politike që nxisin përçarje, sherr, konfuzion, kundër interesit të familjeve shqiptare. Pikërisht në prag të një viti të ri mundësish të reja vjen edhe kjo nismë e re e qeverisë për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Ne me një pyetësor, të cilin do t’ua vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda apo jashtë vendit, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor, ku do të thithim mendimin e tyre mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, për shoqërinë tonë. Është më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara duke u këshilluar së bashku. Për vendime që kanë rëndësi dhe impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë me jashtë, në ekonominë e shtëpisë sonë, në gjendjen sociale brenda shtëpisë, patjetër edhe në përpjekjet jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte nismën për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij para gazetarëve tha se qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, do të pyeten për mendimin e tyre për disa çështje shumë të rëndësishme me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë tonë. Por cilat janë çështjet që renditi Kryeministri Rama.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe vetoja e Bullgarisë

Kryeministri Edi Rama foli për debatin brenda vendit për të vendosur më tej nëse aplikimi i Shqipërisë për në BE duhet të ndahet nga ai i RMV dhe të vlerësohet drejtpërdrejtë për meritat e tij ose të pritet për të ruajtur kohezionin në rajon.

“Ne duhet t’u drejtojmë shqiptarëve një pyetje për të formuluar një vendimmarrje strategjike. A duhet të vendosemi në pozitën e qartë në raport me të tjerët për të filluar dhe të kërkojmë drejtpërdrejtë dhe hapur ndarjen nga RMV në gjykimin e Benë rast se edhe gjashtëmujori i parë i vitit ku sapo po hyjmë do të rezultojë përsëri njësoj si koha e deritanishme dhe ne si Shqipëri do të mbetemi përsëri peng i vendimmarrjes për RMV-në”, tha Rama.

Ballkani i Hapur

“Pavarësisht bindjeve të mia dhe tonat si qeveri ka njerëz që besojnë se krijimi i Ballkanit të Hapur dhe kjo nismë në funksion të një hapësire të integruar rajonale është gjëja e duhur, por ka të tjerë që thonë që nuk i sjell përfitime Shqipërisë”, tha kryeministri.

Nënat me ndihmë ekonomike dhe me tre fëmijë ose më shumë

Pyetja që bëri kreu i qeverisë është nëse njerëzit janë gati që të adresojmë më tej çështjen e mbrojtjes së nënave me tre ose më shumë fëmijë edhe kur ato janë të punësuara.

Krimet ekstreme të dhunës në familje dhe kundër fëmijëve

“Duke pasur parasysh se një pjesë e opinionit kërkon ashpërsime ekstreme në dënimet e autoreve përsëritës të krimeve kundër personit, por përbën edhe një sfidë në raport me standarde të caktuara duam nga qytetarët opinionin e tyre”, tha Ram.

Të punësuarit në të zezë

“A duhet ne të angazhohemi për t’u dhënë mbrojtje të veçantë një dëmshpërblim ata që denoncojnë por janë subjekt i menjëhershëm i largimit nga puna për hakmarrje?

“Ne si shtëpi të angazhohemi për tu dhënë mbrojtje financiare në një periudhë të caktuar kohore apo është barrë në shtëpi dhe duhet adresuar në forma të tjera”, tha Rama.

Statusi i pensionistit që vazhdon të punojë

“A duhet që ndërkohë kontributet për pensionet janë domosdoshmëri për të rritur bazën dhe në të njëjtën kohë me krijimin e hap pas hapi të kësaj baze në zgjerim të rrisim pensionet? Ndërkohë që nga ana tjetër ka njerëz që thonë se pensionistët që vazhdojnë punën nuk duhet kërkuar kontributi”, u shpreh Rama.

Amnistia e plotë për të gjithë emigrantët që duan të formalizojnë kursimet e tyre

“Kjo është temë që përcakton pozicionin e Shqipërisë me partnerë ndërkombëtarë”, tha Rama.

Kultivimi dhe përpunimi i monitoruar i kanabisit për qëllime mjekësore

Pa e legalizuar për qëllime të tjera është instrument që shumë vende po e përdorin për të fuqizuar ekonomitë e tyre. Sot në Shqipëri që thonë që nuk është ende koha që Shqipëria të hyjë në këtë proces.

“Një ndër ta kam qenë dhe unë”, tha Rama. Megjithatë ai shtoi se nuk duhet të pritet më, por është një vendimmarrje që duhet edhe bindja e qytetarëve.

Pandemia: Vaksinimi i detyruar

“Ka një frustrim të madh të të gjithëve në të gjithë botën që po zgjat po bëhet e lodhshme ndërkohë që rreziku për jetën gjendet aty. Ka një lëvizje në botë, por edhe këtu kundër vaksinës. Ka plot njerëz që thonë që edhe Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që Shqipëria të vendosë certifikatën e vaksinimit kudo ku aksesojnë hapësira të përbashkëta, të mbyllura, por të tjerë thonë që kufizon liritë dhe të drejta. Na duhet të shkojmë përtej bindjes sonë, përtej kartonit dhe dua ta them është një vullnet edhe për të ndryshuar vetveten në një proces ku të gjithë mësojmë. Në një mandat të tretë që mënyrë domethënëse ndikon edhe mbi ne, edhe mbi mua, për të kuptuar më shumë për të dëgjuar më shumë dhe për t’i dhënë akses njerëzve përtej llogoreve të partive”, tha Rama.

Evazioni i biznesit të madh

“Është targetuar si një shfrytëzues, si një gogol. Tema është, biznesi i madh është në të njëjtën kohë dhe aktori më i madh në vite i evazionit fiskal dhe pavarësisht përmirësimit të sistemit që do vazhdojë ta ulë evazioni, janë jo pak njerëzit që kërkojnë që biznesmeni i madh kur bën evazion të goditet pa mëshirë, që do të thotë ashpërsim i konsiderueshëm qoftë i masave që çojnë në penalizime deri në humbjen e lirisë së biznesmenëve, qoftë tek gjobat ndaj tyre”, u shpreh Rama.

Programi kombëtar i pastrimit

“Dëgjojmë shumë që thonë se duhet të tregohemi shumë më të ashpër, por kjo nuk do të thotë që këta që e thonë këtë janë mazhorancë. Për këto masa ne kemi nevojë të flasim më shumë sesa në emër të shumicës dhe kartonit, kemi nevojë të dimë se çfarë mendon e gjithë shtëpia, duam t’i japim zë të gjithëve”, tha Rama.

“Është një kuvendim që nuk është detyrues për askënd dhe nuk është imponues mbi asgjë, është një këshillim, një odë e madhe shqiptare që duam ta themelojmë me hyrjen e Vitit të ri dhe ta kthejmë në institucion për çështjet më sensitive”.

Gjyqtarët që kalojnë Vettingun, por marrin vendime të paligjshme

“Gjyqtarët edhe prokurorët që nuk e kanë kaluar vetingun, por që marrin vendime haptazi të paligjshme, duhen të pezullohen nga sistemi i drejtësisë në vend. Po ju jap një rast sot për ilustrim, angazhohet qeveria e Shqipërisë për të ndërtuar Qendrën Kombëtare të Fëmijëve, një qendër e standardeve më të mira evropiane, me një teatër të ri kukullash, me skena të reja teatrore për fëmijët, përcaktojmë vendin tek ish-garda, marrim të dhënat e pronës, është e shtetit, bëjmë projektin, japim financimin dhe çfarë ndodh? Në momentin që ne jemi gati për të nisur punën na del një gjykatëse ka bërë sigurim padie mbi këtë pronë për një subjekt privat, i cili në të shkuarën i ka humbur të gjitha gjyqet me pretendimin që kjo pronë që është në hyrje të parkut të liqenit, është e tija. Rasti konkret është që kjo gjykatëse jep këtë vendim një javë para se të largohet nga vetingu. Këtu janë dy komponentë: E para: Kjo gjykatëse duhet të thirret nga SPAK sot, jo nesër, ashtu si duhet të thirren të gjithë që nuk e kanë kaluar vettingun sepse kanë pasur mospërputhje të pasurisë dhe këta njerëz duhet të shkojnë përpara gjyqit”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama thotë se sot në Shqipëri nuk ka dy parti. Sipas tij sot ka “një sistem disfuksional bravash, klithmash, shkelmash edhe konfuzioni publik të përditshëm”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve teksa prezantoi nismën për Këshillim Kombëtar, ai u shpreh se nuk ka ndërmend të humbasë kohë me Partinë Demokratike, e cila sipas tij nuk bën tot një proces të vetëm, “i vë bravën procesit edhe tjetri i nxjerr shkelmin për të thyer bravën”.

PS së bashku me PD kanë hequr të drejtën shqiptarëve të japin opinionin e tyre me referendum, përse duhet t’ju besojnë shqiptarët t’ju përgjigjen juve për të gjithë këto pyetje në këtë platformë? Apo thjeshtë për ta përdorur si justifikim për t’i përkthyer më pas në ligje.

Edi Rama: Nuk kemi nevojë për justifikime sepse ne kemi votat, kemi kartonët, dhe po të ishte për t’i bërë të gjitha këto, ato që ne mendojmë se duhen apo se nuk duhen, i kishim bërë, i kishim skartuar…

E dyta, përsa i përket që ne i paskemi hequr të drejtën njerëzve për referendum, edhe kjo mund të jetë një temë e këshillimit kombëtar, nëse njerëzit duan që të ndryshojë ligji për referendumet dhe për t’i marrë mendimin e tyre.

E treta, ju flisni për dy parti, sot nuk ka dy parti në Shqipëri aktualisht. Sot ka një sistem komplet disfuksional bravash, klithmash, shkelmash edhe konfuzioni publik të përditshëm. Për sa më takon mua, nuk kam ndërmend të humbas më kohë, asnjë minutë me këtë sistem. Më kanë besuar mua dhe PS një mandat të tretë dhe ne duam ta përdorim këtë mandat të tretë çdo minutë, çdo sekondë për të bërë më të mirë për shtëpinë e përbashkët. Dhe këtu le të thonë çfarë të duan, ky është një Këshillim Kombëtar. Kur ti merr përsipër të këshillohesh me një grup njerëzish nuk pyet se çfarë do thonë të tjerët, ne na duhet të këshillohemi dhe i ftojmë të gjithë të na japin opinionin e tyre, lirisht, nuk kanë asnjë detyrim dhe nuk është një proces ku do futemi me parti, e do fillojnë kontestimet dhe gjithë marrëzitë… Një parti e vetme këtu nuk bën dot një proces, një parti e vetme. Një parti e vetme nuk bën dot një proces, i vë bravën procesit edhe tjetri i nxjerr shkelmin për të thyer bravën. Llogariteni ne tani të përfshijmë gjithë dynjanë e të fillojmë nga e para, s’ka më nga këto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button