Andi Ismaili nga Gostivari është vetëm 13 vjeç dhe tashmë është dy herë kampion bote në kërcim modern

Andi Ismaili, i riu nga Gostivari, e fitoi titullin kampion i botës në balet modern në vallëzim solo, për juniorë, në Kampionatin Botëror për vallëzim modern bashkëkohor që u mbajt në Varshavë të Polonisë. Është suksesi i fundit i madh i talentit 13-vjeçar nga Gostivari, por edhe medalja e dytë e artë në këtë garë botërore, pas vendit të parë që e fitoi edhe në vitin 2019, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Andi është nxënës në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Gostivar dhe e ndau përvojën e tij nga Kampionati Botëror në Poloni, por edhe historinë e tij dhe të gjitha sukseset e tjera si balerin i ri.

Ka katër vite që kërcen dhe po aq kohë është anëtar i studios së kërcimit iDance. Baletin modern, për herë të parë e ka takuar në rrjetet sociale.

“Me balet modern fillova të merrem në vitin 2017. Karriera ime e kërcimit filloi rastësisht, gjegjësisht gruaja e dajës tim e çonte kushërirën time në ushtrime në studion “iDance”; një herë shkova edhe unë dhe nga ajo ditë fillova të merrem aktivisht me baletin modern. Dashuria për kërcimin më erdhi sepse në rrjetet sociale i ndiqja kërcimtaret e njohura Casey Rice dhe Lana Smolnikar”, rrefën Andi.

Kërcimi modern ka disa lloje, duke përfshirë akro, baletin modern, xhaz, teatër muzikor. Andi thotë se veten e gjen në baletin modern dhe në xhaz.

Me vetëm 13 vjet ky djalë i ri ka karrierë të pasur dhe disa suksese të mëdha prapa vetes. Përveç dy medaljeve të arta nga Kampionatet Botërore, në vallëzim modern bashkëkohor, që janë mbajtur në Poloni në vitin 2019 dhe 2021, ai na tregoi edhe për një vend të pestë në garat botërore, si dhe pesë herë vendet e para në garat kombëtare të zhvilluara në të gjithë vendin.

Sivjet në garën kombëtare në Shkup u shpall balerini më i mirë mashkull.

Në Poloni, thotë ai, i ka takuar dhe i ka njoftuar kërcimtarët më të mirë nga e gjithë bota. Atje kanë marrë pjesë përfaqësues nga 22 vende të botës. Koreografia me ë cilën fitoi ishte vepër e koreografit të njohur slloven Jan Ravnik, i cili jeton dhe punon në Los Anxhelos.

Nga Asociacioni i vallëzimeve moderne i Maqedonisë (AVMM) thonë se organizimi i përgjithshëm i kampionatit ishte në nivel të lakmueshëm dhe se Andi kishte konkurrencë të fortë.

Andi thotë se do të vazhdojë të merret me balet modern, ndërsa ardhmërinë e tij e sheh në Hollywood. Është gjithashtu pjesë e filmit “Breakfree”, ku e luan rolin kryesor.

“Baletin modern e dua shumë dhe do të vazhdoj të ushtroj. Kam incizuar edhe një film në të cilin luaj rolin kryesor. Filmi quhet “Breakfree” dhe ju rekomandoj ta shikoni, sepse tema e filmit është “bullizmi” dhe ndërhyrja e prindërve në profesionin e fëmijës. Shpresoj që një ditë të arrij në Hollywood.”

Prindërit e Andit gëzohen për suksesin e tij. Babai i tij, Faton Ismaili, thotë se është krenar për çdo arritje të re të Andit. Megjithatë, ai beson se talenti i Andit nuk njihet sa duhet në vendin, të cilin ai përfaqëson në garat botërore.

Përvojën nga Polonia, ku e ka mbështetur Andin, ai e cilëson si të jashtëzakonshme, por edhe të rëndë, sepse gjithë mundin dhe shpenzimet i kanë bartur vetë, siç thotë, pa asnjë mbështetje nga institucionet kompetente.

“Duke filluar nga koreografia, kostumi, regjistrimi në Kampionatin Botëror, përgatitjet, shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, të gjithë këto i kemi mbuluar vetë si prindër”, sqaron Fatoni.

“Mendoj se talenti i Andit nuk njihet dhe vlerësohet sa duhet. Fatkeqësisht, vendi ynë nuk i ofron asgjë, prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente, duke filluar nga Qeveria, Ministria e Kulturës, si dhe Agjencia për Rini dhe Sport që të mendojnë nëse ky talent, i cili  për të dytën herë është kampion bote, duhet të lihet jashtë të gjitha privilegjeve që i takojnë kur e përfaqëson vendin tonë”, apelon Faton Ismaili.

foto: Asociacioni i vallëzimeve moderne i Maqedonisë (AVMM)
foto: Asociacioni i vallëzimeve moderne i Maqedonisë (AVMM)

Nga studioja “iDance” e Gostivarit, ku Andi është anëtar, thonë se talentin e tij e kanë njohur qysh në fillim. Të punosh me të është e lehtë thonë, sepse është i vetëdijshëm që nëse nuk e zhvillon talentin dhe nuk punon çdo ditë, nuk do të arrijë rezultatin që e dëshiron.

Për të vallëzimi është jetë dhe vallëzimin e jeton çdo ditë, thonë trajnerët e tij Sarita Selmani dhe Vullnet Neziri.

“Andi erdhi tek ne në vitin 2017 dhe që në ditën e parë që filloi të lëvizte, vumë re se ishte talent i jashtëzakonshëm. Ndonëse kur erdhi tek ne, ishim në fund të sezonit, e lejuam të merrte pjesë në koncertin e Vitit të Ri, me ç’rast brenda një kohën të shkurtë që e kishte në dispozicion për përgatitje, si dhe duke pas parasysh se ishte performanca e tij e parë edhe atë në moshën nëntë vjeçare, ai ishte i përsosur dhe nuk la askënd indiferent. Ishte momenti kur kuptuam se ai ishte i lindur për të qenë në skenë dhe synimi ynë ishte dhe ende është që ta vërejnë njerëzit e duhur, që gjithë ai talent dhe përpjekje të orientohet në drejtimin e duhur”, thanë nga iDance Studio.

Nga kjo studio e kërcimi shtojnë se interesimi për vallëzim modern në vend po rritet, sikurse që po rritet numri i fëmijëve të talentuar, të cilët po përparojnë dhe i po përkushtohen seriozisht kërcimeve moderne.

Bashkëpunimi me Andin do të vazhdojë.

“Ne jemi këtu për të mbështetur Andin që ai të përmbush ëndrrën e tij, ndërsa ai është frymëzim për të gjithë fëmijët në vend. Është dëshmi që nëse je këmbëngulës dhe beson në atë që e dëshiron, mund ta pushtosh botën, qoftë nga një metropol apo nga një qytet i vogël si Gostivari”, thonë trajnerët në “iDance”.

Suksesi i Andit nuk ndalet me kaq. Të riun nga Gostivari e presin edhe shumë gara, paraqitje kombëtare dhe botërore. Dhe derisa të arrijë ndihma dhe njohja nga shteti, prindërit dhe trajnerët e tij thonë se do të jenë gjithmonë aty për ta mbështetur dhe për t’u krenuar me sukseset e tij

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button