Komente: Zaev do të mbahet mend për përparimin në rrugën euroatlantike

Marrëveshja e Prespës, orientimi euroatlantik dhe përforcimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë disa nga elementet kyçe për të cilat do të mbahet mend kryeministri në ikje, Zoran Zaev, i cili u tërhoq nga pozita e tij, ndërsa dorëheqja e tij dje u konstatua edhe në Kuvend. Personalitete të fushave të ndryshme kanë thënë për Portalb.mk, se Zaev do të mbahet mend edhe me atë se i dha fund regjimit të Gruevskit dhe ndryshimin e ambientit në diskursin publik, duke krijuar kushte për mendim të lirë publik pa frikë. Po ashtu, sipas tyre, relaksoi marrëdhëniet ndëretnike në vend, të cilat paraprakisht jo rrallëherë tensionoheshin dhe eskalonin edhe në dhunë fizike.

Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis
Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis

Bardhyl Jashari – drejtori i Fondacionit Metamorfozis

Do e mbajmë mend si njeriun që i dha vendit shumë shpresë por edhe të njëjtat na i shuajti. Na dha shpresë sepse pas një kohe të gjatë e hoqi Maqedoninë nga kthetrat e nacionalizmit dhe politikave që e mbanin vendin e izoluar, ndërsa na i shuajti sepse nuk arriti të përballet dhe ta çrrënjosë korrupsionin sistemor qe ka kapluar shtetin në të gjitha nivelet.

 

 

Besa Arifi

Besa Arifi – profesoreshë universitare

Zoran Zaev do të mbahet mend si njeriu vizionar që i dha fund regjimit te Gruevskit, e zgjodhi problemin tridhjetëvjeçar me emrin përmes Marrëveshjes së Prespës, e integroi shtetin në NATO dhe barti përgjegjësi në humbjen e parë që pësoi në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Zaev do të mbahet mend si kryeministri që i dha fund praktikës së keqpërdorimit të tensioneve ndëretnike për të realizuar qëllime të ngushta politike. Gjatë kohës së tij marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë të relaksuara dhe të bazuara në mirëkuptim të ndërsjelle. Zaev do të mbahet mend për qasjen e hapur si kryeministër me të cilin gjithkush mund të kontaktonte dhe gjithkush mund t’i shprehte mendim kritik. Zaev nuk ka qenë politikan tipik për këtë shtet dhe standardet që ai i ka vendosur në politikë bërjen në RMV e kanë ndryshuar rrënjësisht perceptimin lidhur me mënyrën e udhëheqjes së shtetit.

Petar Arsovski
Petar Arsovski

Petar Arsovski – analist politik

Përkrah përfitimeve të dukshme, NATO, Marrëveshja e Prespës dhe përparimi drejt integrimeve evropiane, mendon se Zaev do të mbahet mend për ndryshimin e ambientit të lirë në diskursin publik, i cili u shndërrua nga presioni dhe autocensura e mediave, në mendimin e lirë kritike dhe kritikë të pushtetit pa frikë. Ajo, kuptohet, vjen edhe me çmim politikë, që Zaev e paguan tani.

 

 

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Selim Ibraimi – kolumnist

Dështimi në zgjedhjet lokale vetëm një rast që largohet me nder dhe të mos marrë përgjegjësi më tej rreth përfundimit të çështjes me Bullgarinë dhe parandalimit të korrupsionit. Çështja tjetër është vazhdimi i rrënimit të shtetit edhe ashtu të munguar ligjor në Maqedoninë e Veriut ku qeveria ka pasur rol vendimtar në rastet gjyqësore dhe uljes së rejtingut në masë nga veprimet jo stabile të tij gjatë mandatit të parë rreth rasteve të montuara nga koha e Gruevskit, gjegjësisht të mos mbajtjes së premtimeve. Në politikën e jashtme, hidhërimi i tij me BE-në është kryesori që ka ndikuar në dorëheqjen e tij se debakli në zgjedhjet lokale. Anëtarësimi në NATO dhe MP që erdhën pas mbështetjes së jashtme dhe të brendshme mund të konsiderohen si suksese të përgjithshme dhe ku vetë ai ka ruajtur disa sfera të interesit por më tepër atë të shtetit dhe identitetit maqedonas. Tash ai duhej të gëzohej me të gjitha këtë vepra , megjithatë mungesa e politikave për ti shtyrë proceset mbeten mangësitë e tij për të qeverisur më mirë dhe për të qenë i përgjegjshëm. Dy tiparet e fundit atij dy vitet e fundit i kanë munguar. Ai do të mbahet mend edhe për lojën me opozitën shqiptare dhe përqafimet me liderin e BDI-së Ali Ahmeti ish aleatin e dikurshëm të Gruevskit pro rus. Ai e la MV në mes të rrugës me një qeveri e cila duhët të votohet në janar të 2022 dhe që si dihet fati. Ka pasur disa veti që kanë ndikuar që të perceptohet politikan i moderuar, por ndikimi i Serbisë në MV ende vazhdoi të mbetet temë qendrore edhe gjatë qeverisjes së tij. Në fund, ikja e Zaevit është mund të konsiderohet e ndershme sa qëndrimi i mëtejshëm pa efekte, ashtu njëjtë siç e shohim tek klasa politike shqiptare.

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti – profesor universitar

Zoran Zaevi do mbahet mend në histori si personi që kreu dy mission impossible, Marrëveshjen e Prespës dhe ëndrrën NATO; si njeriu dhe politikani që me maniret e veta të tolerancës relaksoi marrëdhëniet ndëretnike, që dha kontribut në jetësimin e frymës së MKO-së, por që nga ana tjetër tek maqedonasit etnikë gjithnjë e ka bartur vulën e ‘katundarit nga Murtino’, të cilin elita apo klani i Shkupit kurrë nuk e ka pranuar si egal me të. Në taborrin shqiptar shpesh ka bërë koalicionime joprincipiele, por megjithatë mbetet figurë e hapur, më pozitive se disa kryeministra pararendës. Në aspekt të luftës kundër korrupsionit s’mund të thuhet se ka pasur sukses, madje akuzohet për përfshirje në të (familja). S’i falen dështimet në infrastrukturën rrugore. Regjistrohet në anale me prurjen kryesore: krijimin e atmosferës pozitive, ndryshimin e diskursit, kalimin e tij nga ai etnik në atë qytetar.

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani – kolumnist

Zoran Zaevi do të mbahet mend si kryeqeveritari që pati guximin ta nënshkruajë  Marrëveshjen e Prespës dhe që ia doli ta bëjë Republikën e Maqedonisë së Veriut pjesë të NATO-s. Të tjerat i kemi parë edhe te kryeqeveritarët paraprarendës. Siç e dimë, ai erdhi në pushtet pas publikimit të bisedave të përgjuara të politikanëve të korruptuar e të përzier në afera turlifare, duke premtuar se gjatë pushtetit të tij fajtorët do të përgjigjen për dëmet që ia sollën vendit. Për këtë e ndihmuan me vota edhe shqiptarët, të cilëve u premtoi se do të zbardhë edhe rastet e montuara që kanë mbushur burgjet me njerëz të pafajshëm, përfshirë këtu edhe rastin e paralajmëruar shumë më herët se të ndodhë të Kumanovës, por nuk bëri asgjë prej gjëje, hiq gjykimet qesharake të disa ish pushtetarëve, të mbetura me vite pa epilog. Të pambyllura mbetën edhe gjykimet e ideatorëve dhe realizuesve të sulmit kriminogjen të Kuvendit të RMV, me çrast u lëndua dhe vetë kryeministri dhe u torturua shtazërisht deputeti Zijadin Sela. Z. Zaev bëri premtime të bujshme edhe për rritjen e standardit të jetës së qytetarëve, për hapjen e vendeve të reja të punës, për rrogat mesatare prej 500 eurosh…, por s’doli gjë edhe prej tyre. Për hir të së vërtetës duhet thënë se, sado që z. Zaev është munduar të tregohet më korrekt ndaj shqiptarëve, pikërisht në këtë pikë ka rëshqitur shpesh dhe ka bërë deklarata skandaloze, që në fillim të mandatit të tij të parë si kryeqeveritar. Më lejoni të përmend me këtë rast intervistën që ua dha medieve serbe, vetëm dy ditë pas ngjarjes së përgjakshme në Kuvendin republikan, me ç’rast z. Zaev tha: Në Kosovë është historia e Serbisë, atje është zemra e Serbisë… Me këtë ai dëshmoi se është politikan me trajektore të lëkundshme mendimesh, të cilat i ndryshon në varësi të situatave në të cilat ndodhet.

Sefer Selimi

Sefer Selimi – analist politik

Thuajse se 5 vite në krye të qeverisë, Zoran Zaev do të mbahet mend për shumë gjëra që e karakterizuan qeverisjen e tij të bujshme. Më së shumti do të ngelet në kujtesën e qytetarëve forma me të cilën ai mori pushtetin dhe këtu përfshirë edhe fushatën me ‘’bombat’’ për krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë në qeverisjen e Gruevskit por edhe për transferin e dhunshëm të pushtetit në Prill të vitit 2017. Në aspektin e politikës së jashtme, Zaev pati sukses shumë më shumë se sa në politikën e brendshme. Dy marrëveshjet me fqinjët Bullgarinë dhe Greqinë, e kthyen Maqedoninë e Veriut në epiqendër të vizitave ndërkombëtare, nivele përfaqësuesish të cilët vendi ynë nuk i kishte parë që nga pavarësia. Ndërkohë që në politikën e brendshme, sfidat të cilat i trashëgoi nga qeveria e shkuar nuk arriti që ti zgjedh, dhe këtu më të spikatura ngelen aferat e ndryshme korruptive, vazhdimi i partizimit të administratës publike, nivele të ulëta të investimeve kapitale etj.

Për dorëheqjen e Zaevit kanë shkruar media të ndryshme ndërkombëtare me ndikim, ndërsa e kanë komentuar edhe përfaqësues të institucioneve të BE-së.

Josep Borrel – Përfaqësuesi i Lartë i BE-së

Kryeministri Zoran Zaev ka dhënë një shembull në rajon me Marrëveshjen e Prespës, duke konsoliduar marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ishte mirë të punoja me ju. Mezi pres përparimin e mëtejmë të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, në të cilën ju e keni ankoruar vendin, me qeverinë e re.

Thijs Reuten – eurodeputet holandez

Zoran Zaev faleminderit për lidershipin tuaj dhe gjithçka që keni bërë për vendin tuaj dhe për Evropën. Ne do të vazhdojmë të punojmë me njerëzit tuaj të mrekullueshëm për një flamur të begatë të ardhmërinë e flamurit Evropian për flamurin e Maqedonisë.

Tanja Fajon – eurodeputete sllovene

Kryeministri Zoran Zaem me Marrëveshjen e Prespës ka qenë shembull për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe miqësinë. Do t’i vazhdojmë përpjekjet e qeverisë suaj në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, ka shkruar Fajon në Twitter.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button