Vetëqeverisje lokale me ndjeshmëri gjinore për energji të re në decentralizim

Aktualisht ka vetëm dy gra kryetare komunash në Maqedoni dhe ky është një numër dëshpërues, theksoi dje kryetarja e Qytetit të Shkupit dhe kryetare Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Danela Arsovska në fjalimin e saj në panelin “Vetëqeverisje lokale e ndjeshme gjinore”, që ishte pjesë e Konferencës vjetore për decentralizimin dhe menaxhimin lokal në organizim të UNDP, transmeton Portalb.mk.

Duke e kujtuar fushatën elektorale gjatë zgjedhjeve lokale, ajo tha se nuk është për t’u habitur që numri i grave kryetare komunash është zvogëluar, meqenëse gratë në pozita të larta dhe me përgjegjësi janë objekt i sulmeve.

“Nëse diçka nuk ndryshon në këtë fushë, nuk do të ketë femra në pozita të larta drejtuese. Prandaj, u bëj thirrje që ta mbështesni çdo grua e cila aktualisht është objekt i sulmeve, e cila vazhdimisht degradohet. Kjo nuk do të ndryshojë derisa ne të gjithë nuk ngrihemi për t’i mbrojtur ato gra”, tha Arsovska, duke shtuar se sjellja e tillë nuk duhet të lejohet në asnjë shoqëri demokratike.

“Jo, për dhunën ndaj grave në jetën publike, duhet të vlejë për secilën grua në Maqedoni”, theksoi kryetarja e qytetit.

Arsovska në konferencën dyditore, e cila këtë vit është në temën “Energji e re në decentralizim: me gjitha forcat drejt zhvillimit të qëndrueshëm“, tha se fokusi i punës së BNJVL-së do të jetë vazhdimi i negociatave me pushtetin qendror për paketën e ndryshimeve në lidhje me sigurimin e stabilitet më të madh financiar të pushtetit lokal, marrjen e kompetencave të reja dhe ndryshime në strukturën organizative të funksionimit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Pjesëmarrësit në konferencë, në të cilën u prezantua Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm Lokal dhe Decentralizim 2021 – 2026 dhe instrumentet e reja për financimin e komunave nga buxheti qendror, konstatuan se zhvillimi lokal është pjesë përbërëse e progresit të shtetit dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, prandaj të gjithë aktorët duhet të punojnë së bashku për të krijuar komuna më të forta.

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale pat një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, me program të ri për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim, me strategji të re për zhvillim rajonal, me ligj të ri për zhvillim të balancuar rajonal. Kemi financuar 152 projekte në rajonet e planit dhe komunat në vlerë prej shtatë milionë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm për këtë qëllim, në Buxhet, janë planifikuar dhjetë milionë euro me çka vazhdon trendi i rritjes së vazhdueshme të mjeteve për zhvillim të balancuar rajonal që realizohen përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Byrosë për Zhvillimi rajonal”, tha Zoran Dimitrovski, zëvendësministër për vetëqeverisje lokale.

Për gati dy dekada, PNUD-i ka qenë Partner i besuar i komunave dhe qendrave për zhvillim rajonal nëpërmjet zbatimit të projekteve për mbështetje të proceseve për zhvillim të balancuar dhe decentralizim.

“Projektet të cilat i kemi realizuar vitet e kaluara, në bashkëpunim me partnerët tanë nga pushteti lokal dhe qendror, me mbështetjen e donatorëve, kanë kontribuar pa mëdyshje në krijimin e komunave dhe këshillave komunale më të forta, më transparente dhe më të përgjegjshme, përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes, përgatitjes së dokumenteve për projekte të rëndësishme infrastrukturore në nivel lokal dhe mjete më efikase për arkëtimin e taksave lokale”, tha Armen Grigorjan, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button