fbpx

Vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” u fillua gjatë fushatës parazgjedhore, sot është shndërruar sërish në parking

Pas pothuajse tetë viteve në gjendje të pandryshuar, pak para zgjedhjeve lokale të tetorit, u shënua fillimi i punimeve për vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska”. Sot, pas katër muajsh punët janë lënë në gjysmë duke shndërruar kështu bulevardin sërish në parking, dëshmojnë pamjet nga terreni. Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se i ndjekin punët, por pa dhënë detaje tjera, shkruan Portalb.mk.

Vetura të parkuara dhe mjete ndërtimore janë elementet që shihen në “Bllagoja Toskë” e cila është lënë në gjysmë.

Punët për vazhdimin e këtij Bulevardi prej rreth 460 metra, nga pjesa ndër spitalin deri te Shkolla Tekstile, filluan me 27 gusht të këtij viti dhe duhej të përfundonin në afat prej 90 ditëve, por aty është punuar vetëm disa metra, vetëm deri te ura.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Për tu ndërtuar ky bulevard duhej të rrënoheshin disa shtëpi, por ka shtëpi në të cilat ende nuk janë prishur, madje aty ende jetojnë familje.

I pyetur për këtë bulevard, kryetari aktual i Tetovës tha se është projekt i cili realizohet me mjete nga programi TAV.

“Ne nuk jemi të përfshirë direkt aty, thjesht i ndjekim punët. Aty kontraktori punon sipas planit”, tha Kasami.

Ndërkaq, Portalb.mk dërgoi edhe pyetje shtesë për këtë bulevard deri te Komuna e Tetovës, deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje, për të njëjtën nga komuna njoftuan se do na përgjigjen.

Kështu duket ky bulevard sot:

This slideshow requires JavaScript.

Rikujtojmë se nën dyshimin se po kryhen pa standard, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kërkoi nga sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrës të pezullon punimet pas disa ankesave, duke paralajmëruar që do të shqyrtohen tenderët, dhe do të ketë një raport për të gjitha punimet infrastrukturore, rrugët, rrjetet e kanalizimit dhe rezervuarët e ujësjellësit.

Sipas raportit të marrë në lidhje me realizimin e punimeve infrastrukturore, Kasami tha se bëhet fjalë për shkelje të rënda edhe të bazës ligjore.

“Për të njëjtat komisioni është duke përpunuar raportin dhe për këtë në ditët në vijim do të njoftoheni detajisht për të gjitha gjetjet që janë në bazë të analizës që është bërë edhe në teren por edhe të dokumentacionit nga komisioni. Shkeljet janë ligjore. Sipas informatave që kemi bëhet fjalë edhe për shkelje të afateve ligjore të Kodit Zgjedhor, që nënkupton mos nisjen e punimeve brenda afatit ligjor, ka edhe shkelje të procedurës së tenderimit.” tha Bilall Kasami.

Mirëpo sa i takon “Bllagoja Toskës”, Kasami nuk ka dhënë ndonjë detaj konkret.

Gjatë periudhës parazgjedhore, Kasami vazhdimisht ka përmendur hapjen e bulevardeve si zgjidhje për kaosin urbanistik, ndër to edhe “Bllagoja Toskën”, që sipas tij pushteti i kaluar në vazhdimësi i ka premtuar dhe nuk i ka realizuar.

Në programin e tij për menaxhimin me Tetovën, kryetari Bilall Kasami te pjesa e urbanizmit, gjegjësisht si zgjidhe për probleme e adreson edhe vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska”.

“Lëvizja Besa do të angazhohet për ndërtimin dhe meremetimin e infrastrukturës së dobët. Prioritet: hapja e tre bulevardeve si “arterie” kryesore të qytetit: Bulevardi “Qendër-Ilinden”, vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe bulevardit “Vidoe S. Bato”, thuhet në Programin Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të Kasamit.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës… por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë.

Ky bulevard u promovua disa herë gjatë mandatit 8 vjeçar të Tetua Arifit si e para e Tetovës, madje për herën e fundit shumiaca a integristëve u mblodhën për të promovuar të njëjtin, i cili ende sot është në gjendje të mjerueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button