Pas dorëheqjes së Zaevit, ka filluar rrjedhja e afateve kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re

Pas katër vite e gjysmë në krye të Qeverisë, Zoran Zaev dha dorëheqjen si kryeministër. Dorëheqja e tij u konfirmua dje nga Kuvendi, kurse më pas iu dërgua edhe njoftimi zyrtar presidentit të vendit, me çka filloi edhe rrjedhja e afateve kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i shtetit është i detyruar që në afat prej dhjetë ditësh, të dorëzojë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

Presidenti Stevo Pendarovski pret që dorëzimi i mandatit të bëhet javën e ardhshme. Ai në intervistën e mbrëmshme për televizionin Kanal 5 tha se i duhet edhe letër nga partia që ka shumicën, që të mund të japë mandatin.

“Më duhet edhe një letër tjetër, kujt t’ia jap mandatin. Nuk mund ta marr me mend, duhet të marr  letër nga një parti apo parti tjera që duhet të thonë ne kemi këtë shumicë dhe këtë mandatar. Unë nuk mund t’ia jap mandatin LSDM-së, duhet ta di se kujt ia jap si person”, tha Pendarovski.

Sipas kontakteve të vazhdueshme, kreu i shtetit pret që dorëzimi i mandatit të bëhet të martën ose të mërkurën e ardhshme.

“Sipas kontakteve të të dy kabineteve, mendoj se kjo do të ndodhë gjatë javës së ardhshme, jo vetëm se afatet po rrjedhin, por mendoj se disa procedura partiake anë paralajmëruar për të hënën mbrëma, në të cilën do të definohet dhe ndoshta të mërkurën ose të martën e ardhshme do të mund të hyjmë në një procedurë të tillë – dorëzimin e mandatit, mandatarit”, tha Pendarovski.

Pas marrjes së mandatit, kryeministri i ri në afat prej 20 ditësh, në Kuvend do të duhet të paraqesë program dhe të propozojë përbërjen e qeverisë, kurse qeveria e re do të zgjidhet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Për kryeministër pritet të propozohet lideri i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili pas marrjes së mandatit, në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm në Kuvend duhet ta dorëzojë programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Presidenti Pendarovski thotë se Kovaçevski është i panjohur në politikë sepse nuk ka qenë në pozita më parë, por konsideron se duhet t’i jepet shans.

“Duhet t’i jepet shans, është fakt që ka përvojë të pasur akademike, ka vite e vite përvojë partiake në LSDM, aty e njohin. Mendoj se ka lidhje me grupacione të ndryshme që ekzistojnë. Mendoj se ka një pikënisje të mirë”, tha shefi i shtetit për Kanal 5.

Dorëheqja e kryeministrit aktual Zaev u konfirmua në seancën e djeshme parlamentare pasi pardje e dorëzoi në Kuvend. Zaev dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale në të cilat partia e tij pësoi humbje të madhe. Sipas tij, dorëheqja është hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe është shprehje e përgjegjësisë për rezultatet e zgjedhjeve.

Zaev, i cili së fundi u largua edhe nga pozita udhëheqëse në LSDM, të cilën e drejtoi që nga viti 2013. Funksioni e të parit të qeverisë e ka ushtruar nga 31 maji 2017, kurse mandatin e dytë si kryeministër e fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar.

Aleanca për Shqiptarët dorëheqjen e Zaevit e vlerësoi si të vonuar.

“Dorëheqja e Zaevit tashmë është e vonuar dhe vetëm tregon se ai ka dhënë dorëheqje kur gjendja e tij personale nuk është e mirë, e jo kur shteti dhe qytetarët nuk janë në gjendje të mirë. Për fat të keq ka një kohë të gjatë që shteti dhe qytetarët nuk i kanë punët mirë. Sidomos pas dy tragjedive, atë të spitalit modular dhe aksidentit në Bullgari për të cilat nuk kemi ende asnjë përgjegjës dhe askush nuk e bart përgjegjësinë”, tha dje. koordinatorja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Ilire Daute.

Për shkak të dorëheqjes së Zaevit, me të cilën e gjithë Qeveria është në dorëheqje, dje nuk u mbajt seanca për pyetje deputetësh.

Shpjegimi i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi ishte se nuk mund të mbahet seancë për pyetjet deputetësh, pasi Qeveria është në dorëheqje dhe në bazë të praktikës së vendosur në të kaluarën, nuk janë mbajtur asnjëherë kur Qeveria ka qenë në dorëheqje

“Edhe pse Qeveria është në dorëheqje, sipas Kushtetutës nuk ka asnjë pengesë që të mbahet seanca për pyetje deputetësh dhe funksionarët qeveritarë të japin përgjigje për pyetjet e deputetëve. Ndryshe, në nenin 93 në paragrafin 5, qëndron qartë se Qeveria të cilës i është votuar mosbesim apo ka dhënë dorëheqje, si në këtë rast apo të cilës i ka përfunduar mandati për shkak të shpërbërjes së Kuvendit mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Zoran Zaev edhe ministrat e tij me vetëdije e shkelin Kushtetutës, diçka që në të vërtetë u është bërë praktikë. Kanë ardhur në pushtet përmes shkeljes së Kushtetutës dhe Rregullore, ashtu edhe ikin”, theksoi Micevski.

Sipas tij, anulimi i kësaj seance është “dëshmi plus për mostransparencën e punës së Qeverisë dhe për përpjekjet e vazhdueshme për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe dhënies përgjigje për keqqeverisjen”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button