Pendarovski: Kovaçevski është i panjohur në politikë, duhet t’i jepet shans

Objektivisht, Dimitar Kovaçevski është i panjohur në politikë, pasi nuk ka qenë në pozitë më parë, tha mbrëmë presidenti Stevo Pendarovski gjatë një paraqitjeje në emisionin “Samo intervju” në Kanal 5, transmeton Portalb.mk.

Ngjashëm, tha Pendarovski, siç është rasti me të personalisht, duke qenë se para se të bëhej deputet e më pas president, nuk e ka kryer funksion të ministrit ose të kryeministrit.

Kovaçevskit, si emër i sigurt për mandatar të ri, thotë presidenti, duhet t’i jepet shans.

“Duhet t’i jepet shans, është fakt që ka përvojë të pasur akademike, ka vite e vite përvojë partiake në LSDM, aty e njohin. Mendoj se ka lidhje me grupacione të ndryshme që ekzistojnë. Mendoj se ka një pikënisje të mirë”, tha shefi i shtetit.

Edhe pse ai është kandidat për mandatar, Pendarovski tha se do të presë edhe letër zyrtare nga një ose më shumë parti se kanë shumicë dhe mandatar.

“Sot pasdite kabineti im ka marrë letër nga kryeparlamentari Talat Xhaferi se ka dhënë dorëheqje dhe e gjithë qeveria është në dorëheqje. Sapo të marr njoftimin, fillojnë të rrjedhin ato 10 ditë në të cilat jam i obliguar të jap mandatin. Prej sot pasdite ka filluar të rrjedhë afati. Më duhet një letër tjetër, kujt t’ia jap mandatin. Nuk mund ta marr me mend, duhet të marr  letër nga një parti apo parti tjera që duhet të thonë ne kemi këtë shumicë dhe këtë mandatar. Unë nuk mund t’ia jap mandatin LSDM-së, duhet ta di se kujt ia jap si person”, tha Pendarovski.

Sipas kontakteve në rrjedhë, kreu i shtetit thotë se dorëzimi i mandatit duhet të bëhet javën e ardhshme – të martën ose të mërkurën. Pasi të ketë dorëzuar mandatin, kryeministri i mandatuar do të ketë 20 ditë kohë për të formuar qeverinë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Me këtë, Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Natën e 31 tetorit, pas humbjes së thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Zaev njoftoi dorëheqjen si nga pozita udhëheqëse e LSDM-së ashtu edhe nga posti i kryeministrit. Ai fillimisht bëri dorëheqjen e funksionit partiak, kështu që LSDM-ja së fundi zgjodhi liderin e ri – Dimitar Kovaçevski, i cili së shpejti do ta pasojë Zaevin si kryeministër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button