Një muaj pas aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari: Hetimi për arsyet e aksidentit drejt fundit

Prokuroria e Bullgarisë së shpejti pritet që t’i publikojë zyrtarisht arsyet e aksidentit tragjik të 23 nëntorit në Struma, ku një autobus nga RMV u vetëaksidentua dhe më pas u përfshi nga flakët, si pasojë humbën jetën 45 persona në mesin e të cilëve 12 fëmijë dhe 7 të tjerë u lënduan. Nga ana tjetër Prokuroria e RMV-së, është ende në fazë parahetimore për punën e kompanisë transportuese “Besa Trans”, njofton Portalb.mk.

Prokuroria e bullgarisë paralajmëroi se rezultatet nga ekspertizat të cilat pritet, mund të jenë gati edhe përpara Krishtlindjeve Katolike. Hetimin e udhëheqin autoritetet bullgare, pasi që aksidenti ka ndodhur në territorin e tyre, a prokurorët e RMV-së i kanë siguruar të gjitha provat të cilat janë kërkuar nga hetuesit bullgar.

“Hetimin për aksidentin e autobusit e udhëheqë Prokuroria Publike e Republikës së Bullgarisë. Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ua ka vendosur në dispozicion të gjitha kapacitetet e saja organeve hetuese bullgari me qëllim që sa më shpejtë që është e mundur të konstatohen arsyet për aksidentin. Njohuritë nga hetimi do t’i publikojnë organet hetuese bullgare”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.

Ata shtojnë se në lidhje me procedurën e cila udhëhiqet në vendin tonë, a e cila ka të bëjë me punën e subjektit juridik – organizuesi i udhëtimit, por edhe veprimin e organeve tjera kompetente, lënda është në fazën e procedurës parahetimore.

“Në kuadër të procedurës, në mënyrë intensive po ndërmerren masa për konstatimin e fakteve dhe përgjegjësinë eventuale penale. Me qëllim që të mos i dëmtohet procedurës, në këtë fazë nuk jemi në mundësi të ndajmë më shumë detaje për veprimet të cilat po ndërmerren”, shtojnë nga Prokuroria.

Foto: mediapool.bg
Autobusi i aksidentuar në Bullgari, foto nga Mediapool.bg

Paraprakisht, shefi i Prokurorisë së Bullgarisë Borislav Sarafov, deklaroi se të dhënat për momentin tregojnë se shpejtësia e autobusit ishte e papërshtatshme me kushtet e rrugës, dhe natën e aksidentit ka pasur reshje të shiut dhe rruga ka qenë e lagësht.

“Shpejtësia e autobusit ishte mjaft e papërshtatshme me kushtet e rrugës. Mendoj se ka vozitur mbi 90 km/orë. Kërkesat e një shoferi profesionist të autobusit janë më të larta se për çdo shofer tjetër”, tha Sarafov.

Ai tha edhe se nuk ka lidhje shkak-pasojë mes aksidentit, sinjalistikës rrugore dhe shenjave. Ai shpjegoi se ata mund të kenë kontribuar, por shoferi duhej të ishte më i kujdesshëm dhe të lëvizte me shpejtësinë e duhur. Megjithatë, Sarafov theksoi se sinjalistika rrugore “qartësisht nuk i plotësojnë kërkesat”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se autobusi për një arsye ende të panjohur është kthyer djathtas dhe ka goditur rrethojnë mbrojtëse që ndan zonën e pushimit nga autostrada. Përplasja ka bërë që rezervuari i karburantit të shpërthejë, ka rënë zjarr dhe mjeti ka ngecur mes rrethojave mbrojtëse që ndajnë dy korsitë e autostradës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button