BERZH për BRT-në në Shkup: Projektet, para miratimit, i nënshtrohen shqyrtimeve shumë të detajuara

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) merr përgjegjësi shumë serioze lidhur me transparencën e projekteve që i mbështet, si dhe për informimin e publikut, thuhet në përgjigjen nga BERZH, për Meta.mk, në pyetjet për realizimin e linjës së parë të autobusit të shpejtë – BRT në Shkup në segmentin nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov.

Kryetarja e re e kryeqytetit, Danela Arsovska, e ndërpreu procedurën e tenderit për përzgjedhjen e kontraktuesit,  cili do ta ndërtonte linjën e parë të BRT-së nga gjithsej dy linja, për të cilën është marrë kredi nga BERZH në vlerë prej 70 milionë euro. Qëndrimi zyrtar i Qytetit të Shkupit tani është se vitin e kaluar janë përgatitur analiza, të cilat venë në pah një sërë mangësish dhe rreziqesh nga projekti që do të kenë ndikim mbi mjedisin jetësor.

Nga BERZH, për Meta.mk, thonë se në ueb faqen e tyre i publikojnë informacionet e detajuara për të gjithë projektet, përfshirë këtu dokumentet për transport të shpejtë me autobus.

“Të gjitha projektet tona i nënshtrohen kontrollit shumë të detajuar para se të miratohen dhe ne jemi krenarë për standardet e larta, sipas të cilave ne udhëhiqemi dhe të njëjtën gjë e presim nga partnerët dhe klientët tanë. Ka një sërë hapash për mbrojtje dhe verifikim, të cilat ne i aplikojmë për të siguruar që projektet tona t‘i përmbushin këto standarde”, thonë nga BERZH

Kështu, ky projekt është shqyrtuar nga BERZH dhe ndikimi i tij është vlerësuar me 70, në shkallën nga 0 deri në 100, që sipas vlerësimeve të Bankës e vendos atë në kufirin midis projekteve të mira dhe të forta. Për këtë media  tashmë ka shkruar gjatë vitit 2020.

“Qëllimi kryesor i projektit është të përmirësojë ndjeshëm nivelin e shërbimeve të transportit publik dhe të ndihmojë në uljen e ndotjes në Shkup, i cili aktualisht është një nga qytetet më të ndotura në Evropë. BRT pritet të luajë rol vendimtar në përmirësimin e sistemit të transportit duke ndërtuar korridore të dedikuara për autobusë përgjatë arterieve kryesore të qytetit”, thuhet në një nga dokumentet e BERZH-it, i cili është bërë publik në internet dhe mund të shikohet nga të gjithë të interesuarit.

Në dokumentacionin voluminoz të BERZH-it thuhet se ata kanë gjithashtu mekanizëm të kundërshtimeve për projektin BRT, përmes të cilit individët dhe organizatat mund të kërkojnë që vërejtjet tyre të shqyrtohen nëpërmjet mekanizmave përkatës të BERZH, të krijuara për këtë qëllim. Ndryshe, kryetarja Danela Arsovska, si dhe partia opozitare VMRO-DPMNE, në disa raste kanë dalë me pretendime se do të shkatërrohet gjelbërimi qendror i bulevardeve, do të rrezikohet tubi kryesor i ujit nën bulevardin Aradhat Partizane dhe me një sërë kritikash të tjera për projektin.

Në serinë e dokumenteve, që janë në dispozicion në ueb-faqen e BERZH-it, pikërisht në pjesën e rreziqeve kyçe, vihet në pah rreziku i realizimit për shkak të dobësisë së Qytetit të Shkupit në aspektin e përvojës së mëparshme për realizimin e projekteve të tilla të mëdha infrastrukturore. Prandaj, BERZH Qytetit të Shkupit dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve u ndau një grant të pakthyeshëm që kap shumën prej 1.5 milionë euro për mbështetje teknike gjatë zbatimit të projektit.

Nga dokumentet e BERZH-it shihet qartë se Qyteti i Shkupit nuk do të ketë fare implikime financiar për projektin, gjegjësisht administrata e re e qytetit nuk do të mbi-ngarkohet me kredi të reja, për arsyen e thjeshtë se kredinë e merr shteti nëpërmjet Ministrisë së Financave. Qyteti i Shkupit gjatë realizimit të transportit të shpejtë me autobus – BRT ka vetëm rolin e realizuesit të projektit, i cili do të duhet të nënshkruajë kontratë për ndërtimin e tij me ofertuesin më të favorshëm.

Nga BERZH, për Meta.mk, thonë se nuk kanë çfarë të shtojnë më shumë për projektin BRT, ndërsa për të gjitha pyetjet shtesë rreth zbatimit të tij në terren, si adresë për përgjigje e  theksojnë Qytetin i Shkupit dhe Ministrinë e Financave.

Ndryshe, ekspertët e kontaktuar nga Meta.mk menjëherë pas njoftimit për ndërprerje të realizimit të projektit BRT, e këshilluan kryetaren e re të Shkupit që mos të nxitojë në marrjen e vendimeve strategjike për transportin publik në Shkup, duke shtuar se projekti BRT në Shkup është pranuar me ngazëllim të madh nga përfaqësuesit e BERZH-it, të cilët janë shumë të rreptë sa i përket projekteve të cilët i financojnë.

“Shkupi nuk mund t’i zvogëlojë problemet me bllokimin dhe ngecjen e trafikut, ndotjen e shtuar, mungesën e hapësirave për parking, nëse nuk ofron transport publik me cilësi të lartë i cili do të ishte mjaft tërheqës, që një pjesë e atyre të cilët sot i përdorin makinat të kuptojnë se për ata është më e përshtatshme nëse e shfrytëzojnë transportin publik”, tha profesori për transport publik, në Fakultetin Teknik në Manastir, Nikolla Krstanoski.

Ndryshe, në Shkup numri i udhëtarëve, të cilët e përdorin transportin publik ka shënuar rënie të vazhdueshme gjatë viteve të kaluara, kundrejt rritjes së numrit të veturave nëpër rrugët e Shkupit. Si pasojë, autobusët ekzistues të cilët qarkullojnë, bllokohen në trafik për shkak të mbingarkesës, gjë që sipas të dhënave të NQP-Shkup e zvogëlon shpejtësinë mesatare të autobusëve dhe e rrit kohën e udhëtimit. Kombinimi i ngecjeve të zakonshme të transportit publik, shpejtësia e ulët e transportit publik në Shkupi i largon qytetarët nga përdorimi i tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button