Xhaferi: Nuk mund të ketë pyetje deputetësh kur Qeveria është në dorëheqje

Kuvendi nuk ka mbajtur seancë për pyetje deputetësh që nga muaji korrik, ndërsa seanca për këtë nuk do të mbahet as sot, kur është mundësia e fundit për këtë vit për pyetje deputetësh. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha sot në brifing për gazetarët se, nuk mund të mbahet seancë për pyetjet deputetësh, pasi Qeveria është në dorëheqje dhe në bazë të praktikës së vendosur në të kaluarën, nuk janë mbajtur asnjëherë kur Qeveria ka qenë në dorëheqje, shkruan Portalb.mk.

“Kuvendi nuk ka punuar jo për shkak se nuk ka dashur të punojë, apo të mbaj seancë për pyetje të deputetëve. Para zgjedhjeve, fushatë zgjedhore, nuk janë mbajtur pyetje deputetëve. Muajin e kaluar nuk janë mbajtur për shkak të tragjedisë, u thirr seanca por ndodhi aksidenti i autobusit dhe kishte ditë zie…Unë vlerësoj se duhet të kthehet termini i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që të mos vijmë në situatë që çdo gjashtë muaj të mos punojnë institucionet dhe të mos funksionojnë, sepse çdo gjashtë muaj shkojmë në zgjedhje. Kodi Zgjedhor thotë se, nuk guxon të funksionojë asgjë nga momenti që fillojnë zgjedhjet”, tha Xhaferi.

I pyetur çfarë do të ndodhë me ligjet e propozuara nga Qeveria në dorëheqje të cilat janë në procedurë parlamentare, Xhaferi tha se Qeveria vazhdon me obligimet në mënyrë teknike

“Kjo Qeveri mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, por vetëm në nivel teknik. Vakumi deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nuk do të ketë seanca të reja, sepse Qeveria në dorëheqje nuk do të duhej të propozojë ligje. Prej sot, pasi të konstatohet dorëheqja, fillojnë të rrjedhin afatet për veprimet që duhet të ndërmerren për zgjedhje të Qeverisë së re”, tha ai.

Ndërkohë, i pyetur se si do të veprohet me deputetin e Alternativës, Hysni Ismaili, i cili duhet të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit dhe për të cilin Antikorrupsioni ka dorëzuar në Prokurori iniciativë që të ndiqet penalisht për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur pozitën zyrtare kur ka qenë ministër i Kulturës, ai tha se do të respektojnë prezumimin e pafajësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button