Heshtje në Apel vendim skandaloz ndaj Mijallkovit, Këshilli Gjyqësor thotë se gjykatësit janë të pavarur të vendosin

Reagime të ashpra pasi Gjykata e Apelit dje vendosi që ta lirojë nga paraburgimi ish shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov, i cili me vendim të shkallës së parë është dënuar në dy lëndë me gjithsej 20 vjet burg, ndërkaq është i dyshuar edhe në disa raste tjera. Lëshimi nga paraburgimi i Mijallkovit, është gjithashtu skandaloz për shkak se në shkurt të këtij viti Mijallkov u arratis për 3 ditë në prag të shpalljes së aktgjykimit për rastin “Target Fortesa”. Megjithatë Prokuroria pas këtij vendimi reagoi menjëherë duke dërguar propozim për paraburgim në Gjykatën Penale për një lë tjetër dhe Mijallkov, ende pa dalë nga Burgu i Shutkës, iu caktua paraburgim i ri 30-ditor, shkruan Portalb.mk.

Gjykata e Apelit vendos, Petkovski t’i paguaj 650 mijë denarë Gruevskit
Gjykata e Apelit

Një ditë pas vendimit skandaloz të Gjykatës së Apelit, me të cilin e lirojnë nga paraburgimi një person i cili është i dënuar me 20 vjet burg dhe paraprakisht ka tentuar që të arratiset dhe tërë shteti iu vu pas për ta kapur, sot në Gjykatën e Apelit askush nuk përgjigjet se cila ishte arsyeja e vendimit i cili shkaktoi reagime të forta në opinion dhe aktivizoi Prokurorinë që, megjithatë Mijallkovin e dënuar ta mbajë në paraburgim.

“Pak më vonë do të thirri se jam pak i zënë”, kështu na u përgjigj gjyqtari Enver Bexheti, i cili bashkë me gjykatësin Gjoko Ristovski mori vendimin. Bexhetin e thirrëm sërish, por ai nuk e hap telefonin.

Thirrjeve tona telefonike nuk iu përgjigj zëdhënësja, por as kryetarja e Gjykatë së Apelit, Tatjana Dukovska dhe Lidija Dimçevska, për të na treguar se a do të bëhet ndonjë kontroll për të shqyrtuar rrethanat e vendimit, apo a do të dorëzohet kërkesë te Këshilli Gjyqësor që të ngritët procedurë për shqyrtimin e përgjegjësisë për gjykatësit të cilët vendosën ta nxjerrin nga paraburgimi një person me rrezikshmëri të lartë për arratisje.

Për vendimin skandaloz të Apelit sot ka mbajtur seancë Këshilli Gjyqësor dhe porositi që gjykatësit vendosin në mënyrë të pavarur dhe nuk vepron sipas ndikimeve politike.

“Këshilli Gjyqësor e informon opinionin se në bazë të nenit 2 nga Ligji për Këshill Gjyqësor, Këshilli e siguron dhe e garanton pavarësinë e pushtetit gjyqësor, derisa sipas nenit 11 nga Ligji për gjykata, gjykatësi vendos në mënyrë të paanshme me zbatimin e ligjit ndaj lirisë së vlerësimit të provave dhe se ndalon çdo lloj të ndikimit ndaj pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatësit në funksionin gjyqësor në çfarëdo baze, nga cilido subjekt. Këshilli Gjyqësor thekson se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe autonom, a Këshilli është organ i cili vepron vetëm sipas ligjit dhe nuk vepron sipas ndikimeve politike, a e njëjta vlen edhe për punën e gjykatësve. Prej atje, në bazë të kompetencave, të gjitha mjetet që i disponon Këshilli a duke e pasur parasysh se lënda gjyqësore është aktive, mbeten interne për këshillin. Për çdo procedurë të ardhshme ose vendim eventual, Këshilli Gjyqësor do ta informojë opinionin në kohë”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Nga Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë, vlerësojnë se gjykatat duhet që ta njoftojnë opinionin me argumente të detajuara, në mënyrë që opinioni t’i besojë gjyqësorit.

“Duke e pasur parasysh të drejtën e diskrecionit të gjykatës që të miratojë vendim, me rëndësi të jashtëzakonshme është që të opinioni të njoftohet me arsyet për të cilat gjykata ka miratuar vendim konkret. Për shkak kësaj, veçmas është e rëndësishme që vendimet për caktimin e paraburgimit të jenë anonime dhe të publikohen njëjtë sikur edhe aktgjykimet. Kur opinioni do të mund të njihet me vendimin e gjykatës dhe sqarimin me argumente të detajuara, mbështetur në prova, vetëm atëherë opinioni do të mund të ketë besueshmëri se gjykata me të vërtetë ka miratuar vendim të vërtetë”, thonë për Portalb.mk nga Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë.

Sipas një hulumtimi të bërë nga organizata Eurothink i cili u publikua më 16 dhjetor të këtij viti për besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve, gjyqësori ka marrë notë më të dobët. Vetëm 8% e qytetarë u besojnë institucioneve që duhet ta ndajnë drejtësinë.

Sipas Aleksandar Stojanovski nga Eurothink, besimi i qytetarëve në institucionet, konkretisht në sistemin gjyqësor, mund të përmirësohet nëse ndërmerren hapa për zbatimin e rekomandimeve dhe reformave.

“Mund të thirremi në raporte të Komisionit Evropian, mund të thirremi në analiza të ndryshme që e ndjekin punën e sistemit gjyqësor, prokurorive dhe gjykatave, kryesisht është e qartë se cilat janë hapat: profesionalizim, pastrim i kuadrove në gjyqësorit, e dimë se nuk të bëhet rinovim i kuadrove në prokurori, profesionalizim i personave që punojnë në këto sektorë, së bashku me uljen e ndikimeve partiake dhe politike në punën e kësaj dege te posaçme, janë gjërat kyçe që duhet të ndodhin”, tha Stojkovski.

Sasho Mijallkov, foto Anadolu Agency

Dje pati reagime të shumta për vendimin skandaloz, autoritetet qeveritare kërkuan që të hetohet rasti, ndërkaq opozita fajësoi pushtetit.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit që ta lëshojë nga paraburgimi Sasho Mijallkovin e ulë besimin edhe ashtu të thyer të qytetarëve ndaj gjykatave. Rikujtoj se Mijallkov ishte person me rrezik real për arratisje dhe rast për ngjarje të cilat e shqetësuan tërë opinionin në RMV. Gjykatësit e Apelit të Shkupit Gjoko Ristov dhe Enver Bexheti, të cilët e miratuan këtë vendim duhet t’i sqarojnë opinionit se në bazë të çfarë e kanë miratuar këtë vendim dhe në çfarë mënyre do ta marrin përgjegjësinë nëse ndodh sërish rrezik nga arratisja. Gjykata edhe pse është e pavarur, është e obliguar që publikisht t’i sqarojë vendimet e saja që të munden gjykatat t’i besojnë gjyqësor. Apeloj që Këshilli Gjyqësor të shqyrtojë se në çfarë baze gjykatësit e kanë miratuar këtë vendim”, reagoi ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

Vendimin e Apelit e ka quajtur skandaloz edhe zv.kryeministri Lubço Nikollovski, i cili tha se me këtë varroset besimi në sistemin gjyqësor i cili duhet të ndajë drejtësi për të gjithë.

“Opinioni ka të drejtë të dijë se në çfarë baze gjykatësit e kanë miratuar këtë vendim për një person për të cilin i janë shqiptuar aktgjykime të shkallës së parë me të cilat është dënuar me 20 vjet burg për vepra të rënda penale. Mu këto gjykatës e thyejnë integritetin e gjyqësorit dhe janë argument shtesë për nevojën e Ligjit për Prejardhjen e Pronës”, shkruan Nikollovski.

Lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski vendimin e Apelit e sheh si teatër.

“Ky është teatër i thjeshtë dhe përpjekje e njerëzve që e udhëheqin gjyqësorin, që ta lahen nga ajo që ka ndodhur. Pas gjithë asaj që pash Prokuroria sërish kërkon paraburgim për të. Rregullisht do të shohim këso teatro kur do t’i duhet LSDM-së, Zaevit ose kujtdo tjetër në udhëheqësinë e Zaevit”, vlerëson Mickoski.

Opozitarja Aleanca për Shqiptarët, për lirimin e Mijallkovit nga paraburgimi fajtor e sheh pushtetin.

“Regjimi Ahmeti-Mijallkov-Zaev vazhdon me faljen e kriminelëve, duke ju përgjigjur në formën më arrogante të mundshme qytetarëve që kundërshtojnë krimet e tyre. Vetëm dy ditë pasi nuk i lejuam që të falin Sead Koçanin, Aleksandër Vasilevski Ninxhan dhe Boban Iliçin, Ministria e (Pa)drejtësisë tërhoqi listën e plotë duke mos lejuar që të falen as të burgosur të tjerë që janë me vepra më të lehta e madje edhe pafajsisht në burgje. Nga ana tjetër, me vendim të Gjykatës së kapur penale, sot u la i lirë Sasho Mijallkov, partneri kryesor i regjimit aktual dhe njeriu që shkatërronte fate njerëzish dhe buxhetin e shtetit. Ky rast edhe njëherë demaskoi agjendën mashtruese evrointegruese të këtij regjimi dhe legjitimoi vlerësimet tona se ky regjim duhet të bjerë një ditë e më parë. Të gjithë ata që ja zgjatën jetën këtij regjimi sot u pa se kanë kontribuar që të arrihet deri te falja e kriminelëve”, thonë nga ASH.

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria kërkoi paraburgim të ri për Mijallkovin në një rast tjetër, gjegjësisht për “Parcelat në Vodno”, ndërkaq Gjykata Penale e pranoi dhe i shqiptoi 30 ditë.

Vendimi për t’i ricaktuar paraburgim Mijallkovit është përcjellë në rrjetet sociale me sarkazëm. Disa prej statuseve ne Tuiter.

  •  “Oliver Andonov ishte më gjatë ministër se sa Mijallkovi në liri”
  • “Dita më e shkurtër është sot. Pyeteni Mijallkovin nëse është ashtu”.
  • “Mijallkov, Janakieski i ri”.
  • “-Zotëri Mijallkov ku ishit,
    -Në shesh dhe u ktheva…”

Ndryshe, gjyqësori vazhdon të mbetet në shënjestër të kritikave për jo-profesionalitet, jo-efikasitet, vendime të anshme dhe të politizuara. Reformat në gjyqësor ende janë njollë e sezë e të gjitha qeverive të cilat, kur ndodhen në opozitë premtojnë drejtësi, ndërkaq kur vijnë në pushtet zhvishen nga arsyet me premtimet se “gjyqësori është i pavarur”. Kritikat për mosfunskionim të gjyqësorit mund të gjendjen thuajse në të gjitha raportet e organizatave vendore, por edhe ndërkombëtare.

Gjyqësori funksional para se gjithash është për mirëqenien e qytetarëve të vendit, por gjithashtu është kusht që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, aspiratë e cila ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të vendit dhe të gjithë aktorëve dhe organizimeve politike.

LEXO: RMV, urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin i cili i iku policisë para syve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button