fbpx

Komuna e Tetovës ndryshoi mendje, shitësit ambulant vetëm të enjteve mund të shesin jashtë tregut

Shitësit ambulant të tregut të gjelbër të Tetovës do të mund të shesin përsëri në trotuaret përreth tregut, por vetëm ditëve të enjte. Kështu ka vendosur Komuna e Tetovës vetëm pak ditë pasi mori vendim që t’i largojë shitesit ambulant nga trotuaret dhe t’i liroje hapesirat publike. Shitësit, janë të kënaqur me vendimin e komunës, shkruan Portalb.mk.

Vetëm tre ditë pasi u futën brenda tregut të gjelbër, shitësit ambulant të Tetovës sot u rikthyen në vendet e tyre të vjetra për të shitur produktet e tyre, kjo pasi Komuna e Tetovës u ka dhënë leje që vetëm ditëve të enjte të mund të veprojnë në këtë mënyrë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se lirimi i trotuareve dhe hapësirave publike dhe vendosja tregtarëve në Tregun e Gjelbër në Tetovë hasi në mirëkuptim të plotë nga shitësit ambulant, andaj ata si strukturë udhëheqëse në bashkëpunim me inspektoratin dhe udhëheqsinë e tregut vendosën që ditëve të enjte, kur edhe është pazar në Tetovë të u mundësojnë shitësve të zhvillojnë veprimtarinë tregtare edhe jashtë tregut të gjelbër.

“Këtë mundësi shitësit do të mund ta shfrytëzojnë vetëm ditët e tregut (çdo të enjte), kurse në ditët tjera një gjë e tillë nuk do të lejohet. Gjatë gjithë ditës së tregut shitësit nuk do të pengohen nga ana e inspektoratit, kurse në mbrëmje punëtorët e NPK “Tetova” do të pastrojnë trotuaret dhe rrugët nga çdo gjë që do të haset aty, që në ditët tjera të zhvillohet lëvizja e lirë e qytetarëve”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Tregu i Gjelbër Tetovë, 23 dhjetor 2021
Tregu i Gjelbër Tetovë, 23 dhjetor 2021

Nga ana tjetër, shitësit sot u shprehën të kënaqur me këtë vendim pasi dita e enjte është dita kur ata kanë më shumë fitim dhe ka më shumë konsumator.

“Shumë me vend e ka bë, të enjteve kalojnë më shumë njerëz edhe blejnë mallin tonë, këtu është më lehtë për të shitur sepse njerëzit kalojnë më shpesh. Ne këtë ditë e bëjmë fitimin më të madh”, tha një shitës.

“Unë dal vetëm ditën e enjte për të shitur, edhe mirë që vendosën kështu sepse blerësit e mi e dinë vendin ku rri unë, ndërsa atje brenda zor se më gjejnë”, tha një shitës tjetër.

“Çka të them, mirë mirë është që të paktën të enjteve të shesim këtu”, tha një tjetër shitës.

Rikujtojmë që të hënën, shitësit ambulant që shfrytëzonin hapësirat e trotuareve rreth Tregut të Gjelbër të Tetovës u futën brenda në treg, pasi Komuna e Tetovës para një jave i paralajmëroi që nëse nga e hëna nuk i lirojnë hapësirat publike do të gjobiten dhe se Ndërmarrja Komunale do organizojë  bartjen e mallit deri te hapësirat e “Parqet dhe Gjelbërimi”, me prezencë të Inspektoratit Komunal, Inspektoratit të Tregut dhe Policisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button