Tetovë, u rregullua defekti që pamundësonte furnizimin me ujë

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” njoftoi se pas punëve disa-ditore në terren kanë përfunduar me sukses sanimin e defektit ne gypin f-500, transmeton Portalb.mk. Vendbanimet që nuk kishin ujë në këtë qytet, pas gati se një jave mungese, sërish kanë qasje në të.

“Duke marrë parasysh terrenin e papërshtatshëm dhe sasinë e borës punëtorët tanë ishin të angazhuar maksimalisht që qytetarëve tanë tu sigurohet uji për pije. Gjithashtu falënderojmë qytetarët për durimin, solidarizimin dhe mirëkuptimin që dëshmuan gjatë këtyre ditëve kur mungoi uji për pije”, thanë nga NPK “Tetova”.

Për këtë, reagoi edhe kryetari i Komunës Bilall Kasami, i cili dje ishte në vendngjarje ku kryheshin punimet për rregullimin e defektit.

“Si rezultat i këtyre defekteve të trashëguara shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesë të ujit, andaj si përfaqësues i tyre dola të përcjell nga afër punimet për sanimin e defektit të ujësjellësit, i cili fatmirësisht u sanua dhe qyteti i Tetovës do të ketë ujë të pijshëm”, tha Bilall Kasami.

Ndër të tjera ai falënderoi të punësuarit e NPK-së si dhe njoftoi se një nga të punësuarit ishte lënduar gjatë punës.

Kasami rrjetin e ujësjellësit e quan projekt të realizuara pa asnjë standard minimal.

“Rrjet i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz, para një muaji unë morra informatë nga ndërmarrja publike që janë diku tetë pika kritike të lidhjeve që janë bërë të gypit dhe të cilat në çdo moment mund të plasin”, tha Bilall Kasami.

Ndërkaq i pyetur për atë se a ka plan afatgjatë për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, Kasami e pohoi këtë duke garantuar që në dimrin tjetër së paku ato pika janë identifikuar të sanohen dhe mos të ketë probleme të tilla.

“Përndryshe e dimë që Komuna e Tetovës ka pasur edhe disa puse të cilat kanë qenë të shfrytëzuara në këto situata, fatkeqësisht edhe ato puse nuk janë në shfrytëzim pra duhet pompat ti servisojmë të cilat nuk kanë qenë të servisuara. Kam dhënë obligim që edhe ato pompa të servisohen dhe ato puse të vendosen në funksion që në momente të tilla qytetarët të kenë ujë të mjaftueshëm”, shtoi Kasami.

Problemi me rrjetin e ujësjellësit vazhdimisht përsëritet në Tetovë, sidomos gjatë stinës së dimrit.

LEXO: Tetova pesë ditë pa ujë të mjaftueshëm, Kasami: Rrjeti i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button