Dorëheqja e Zaevit sot në seancë parlamentare

Dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev, të cilën e dorëzoi dje në Kuvend, duhet të gjendet në seancën e sotme plenare, e cila paraprakisht ishte caktuar për pyetje deputetësh, transmeton Portalb.mk.

Zaev dje përmes një letre njoftoi kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe deputetët se po jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit, duke theksuar se nuk do ta sqarojë gojarisht në Kuvend.

Në letër thuhet se vendimin e ka marrë si hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe si shprehje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor. Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të fundit edhe pse lokale, kanë një peshë parimore dhe politike për momentin politik në të cilin ndodhet vendi.

“Në kushte të tilla, për mua personalisht dhe si kryeministër, për shkak të politikave në të cilat besoj, për shkak të vlerave demokratike dhe evropiane në të cilat besoj, do të ishte politikisht e papërgjegjshme dhe e pajustifikuar të vazhdohet me udhëheqjen e Qeverisë në rrugën euro-atlatike”, tha Zaev në dorëheqjen e tij.

Prej sot fillojnë të rrjedhin afatet prej 10 ditësh në të cilat kreu i shtetit duhet t’i japë mandatin për formimin e qeverisë kryeministrit të ri dhe 20 ditë në të cilat duhet të përpilojë listën e ministrave dhe programin e qeverisë dhe t’ia dërgojë në Kuvendi.

Sipas kësaj, qeveria e re mund të zgjidhet në parlament deri në fund të muajit të ardhshëm, nëse priten afatet e fundit, duke përfshirë datën në të cilën do të zhvillohet seanca parlamentare. Nëse procesi shkon më shpejt dhe shkurtohen afatet, zgjedhja e qeverisë së re mund të përfundojë në mesin e janarit, duke qenë se partnerët e koalicionit tashmë kanë rënë dakord për shumicën e detajeve.

Zaev dje mori pjesë në fjalimin e rregullt vjetor të presidentit Stevo Pendarovski para Kuvendit. Disa orë më vonë, dorëheqja e tij arriti në parlament.

Natën e 31 tetorit, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Zaev njoftoi dorëheqjen si nga pozita udhëheqëse e LSDM-së ashtu edhe nga posti i kryeministrit. Ai fillimisht bëri dorëheqjen e funksionit partiak, kështu që LSDM-ja së fundi zgjodhi liderin e ri – Dimitar Kovaçevski, i cili së shpejti do ta pasojë Zaevin si kryeministër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button