Greqia përsëri kërcënon me largim nga puna punonjësit shëndetësorë që nuk janë vaksinuar

Ministri grek i Shëndetësisë ka mundësi të shkarkojë punonjësit shëndetësor në sistemin kombëtar të shëndetësisë që këmbëngulin të mos vaksinohen. Kjo lëvizje u kritikua nga partitë opozitare ndërsa një studim mbi mungesën e Njësive të kujdesit intensiv ka shkaktuar trazira politike në vend, transmeton Portalb.mk.

Në shtator hyri në fuqi masa që parashikonte suspendimin nga puna për personelin shëndetësor të pavaksinuar, duke rezultuar në pezullimin nga puna të 10 mijë punonjësve shëndetësor.

Kjo masë shkaktoi mungesa të rënda të stafit mjekësor në sektorin e shëndetit publik dhe ministri i shëndetësisë Thanos Plevris nënshkroi një amendament që i lejonte ata të kthehen në punë nëse marrin dozën e parë të vaksinës.

Disa e morën vaksinën, por rreth 4,000 punonjës shëndetësorë mbeten të pavaksinuar.

Duke folur në parlamentin grek të mërkurën, Plevris caktoi 31 marsin e vitit 2022 si afat për vaksinimin e tyre; përndryshe, qeveria do të shqyrtojë shkarkimin e tyre.

Ai shtoi se autoritetet shtetërore nuk mund të presin më shumë që ata të vaksinohen.

“Ata do të duhet të vaksinohen, përndryshe nuk do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre në Sistemin Kombëtar të Shëndetit. Tashmë është e qartë se vaksinimi është për të mirën e shoqërisë, ndaj kushdo që dëshiron të ofrojë shërbime shëndetësore duhet të vaksinohet”.

Partitë opozitare kritikuan këtë masë duke thënë se qeveria konservatore ka humbur plotësisht kontrollin e pandemisë.

Sipas ECDC, 64.3% (67.8% mesatarja e BE-së) e popullsisë totale deri më tani është vaksinuar plotësisht ndërsa 26.5% e grekëve kanë marrë edhe përforcues.

Por vendi mesdhetar po përballet me një numër të madh të vdekjeve ditore të lidhura me COVID-19.

Instituti Reuters thotë se 4,520 infeksione të reja raportohen mesatarisht çdo ditë dhe më shumë se 20,000 njerëz kanë vdekur për shkak të COVID që nga fillimi i pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button