RMV, mjekët që përhapin dezinformata duhet të sanksionohen brenda mundësive ligjore

Dëmi në opinionin publik nga dezinformimi është shumë më i madh kur këtij fenomeni i bashkëngjiten persona profesional. Përhapja e dezinformatave rreth pandemisë COVID-19 nga personeli mjeksor është një problematikë shumë shqetësuese, si në botë ashtu edhe në RMV. Organizatat e mjekëve bëjnë thirrje të ndërmerren sanksione ndaj mjekëve që kyçen në fushata dezinformuese. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion se si planifikojnë të veprojnë rreth kësaj çështje, shkruan Portalb.mk.

Fushata dezinformuese, apo “infodemia” siç e quajnë ekspertët e komunikimit, luajti një rol të fuqishëm gjatë luftës me pandeminë në vendin tonë por edhe në mbarë botën. Një element mjaftë shqetësues i këtij fenomeni ishte përhapja e informacioneve të rreme edhe nga disa mjekë. Në fillimet e pandemisë kishte mjekë të cilët pretendonin se “koronavirusi është thjesht një grip por që për arsye të caktuara kjo çështje zmadhohej shumë”. Më pas kishte nga ato mjekë që pretendonin se kishin mënyrën e tyre se si ta kurojnë infektimin me COVID-19. Ka edhe nga ata mjekë të cilët vënë në dyshim efikasitetin e vaksinave, shembull konkret ishte edhe rasti i mjekut nga Radovishi i cili vaksinat kundër COVID-19 i quajti eksperimentale gjatë një proteste në Manastir.

disa vende të Evropës është hapur hetim ndaj mjekëve të cilët përhapën dezinformata rreth pandemisë. Për shembull autoritetet sllovake kanë paraparë gjoba deri në 500 euro ose humbje të licencës mjekësore për uniformat e bardha që përhapin dezinformata. Për të ditur se cili është plani i autoriteteve në RMV në këtë drejtim redaksia jonë u drejtua në Ministrinë e Shëndetësisë nga ku deri në këto momente nuk kemi asnjë përgjigje.

Oda e Mjekëve: Është përgjegjësi morale dhe etike individuale që një mjek të respektojë detyrimet e tij

Nga Oda e Mjekëve në vendin tonë thonë se personeli mjekësor përveç se duhet të shërbejë me profesionalizëm ata duhet dhe të jenë shembull për qytetarët dhe jo të përhapin dezinformata.

“Që nga fillimi i pandemisë, Oda e mjekëve ofroi një platformë në të cilën mjekët e të gjitha niveleve të sistemit të kujdesit shëndetësor edukoheshin në vazhdimësi nga ekspertë për të gjitha aspektet e Covid-19. Përmes këtyre takimeve, përvojave dhe informacioneve online, nxirren njohuritë më të fundit rreth virusin dhe trajtimin e tij, në mënyrë që mjekët të merrnin informacionin përkatës dhe provat shkencore të asaj që po ndodhte, dhe disa nga këto takime ishin pikërisht me temën e vaksinimit kundër Covid-19. Jemi të vetëdijshëm se ka shumë mjekë që mohojnë rëndësinë e vaksinave, por nga informacionet tona nga terreni një përqindje e madhe e mjekëve janë të vaksinuar dhe ka interes të madh për marrjen e një doze përforcuese. Duhet theksuar gjithashtu se aktivizuesit më të zhurmshëm në fakt nuk kanë licencë të vlefshme pune, edhe pse kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë“, deklaruan nga Oda e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut.

Oda e Mjekëve të Maqedonisë
Oda e Mjekëve të Maqedonisë

Nga institucioni në fjalë thonë se problemi me mjekët që mohojnë ekzistencën e COVID-19 dhe vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës është problem global dhe jo vetëm në vendin tonë. Megjithatë, thonë se është përgjegjësi morale dhe etike individuale që një mjek të respektojë detyrimet e tij pa theksuar nëse parashikojnë sanksione të caktuara për personelin mjekësor që shpërndan dezinformata.

“Oda e Mjekëve është në konsultim të vazhdueshëm me kolegët e Komitetit të Përhershëm të Mjekëve Evropianë dhe shoqatat mjekësore nga Evropa Qendrore dhe Lindore, sepse problemi me mjekët që mohojnë ekzistencën e virusit dhe kundërshtojnë vaksinat është global dhe jo vetëm në vendin tonë. Shqyrtuam problemin, bëmë konsultime dhe shkëmbyem mendime, duke konkluduar se secili është i detyruar të respektojë normat etike dhe deontologjike në profesionin e tij, të respektojë ligjet dhe detyrimet e tij”, shtojnë nga Oda e Mjekëve.

Komisioni për Etikë dhe Çështje Juridike ka shqyrtuar ankesat e deritanishme lidhur me problematikën në fjalë dhe ka konstatuar se Oda e Mjekëve mund të veprojë vetëm në rastet kur propaganda kundër vaksinës përhapet në kontakt të drejtpërdrejtë me një pacient në institucionin shëndetësor. Pra, Oda e  Mjekëve nuk është autoritet ligjor i cili mundet të veprojë ndaj deklarimeve në rrjetet sociale.

“Mjekët që përhapin dezinformata duhet të sanksionohet brenda mundësive ligjore”

Nga ana tjetër Shoqata e Mjekëve Specializantë vlerëson se përhapja e dezinformatave nga uniformat e bardha duhet të merret seriozisht dhe duhet të sanksionohet brenda mundësive ligjore, por edhe më e rëndësishme është që ato të përgënjeshtrohen shprehimisht nga ekspertët përkatës me dëshmi relevante shkencore.

Aleksandra Georgieva
Aleksandra Georgieva

“Ekzistenca e Covid-19 nuk është objekt diskutimi në komunitetin shkencor. Si kudo në botë, edhe te ne ka teoricienët e konspiracionit, të cilët, me “prova” të pabazuara dhe fiktive, mohojnë ekzistencën e virusit ose e krahasojnë atë me gripin sezonal. Paraqitja e këtyre të dhënave të rreme, kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndikon në krijimin e opinionit publik dhe në këtë mënyrë rrit rezistencën ndaj vaksinimit kundër Covid-19. Kur mjegullnaja të tilla lindin nga njerëz që pretendojnë se kanë një arsim mjekësor ose se janë mjekë, ndikimi është dukshëm më i madh. Ky është rezultat i autoritarizmit që posedon profesioni i mjekësisë në publikun e gjerë. Në këtë rast lindin dy pyetje, së pari nëse personi ka vërtet licencë për të punuar si mjek apo bëhet fjalë për përfaqësim të rremë. Nëse vërtetohet se pas artikujve të tillë qëndron një doktor i licencuar i shkencave mjekësore, atëherë problemi merr një dimension tjetër pasi kërkon përfshirjen e një sërë institucioneve kompetente që do të kryejnë një hetim dhe më pas do të vendosin sanksionet e duhura“, deklaroi Dr. Aleksandra Georgieva nga Shoqata e Mjekëve Specializantë.

Edhe pse kornizat ligjore ndryshojnë nga vendi në vend, nga  Shoqata e Mjekëve Specializantë mendojnë se institucionet relevante duhet patjetër të ndërmarrin masa sanksionuese ndaj mjekëve që duke përdorur titullin e tyre shkaktojnë dëm në shëndetin publik.

“Rregulloret ligjore ndryshojnë nga vendi në vend dhe ka raste kur mjekët  kanë kryer veprime specifike në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet specifike mjekësore, si lëshimi i certifikatave false të COVID19, por tek ne nuk ka raste ku mjekët janë sanksionuar për përhapjen e dezinformatave. Mjekët kanë mbi të gjitha një përgjegjësi morale dhe etike për të promovuar dhe ruajtur shëndetin publik. Nëse individët veprojnë kundër këtyre parimeve, sigurisht që duhet të mbajnë përgjegjësi në një procedurë të përshtatshme para institucioneve kompetente dhe të mbajnë pasojat”, shton Dr.Georgieva.

“Infodemia” vështirësoi luftën me pandeminë Covid-19

Gjatë vitit 2021 vertetmatesi.mk ka demistifikuar rreth 500 përmbajtje dezinformuese në Maqedoninë e Veriut, në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Përveç stresit psikologjik dhe kaosit në opinionin publik infodemia ishte kërcënim shqetësues për shëndetin e njerëzve. Maqedonia e Veriut shënon një numër të lartë të vdekjeve nga COVID19, nga  236.241 raste të identifikuara me COVID19 që nga fillimi i pandemisë  8 055 raste kanë përfunduar me fatalitet. Në fillim të pandemisë autoritetet theksuan se një numër i konsiderueshëm i pacienteve me COVID19 përfundojnë me fatalitet sepse paraqiten në fazë shumë të vonshme në spital. Fushata dezinformuese vazhdon të jetë një ndër faktorët kyç se pse procesi i vaksinimit në vendin tonë po zhvillohet me ritme të ngadalta. Sipas Institut për Shëndet Publik që nga fillimi i procesit të vaksinimit deri më tash në Maqedoni janë vaksinuar rreth 50% e popullsisë së përgjithshme mbi 18 vjet, ndërkohë sipas rekomandimeve të OBSH-së duhet që mbi 75% e popullsisë së përgjithshme të jetë vaksinuar me qëllim që të krijohet imunitet kolektiv.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button