Hulumtim nga FER: Më të kënaqur janë të rinjtë që jetojnë në qytetet më të mëdha të RMV-së

Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut mendojnë se më lehtë është të gjesh punë jashtë vendit sesa në vend ndërkaq punët më të mira, sipas tyre, janë në sektorin publik. Ky është njëri nga rezultatet e hulumtimit të kryer nga Forumi Edukativ Rinor (FER) në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) që u prezantuan sot në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Në Europe House në Shkup sot u prezantua hulumtimi për sfidat dhe nevojat e të rinjve sipas madhësisë së vendbanimev në RMV.

“Numri më i madh i të anketuarve ishin studentë të moshës 15-29 vjeçare. 56,8 % e të anketuarve mendojnë se shteti nuk kontribuon për të rinjtë që jetojnë në vende të pazhvilluara rurale, 61,4 % e të anketuarve mendojnë se shteti nuk kontribuon për të rinjtë që jetojnë në varfëri dhe 56,9 % e të anketuarve mendojnë se shteti nuk kontribuon për të rinjtë me aftësi të kufizuara.” tha Natasha Stanojkovska Trajkovska, autore e hulumtimit.

Ajo shtoi se “papunësia e madhe, rrogat e ulëta, kushtet ekonomike janë shkaqet kryesore që rinia kërkon një jetë më të mirë, sidomos të rinjtë e vendbanimeve rurale”.

Hulumtimi tregon se mbi një e katërta e të anketuarve mendojnë se u është përkeqësuar kualiteti i jetës së tyre (19%) ose u është përkeqësuar shumë (8 %), 36 % mendojnë se nuk ka ndonjë, 30 % mendojnë se ka përmirësim në kualitetin e jetës së tyre ndërkaq vetëm  7 % mendojnë se kualiteti i jetës së tyre është përmirësuar dukshëm në këto tre vitet e fundit.

Sipas madhësisë së vendbanimeve, më të kënaqur me kualitetin e jetës së tyre janë të rinjtë që jetojnë në qytetet e mëdha, gjegjësisht që kanë nga 50.000 deri në 100.000 banorë, ndërsa më pak të kënaqur me kualitetin e jetës së tyre janë të rinjtë që jetojnë në qytete më të vogla me 1.011 deri në 5.000 banorë.

Petar Barllakovski nga FER tha se pandemia ka nxjerrë në pah se ka të rinj të interesuar edhe nga vendet rurale për pjesëmarrje në aktivitetet e ndryshme rinore, por, që nuk kanë mundësi dhe përkrahje financiare, dhe kjo, sipas tij, e bën rininë rurale të margjinalizuar ose më pasive sesa rinia urbane.

Ai prezantoi disa rekomandime të përgjithshme drejtuar institucioneve të vendit për të përmirësuar gjendjen e të rinjve: Ministrisë së Arsimit, Kulturës, Punës dhe Politikës Sociale, Vetëqeverisjes Lokale, Agjencisë për Rini dhe Sport, sektorit privat dhe organizatave qytetare. Ai theksoi se është i nevojshëm bashkëpunimi i gjithë këtyre institucioneve në krijimin e politikave të përbashkëta për avancimin rinor.

Monika Zajkova, deputete në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, theksoi se interesimi i rinisë është shumë i ulët për Klubin e të rinjve në Parlament.

“Interesimi i të rinjve në Parlament është shumë i ulët. Kemi lëshuar kërkesë që të formohen Këshillat Rinor Lokal, mirëpo deri tani nuk kemi përgjigje. Ky hulumtim është fotografi reale se rinia nga vendet rurale është e anashkaluar”. tha ajo.

Sipas saj, nevojitet qartësimi i prioriteteve që të ketë veprim dhe jo vetëm diskutim.

“Duhet patjetër të caktojmë dy apo tre prioritete që të zbatohen në mënyrë të shpejtë. Kjo gjë bëhet duke hapur diskutimin në Parlament dhe formimin e grupeve të punës”. tha Zajkova.

Evegenija Janakieska, përfaqësuese e të rinjve në MASH tha se për problemet rinore e arsimore janë të informuar, dhe po punojnë në zgjidhjen e tyre.

“Me trupin përfaqësues të nxënësve dhe studentëve jemi në kontakt të përditshëm deri diku i dimë nevojat. Nuk mungon përkrahja nga MASH për nxënësit dhe studentët. Ata i motivojmë me përkrahje të formave të ndryshme, mes tjerash MASH ofron bursë prej 3500 denarëve për ata që zgjedhin drejtimet deficitare në shkollë të mesme dhe prej 9000 denarëve në muaj për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë që studiojnë drejtimet deficitare.” tha Janakieska.

Në këtë ngjarje u diskutua edhe për përparësitë dhe mangësitë në sistemin edukativo-arsimor të RMV-së.
Rezultatet e hulumtimit mund t’i shikoni në këtë link: FRA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button