RMV, sektori civil kërkon përgjegjësi për paligjshmërinë rreth hidrocentraleve të vogla

Eko-vetëdija dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë e mirëpresin auditimin e Entit Shtetëror për Revizion lidhur me shfrytëzimin e burimeve ujore për prodhimin e energjisë elektrike, raporton 360 gradë, transmeton Portalb.mk.

“Ka shumë vite që, ne si organizata, reagojmë për shkeljet e rënda në procedurat për dhënie të koncesioneve. Shumë prej koncesioneve për hidrocentralet e vogla janë dhënë jashtë procedurës ligjore dhe janë konstatuar shkelje të rënda, me çka vihet në pikëpyetje ligjshmëria për ekzistencën e tyre. Presim dhe kërkojmë që të nisin procedura për përcaktim të ligjshmërisë për ekzistencën e hidrocentraleve të vogla, por edhe vendosjen e përgjegjësisë për këtë neglizhencë të qëllimshme të të gjitha dispozitave ligjore për mbrojtjen e lumenjve tanë”, thuhet në reagimin e të dy organizatave.

Ata theksojnë se në auditimin e realizuar nga ESHR për “Shfrytëzimin e burimeve ujore gjatë prodhimit të energjisë elektrike” është dhënë pasqyrë e plotë e procedurës për dhënien e koncesioneve për hidrocentralet e vogla dhe janë konstatuar shkelje të rënda.

“Auditimi ka gjetur shkelje të rënda të procedurës për dhënie të koncesioneve, duke filluar nga përgatitja e dokumenteve strategjike në bazë të të cilave ato lëshohen, e deri në momentin e lëshimit në përdorim të hidrocentraleve të vogla. Strategjitë për zhvillimin e energjetikës dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme në bazë të të cilave janë dhënë shumica e koncesioneve janë pa vlerësim strategjik të ndikimit mbi mjedisin jetësor. Komisionet për zbatimin e procedurave të tenderimit nuk kanë hartuar asnjëherë studime të projekteve koncesionare dhe nuk kanë bërë vlerësime paraprak për ndikimin e tyre mbi  mjedisin jetësor, megjithëse ato janë detyrim ligjor. Për disa nga tenderët nuk ka as studim fizibiliteti dhe nuk ka as vendim përfundimtar për zhvillimin e një procedure të tenderimit. Gjatë dhënies së drejtës ujore nuk është bërë asnjë inspektim i objekteve për kapjen e ujit, që gjithashtu është detyrim ligjor. Ato nuk prodhojnë masa ligjore dhe për këtë arsye kapja e ujit për prodhimin e energjisë elektrike është gjithashtu e paligjshme”, thuhet në reagimin nga Eko-vetëdija dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë.

Sipas tyre, procedura e plotë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla i neglizhon plotësisht të gjitha detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Kjo e arrin kulmin me nxjerrjen e raporteve për hidrocentralet e vogla pa e përcaktuar në mënyrë përkatëse situatën faktike dhe ndikimin në mjedisin jetësor. Kjo çon në pasoja katastrofike për mjedisin jetësor dhe popullsinë lokale.

“Problemi  përkeqësohet edhe më shumë nga fakti se investuesit rrallë iu përmbahen edhe masave më elementare të mbrojtjes në përputhje me elaboratet, mungesa e kapaciteteve të inspektorateve shtetërore dhe përcaktimi joadekuat i kompetencave të shërbimeve inspektuese”,  thuhet më tej.

Bojan Trpevski nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë shton se “mosrealizimi i vlerësimit të ndikimit në mjedisin jetësor gjatë dhënies së koncesioneve për HEC-et e dëmton edhe më shumë zbatimin efektiv të parimit për pjesëmarrje të publikut. Kështu qytetarëve nuk u është dhënë mundësia të shprehin qëndrimet e tyre në dhënien e koncesioneve për HEC-et, as institucionet nuk kanë mundur të bëjnë vlerësim efikas për ndikimin e tyre të dëmshëm në mjedisin jetësor dhe masat mbrojtëse që investuesi është dashur t’i ndërmarrë#.

Nga Shoqata e Juristëve të Rinj thonë se, në bashkëpunim me Eko-vetëdija, do të vazhdojnë t’i monitorojnë situatat e tilla dhe do t’i përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë në dispozicion për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe njëkohësisht u ofrojnë qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile vendore mundësi për këshillime ligjore rreth këtyre çështjeve me anë të përgatitjes së opinioneve ligjore për ndonjë HEC konkret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button