Ju mund ta shpëtoni planetin Tokë me kopshtari

Shoqëria Mbretërore e Hortikulturës (SHMH) ka parashikuar që kopshtaria “miqësore” me planetin Tokë, do të bëhet më e popullarizuar në mesin e kopshtarëve në vitin 2022. Kopshtarët pritet të hulumtojnë mënyra për të reduktuar gjurmët e tyre të karbonit gjatë kopshtarisë dhe të ofrojnë mikro-habitate për kafshët e egra, shkruan Independent, transmeton Portalb.mk.

Megjithëse kopshtaria shpesh konsiderohet një hobi që nuk e dëmton natyrën, megjithatë duhet të dimë se si të përkujdesemi për kopshtin tonë, sepse edhe aty ka disa rregulla.

Si duket “planet-friendly gardening” dhe cilat metoda mund të përdorni për të siguruar një kopsht edhe më të gjelbër?

“Planet-friendly gardening”  është praktika e reduktimit të emetimeve të gazrave serrë nga kopshtet dhe inkurajimi i përthithjes së dioksidit të karbonit nga toka dhe bimët për të ndikuar në zbutjen e ngrohjes globale.

Kjo do të thotë që kopshtarët e ndërgjegjshëm për mjedisin duhet të marrin në konsideratë të gjitha aspektet e kopshteve – nga materialet e përdorura  deri te ndikimi që kanë në mjedisin përreth.

Për shembull, përdorimi i plehut sintetik nuk ka vetëm ndikim negativ në tokën e kopshtit tuaj, por edhe në atmosferë.

Prodhimi i plehrave artificiale është proces ku harxhohet energji e madhe dhe kjo kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në emetimet e gazeve serrë të prodhuara si rezultat i industrisë.

Pesticidet, të cilat zakonisht janë shumë toksike, mund të kenë gjithashtu efekte negative në mjedis duke ndotur ajrin, tokën dhe ujin.

“Planet-friendly gardening” gjithashtu inkurajon njerëzit të punojnë me natyrën dhe jo kundër saj, duke rritur bimët e duhura që do të lulëzojnë në hapësirën që keni dhe duke ju kursyer para, kohë dhe përpjekje në planin afatgjatë, thotë RHS.

Mund të filloni të bëheni kopshtar më miqësor ndaj planetit duke ekzaminuar çdo aktivitet që bëni dhe duke bërë ndryshime të vogla për të zvogëluar ndikimin tuaj mjedisor.

Cilat janë përfitimet e “planet-friendly gardening”?

SHMH thotë në faqen e saj të internetit që ka rreth 30 milionë kopshtarë në Britani dhe sipërfaqja e përgjithshme e kopshteve në Mbretërinë e Bashkuar së bashku arrin në më shumë se gjysmë milioni hektarë, ose afërsisht e barabartë me madhësinë e Norfolk-ut.

Sipas Gardeners’ World, kopshtet kanë potencialin për të ruajtur sasi të mëdha karboni, si dhe për të zbutur disa efekte nga ndryshimet klimatike, duke përfshirë rrezikun e përmbytjeve, “efektin e ishullit të nxehtësisë urbane” dhe humbjen e biodiversitetit.

Bimët mund të ndihmojnë me rreziqet e përmbytjeve, sepse ato vonojnë kohën që duhet që reshjet të arrijnë në tokë, duke hequr presionin nga kanalizimet publike. Ata gjithashtu thithin ujin nga toka dhe e kthejnë atë në atmosferë, duke lejuar që toka të ketë më shumë reshje.

Shumë bimë sigurojnë gjithashtu habitate të rëndësishme për kafshët si zogjtë, ketrat dhe iriqët, si dhe insektet që janë të rëndësishme për të mbajtur ekuilibrin në ekosistem.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button