Rruga ‘Strasho Pinxhur’ në Tetovë mbytet në baltë, projekti i rikonstruimit nuk i plotëson kushtet bazë (FOTO)

Punimet në rrugën prej 350 metrave, “Strasho Pinxhur” në qendër të Tetovës e cila filloi të rikonstruohet në tetor gjatë fushatës parazgjedhore shkojnë shumë ngadalë. Arsyeja, sipas Komunës së Tetovës është se kontraktorit i kishte skaduar afati i marrëveshjes ndërsa janë gjetur dhe probleme të tjera. Përderisa pritet zgjidhje përfundimtare, gropat dhe balta në këtë rrugë pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Asfalti në këtë rrugë u hoq gjatë muajit tetor për t’u rikonstruuar po punët janë lënë në mes. Gjendja e rrugës është më e rënduar në këtë periudhë shkaku i reshjeve sepse krijohet shumë baltë. Banorët përreth dhe ata të cilët udhëtojnë nga vendbanimet përgjatë magjistrales Tetovë – Jazhincë ankohen dhe kërkojnë zgjidhje të problemit.

“E kanë filluar para zgjedhjeve, punuan pak. Kanë premtuar se do e rregullojnë, por tani edhe koha nuk ju ndihmon se është ftohët”, tha një nga punonjësit të një biznesi përgjatë kësaj rruge.

“Është katastrofë, rruga në mes të qytetit të jetë në këtë gjendje. E gjitha është me gropa si mund të shihet, i prishëm edhe veturat”, tha një qytetare tjetër.

Nga Komuna e Tetovës, për këtë rrugë thanë se pas urdhrit të kryetarit të ri për ndërprerjen e punimeve ndërtimore, u formua komision për verifikimin e gjendjes dhe konstatoi se marrëveshjes ndërmjet Komunës së Tetovës dhe kontraktorit i kishte skaduar afati.

“Pas kësaj është lidhur aneks marrëveshje për vazhdimin e afatit të ndërtimit nga 01.12.2021 deri më 01.05.2022 dhe vazhdimin e regjimit të përkohshëm të qarkullimit. Pas lidhjes së aneksit të kontratës, i kemi dhënë urdhër kontraktorit që të vazhdojë punimet ndërtimore, por për shkak të kushteve atmosferike, punimet në terren janë më të vështira dhe në varësi të kushteve klimatike, punimet ndërtimore do të vazhdojnë.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur për atë se kur pritet të ndërtohet kjo rrugë, tha se në këtë projekt kanë gjetur probleme me të cilat ata janë ballafaquar të të gjithë rrugët apo projektet të cilat i kanë hasur në realizim e sipër.

“Ajo rrugë, pra projekti nuk i plotëson as kushtet bazë që nënkupton infrastruktura nëntokësore nuk është paraparë. Ne jemi në konsultim edhe me kompaninë që realizon edhe me Sektorin për veprimtari komunale që të gjejnë zgjidhje edhe infrastruktura nëntokësore që ka të bëjë me kanalizimin fekal, atmosferik dhe ujësjellësin ta rregullojmë, të rregullojmë lidhjen edhe të kanalizimit atmosferik edhe me pjesën tjetër sepse është paraparë vetëm ndryshimi i kanalizimit atmosferik dhe nuk është paraparë ai ku do të lidhet me pjesën tjetër pra ka një ndërprerje të saj. Ne ndërkohë jemi në kërkim të zgjidhjes që ajo rrugë të realizohet me parametrat infrastrukturor dhe standartet të cilat kërkohen.” tha Bilall Kasami.

This slideshow requires JavaScript.

Problemi me gjendjen e rënduar të rrugëve në Tetovë nuk është diçka e re. Në qytet ka rrugë të cilat ende janë jo të rregulluara dhe me gropa, që zakonisht gjenden brenda lagjeve por jo vetëm. Së fundmi Komuna e Tetovës ka filluar me sanimin e gropave nëpër rrugët e qytetit, ku kjo realizohet në kuadër të planit vjetor të vitit aktual. Kasami u bëri thirrje qytetarëve që ti paraqesin në komunë gropat nëpër rrugët e tyre, që ata të bëjnë plan dhe të intervenojnë.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në programin e tij për qeverisje me Tetovën për katër vitet e ardhshme, te pjesa e urbanizmit  thuhet se do të angazhohen në ndërtimin dhe merremetimin e infrastrukturës së dobët, por se a do të ngel kjo vetëm në letër do të shihet në vitet në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button