Zaev dorëzoi dorëheqjen e tij në Kuvendin e RMV-së

Kryeministri, Zoran Zaev ka dorëzuar dorëheqjen e tij në Kuvend. Në letrën dorëzuar kryeparlamentarit me të cilën e njoftoi për dorëheqjen e tij, ka thënë se këtë vendim e mori si hap logjik pas rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe për të ndërmarrë përgjegjësi për rezultatet e zgjedhjeve, transmeton Portalb,mk.

“Sot e paraqita dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deri te Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Demokracia nënkupton edhe përgjegjësi. Me dorëheqjen time, marr përgjegjësi dhe jam shembull për përgjegjësinë qytetare për liderët e ardhshëm, por jap edhe një kontribut në përforcimin e kapaciteteve demokratike të shtetit”, deklaroi Zaev.

Ai më tej në letër ka shkruar se, koha do të tregojë se vendimi i tij është në pajtueshmëri me përcaktimin e tij që të jetë politikan i cili ndërmerr përgjegjësi që të miratohen vendime të vështira, por me rëndësi historike, pa vënë rejtingun politik personal para interesave shtetërore.

“Gjatë kohës së mandateve të mia si kryeministër kemi miratuar vendime historike për shkak të së cilave Maqedonia e Veriut, në vend që si “ish republikë”,  pa vend të saj të konfirmuar afatgjatë dhe sovran në shoqërinë e popujve, e mori atë që i takon sipas dinjitetit të saj dhe meritave historike. Ato vendime mundësuan që maqedonasit dhe gjuha maqedonase të konfirmohen nga gjithë bota ndërsa kësaj radhe edhe nga fqinji ynë, Republika e Greqisë. Vlerësoj se me atë kemi siguruar paqe, siguri dhe rrugë të trasuar për mirëqenien ekonomike të popullit”, thuhet në letrën e tij.

Zaev paralajmëroi se do të tërhiqet nga pozita e liderit të LSDM-së dhe ajo e kryeministrit, pas disfatës në zgjedhjet lokale, ndërsa paraprakisht ka dhënë dorëheqje edhe nga pozicioni i liderit në LSDM, ku lider i ri u zgjodh Dimitar Kovaçevski, i cili duhet të jetë edhe mandatar për Qeverinë e re.

Pas dorëheqjes se Zaevit, Pendarovski duhet t’ia jap mandatin mandatarit të ri.

Sipas Kushtetutës, presidenti është i obliguar në afat prej 10 ditëve t’ia besojë mandatin partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.

Mandatari në afat prej 20 ditësh, nga dita e marrjes së mandatit, i dorëzon Kuvendit programin dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button